E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza e përfaqësimit, si krize institucionale

Konceptet e përfaqësimit dhe të pjesëmarrjes janë koncepte tejet të lashta në teorinë politike. Që në filozofinë politike të Aristotelit modelet e qeverisjes në mungesë të njërit dhe ekzistencës së tjetrit, kanë çuar në të gjitha rastet në anarki apo despoti. E çuditshme është në disa vende si Shqipëria ekzistenca e anarkizmit politik në kohën e ekzistencës së demokracive raprezentative. Ndërkohë që dihet se njeri fenomen e përjashton tjetrin. Duke qenë se populli përfaqëson një numër të madh individësh me të drejta të barabarta, ku secili ka vullnetin e tij specifik, atëherë edhe sistemi demokratik i qeverisjes së një vendi duhet të veprojë në një mënyrë të tillë që interesat partikulare të sheshohen dhe marrja e vendimeve të drejtohet nga marrja parasysh e vullnetit të shumicës. Sqarimi i konceptit të përfaqësimit në kontekstin politik merr kësisoj rëndësi specifike. Duke u nisur mbi këto premisa, analizën time do e fokusoj në krizën e përfaqësimit institucional në Shqipëri.
Në një definim klasik pune, marrë nga H. Pitkin përfaqësimi ndahet në dy pjesë: në reprezentatitivitetin që identifikohet me simbolikën që ka parlamenti, i cili përfaqëson politikisht diversitetin e popullit por në miniaturë. Pjesa e dytë përfshin faktin që: "Përfaqësuesi duhet të veprojë në emër dhe për llogari të të përfaqësuarit dhe duke ju përgjigjur dëshirave të tij". Pakënaqësia me sistemin e përfaqësimit demokratiko-parlamentar të tanishëm sa vjen e shtohet. Vullneti popullor është deformuar aq fort saqë shpeshherë kanë dalë si shpëtimtare tryezat gjoja konsensuale politike. Kush e bën konsensusin, që ky i fundit të meritojë këtë emër me të vërtetë? Pse nganjëherë rruga e demokracisë direkte do i jepte fund krizës së përfaqësimit? Mekanizmi parlamentar duket tashmë i plogësht, intransparent, i dërrmuar nga privilegjet, në një karakterizim përmbledhës tejet i paaftë të përthithë shumëllojshmërinë e pikëpamjeve të ndryshme politike, interesave dhe përpjekjeve të qytetarëve e për ta reflektuar në mënyrën më të denjë të mundshme vullnetin e tyre. Nga buron kjo paaftësi? Tryezat politike tejskajshmërisht intransparente përbëjnë në shumicën e rasteve çelësin magjik për zgjidhjen e shumë problemeve, të cilat kushtetuta i rregullon mjaft qartë, por kundrejt të cilave parlamentarizmi përballet me një kompleks inferioriteti. Pse deformimi i institucionit të votës së lirë duhet rregulluar nëpërmjet formash jo institucionale, që kërkojnë vullnet të jashtëzakonshëm politik për të ndryshuar madje dhe ligjin themelor të vendit? Tryezat politike në Shqipëri fatkeqësisht nuk kanë pasur deri më tani asnjëherë vullnetin e sovranit në themel të tyre. Në rastin konkret në propozimet që vijnë e shtohen nga „mazhoranca e tanishme" për të arritur konsensus pa zgjidhur thelbin e problemit në të vërtetë bie ndesh me situatën në të cilën shumica e elektoratit e ndërgjegjësuar për deformimin e votës së lirë dhe për disfunksionalitetin e sistemit reprezentativ parlamentar ngrihet dhe kërkon më shumë pjesëmarrje duke pasur si qëllim arritjen e një niveli më të madh demokracie, gjë të cilën me shumë të drejtë e kërkon opozita shqiptare me në krye zotin Rama. Eshtë e natyrshme që mungesa e kërkesave të tilla për një kohë të gjatë qe e lidhur edhe me natyrën e kulturës politike shqiptare në përgjithësi, çka shpjegon deri në një farë shkalle edhe ekzistencën e njëkohshme të fenomeneve anarki dhe demokraci reprezentative në vendin tonë. Por nga ana tjetër deformimi i këtyre kërkesave nga mazhoranca, të cilat duhet të buronin nga sovrani për qëllime momentale të realpolitikës është fatal. Pasi propozime dhe nisma të tilla nëse realizohen, duke mos pasur mbështetjen e sovranit nuk do të kenë as fundamentin për t‘i rezistuar rotacionit të parë politik. Mospasja e mbështetjes së sovranit do t‘i bënte këto nisma të etiketohen si jo konsensuale. Qeverisja nga populli duhet të sjellë në kushte normale një qeverisje për popullin e jo për interesa uzurpuesish. Demokracia jonë po degradon gjithnjë e më tepër në një „minikraci" duke pasur parasysh se një minoriteti popullor dhe jo një shumice po I lejohet de facto e më pas de jure të na përcaktoje se çfarë është „me të vërtetë" në dobi të të gjithë shqiptarëve. Deformimi i votës së lirë rëndon mbi pjesë te spektrit politik shqiptar, pjesë të cilat do t‘i identifikoja me pjesëzën e përparme të termit „minikraci". Në rast se zgjedhjet e 28 Qershorit e patën një sukses të vetëm, ky ishte sepse opozita me në krye Partinë Socialiste Shqiptare ranë dakord për një reformë tejet të suksesshme zgjedhore e cila mbeti në letër, pasi krimi elektoral i Qershorit e përmbysi këtë akt konsensual me brutalitet të paparë - mjafton të kujtojmë fushatën e pabarabartë e deri te vjedhja flagrante e mandateve, por edhe tek vendimet absurde të kolegjit e gjykatës. Deficiti demokratik në reprezentativitet në Shqipëri ka nevojë për reforma institucionale. Zgjidhja më konkrete e mundshme në momentin aktual do të ishte mbështetja e fuqishme e elementit „demokraci direkte" nëpërmjet ndërmarrjes së iniciativave në mënyrë imanente brenda sistemeve përkatëse, me këtë unë kam parasysh fuqizimin e forcave influencuese plebishitare brenda partive politike. Në disa raporte të progresit demokratik të Shqipërisë botuar vite më parë thuhej se të vetmet organe legjitime të mbetura në vendin tonë janë partitë politike - bëhej fjalë për vitet kur qeverinë e drejtonte një „lider historik", ndërkohë që sot e vetmja parti që ka aplikuar në zgjedhjen e kryetarit dhe të strukturave të saj parimin one man, one vote është PSSH. Në këto kushte është e domosdoshme ndërhyrja e sovranit vetë në zgjidhjen e këtij konflikti të thellë institucional, politik shumëplanësh, pasi çdo konsensus i stisur nga pseudomazhoranca do të tingëllonte si një marrëveshje të cilën presidenti i Iranit po ja propozon presidentit amerikan, për të bërë një paralelizëm të ngjashëm. Vendimet e këtyre tryezave do të ishin - në rast se veprohet si më lart - më konsensuale pasi dhe përfaqësimi në këto forma do të kishte fituar tone më të forta legjitimiteti, nëse edhe „Ahmadinexhat „ do të qe zgjedhur demokratikisht si „Obama". Si konkluzion më duhet të përdor sentencën e një politologu të famshm gjerman:„ populli nuk mundet të sundojë konkretisht, pasi ai nuk është në gjendje të organizojë diçka politikisht, por ai më tepër është në gjendje të gjykojë mbi një organizim politik të caktuar. Çfarë do të thotë se demokracia më shumë se sundim është gjykim i popullit?! Por që ky gjykim të marri rëndësi dhe të shoqërohet me pasoja për atë çfarë gjykohet, është dashur vite me radhë të fuqizohet vetëdija politike e sovranit vetë, gjë e cila po shpaloset në protestat e panumërta të opozitës shqiptare. Kjo është platforma politike më legjitime në këto 19 vjet tranzicion në Shqiperi, vetëm kjo platformë e opozitës do t‘i sjellë fitore personale çdo shqiptari dhe jo tryezat politike që në themel kanë gjithçka, përveçse maksimën res publica-res populi!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›