E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, 4 të plagosur për femra dhe borxhe

Katër të plagosur në kryeqytet nga përplasjet mes disa të rinjve pas grindjeve për motive femrash dhe borxhesh. Policia arrestoi dy persona e shpalli në kërkim një të tretë si të dyshuar të këtyre krimeve. Ngjarja e parë ka ndodhur në Institutin Bujqësor në Kodër Kamëz, në banesën e familjes Kurti. Ermal Ceka dhe Shano Kamberi, mësohet se i kishin dhënë një sasi parash borxh dy vëllezërve Hasan e Pëllumb Kurti. Për këtë shkak ata kanë shkuar në banesën e kësaj familjeje për të marrë paratë, por kanë nisur të grinden e përleshen. Në grindje e sipër Ceka dhe Kamberi kanë qëlluar me gruashta e thika dy vëllezërit duke iu shkaktuar atyre plagë të rënda në trup. Për shkak të plagëve të marra, dy vëllezërit kanë përfunduar në spitalin ushtarak në kryeqytet, ku u është dashur të operohen nga mjekët kirurgë. Policia e komisariatit nr.5, në Kamëz është vënë në lëvizje duke arrestuar dy të dyshuarit me akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë dy herë dhe atë të plagosjes së vëllezërve me sende të ftohta. Të plagosurit, sipas policisë, ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ndërkaq, ngjarja e dytë ka ndodhur dje pranë shkollës së mesme "Petro Nini Luarasi", në Tiranë, dy të rinj janë plagosur të qëlluar me thika. Donald Mërtiri dhe Erald Hoxha, janë dërguar në spitalin ushtarak, për shkak të plagëve të marra në një grindje. Sipas mjekëve, i pari kishte katër plagë të rënda nga goditjet me thikë dhe i dyti dy plagë. Policia identifikoi dhe shpalli në kërkim 20-vjeçarin me iniciale K.K, të dyshuar për krimin me motive femrash ndërsa të dëmtuarit, sipas burimeve, ndodhen në spital në gjendje të rëndë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›