E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria “në hall” me shitjen e INSIG-ut

Komisioni i Ekonomisë dhe Financave bëri sot ndryshime në ligjin për privatizimin e INSIG-ut.

Kompania në fjalë është nxjerrë në shitje më shumë se tre vjet më parë, dhe thuajse në të gjitha rastet ka dështuar privatizimi. Drejtore e Legjislacionit në ministrinë e Financave, Linda Rusmali, sqaroi para deputetëve se ky proces pritet të zhbllokohet dhe kompania të kalojë në duart e një investitori, vendas apo të huaj.

"Sot jemi 3 vjet më vonë dhe vlerësimi i bërë në atë periudhë nuk i përshtatet realitetit. Për më tepër edhe konsulenti që punon në Ministrinë e Financave dhe merret me këtë çështje ka këshilluar që kjo referencë të hiqet dhe të hapet rruga për një vlerësim të ri të aseteve të INSIG, përpara se ai të dalë për shitje. Kemi arritur në kushtet kur duhet të amendojmë ligjin, procesi nuk ka ecur, është bllokuar", u shpreh ajo. Procesi i privatizimit të INSIG-ut ka nisur që në janar të vitit 2007.

Fillimisht, qeveria shqiptare kishte rreth 61% të aksioneve të INSIG-ut, ndërsa dy institucionet ndërkombëtare, IFC dhe BERZH, përkatësisht nga 19.5 % secila. Meqenëse BERZH dhe IFC ekzekutuan të drejtën e rishitjes së aksioneve, e cila skadonte në fund të vitit 2008, tashmë INSIG zotërohet 100 % nga shteti shqiptar. Tashmë, me ligjin e ri, për Kompaninë nuk ka ndonjë çmim dysheme shitjeje. /S.Lleshi/Start/

                                                                                             2011-06-27 16:56
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›