E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria “Berisha”, miliona dollarë borxh të larguarve padrejtësisht nga administrata

Raporti i Komisionit të Shërbimit Civil vlerëson dëmin. Anëtarët e Komisionit të përçarë, opozita reagon ashpër

Erald Kapri

Shteti shqiptar ka një sasi borxhi tepër të lartë ndaj punonjësve të administratës, të cilët janë larguar nga puna padrejtësisht për motive politike ose motive të tjera. Raporti i Komisionit të Shërbimit Civil ka filluar shqyrtimin e tij në Komisionin e Ligjeve. Deputetët e opozitës kërkuan nga anëtarët e këtij komisioni, të cilët me ligj mbrojnë të drejtat e nëpunësve civilë në administratë në lidhje me gjendjen dhe shkarkimet në administratën publike. Anëtarët e Komisionit të Shërbimit Civil kanë paraqitur përgjigje të ndryshme si dhe njëkohësisht në Kuvend janë paraqitur tre raporte të ndryshme për situatën në administratë. Deputeti i PS-së, Bashkim Fino, pyeti drejtpërdrejt anëtarin e këtij komisioni se sa para u detyrohet shteti nëpunësve civilë, të cilët janë larguar padrejtësisht nga vendi i punës dhe kanë fituar të drejtën e kompensimit sipas ligjit. Anëtari Sajmir Mani u shpreh se shteti shqiptar ka krijuar një borxh të ri gjatë viteve që po qeveris PD-ja, pasi vetëm ndaj punonjësve të shkarkuar padrejtësisht sasia e gjobës shkon në miliona dollarë. “Nga llogaritjet dhe verifikimet që kemi bërë midis periudhës nga qershori i vitit 2006 e deri në qershor të vitit 2007, vetëm në Ministrinë e Financave dhe në Drejtorinë e Tatimeve shteti ka një borxh ndaj punonjësve të shkarkuar padrejtësisht, të cilët kanë fituar të drejtën e dëmshpërblimit me gjykatën apeli, rreth 83 milionë lekë”, - tha Mani. Kjo sasi parash është e barabartë më 1 milion dollarë. Anëtari Mani shtoi gjithashtu se prej 2 vitesh kjo gjobë nuk paguhet për punonjësit e shkarkuar padrejtësisht, edhe pse ata i ka njohur gjykata me vendim ekzekutiv, duke bërë që si rezultat i kamatëvonesave, sasia e borxhit vetëm për Ministrinë e Financave dhe Tatimet të kalojë deri në trefish ose 3 milionë dollarë. Deputetët e opozitës kërkuan shpjegime nga anëtarët e komisionit se si ka mundësi që këta punonjës nuk kanë marrë paratë që u takojnë, por anëtarët u shprehën se kjo është përgjegjësi e qeverisë dhe Drejtorisë së Përmbarimit.
Raporti
Raporti i paraqitur në Kuvend nga Komisioni i Shërbimit Civil është kritikuar shumë ashpër si nga deputetët e opozitës, ashtu edhe nga ata të maxhorancës. Ata kërkuan që ky komision, tepër i rëndësishëm, duhet të riformatohet në mënyrë që puna e tij të jetë objektive dhe jo me prapavijë politike. Pavarësisht numrit të pakët të ankimimeve të individëve që kanë konkurruar për të fituar një vend pune, vetëm 10 të tilla për vitin 2007, KSHC në raportin e saj thekson se procesi i pranimit në Shërbimin Civil është kryer kryesisht në kundërshtim të plotë me ligjin. Nga kontrolli që ky komision ka kryer në Ministritë e Financave, Bujqësisë, Transporteve, Drejtorinë e Tatimeve dhe në një numër njësish bashkiake në Tiranë, ka vërejtur se të gjitha emërimet e kryera gjatë vitit 2007 janë bërë pa iu nënshtruar konkurrencës së ndershme mes kandidatëve. Kështu, në raport evidentohet se në të gjitha këto emërime, të kryera në institucionet e mësipërme, është zbatuar një skemë e përgjithshme që nuk ka favorizuar konkurrencën. Kështu, së pari, të gjitha institucionet kanë rekrutuar punonjës në bazë të emërimit me kontratë. Më pas është kryer konkurrim “fasadë”, ku fitues është shpallur gjithmonë individi, i cili qenë i punësuar në atë pozicion me anë të emërimit me kontratë. Kështu, vendin e parë në këtë lloj rekrutimi e zë Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve e cila ka rekrutuar plot 228 punonjës me emërim me kontratë. Një element tjetër negativ që evidentohet në raport është edhe ai i krijimit të pozicioneve të reja të punës, kryesisht në nivelin e mesëm dhe të lartë të administratës, si drejtor. Vetëm Ministria e Bujqësisë, për vitin 2007, ka shtuar pesë pozicione të Drejtorit të Përgjithshëm.
Punonjësit
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve mban vendin e parë edhe për pushimet nga puna, për të cilat ka pasur ankimim në KSHC për vitin 2007. Kështu, nga 380 ankimime në total, 150 prej tyre vijnë nga individë që janë pushuar nga puna në DPT. Megjithëse numri i ankimimeve të paraqitura ka një zbritje në krahasim me vitin e shkuar, edhe për vitin që lamë pas vihet re se shkarkimet apo pushimet nga detyra, nga institucionet shtetërore qendrore apo lokale, kanë si shkak të tyre ristrukturimin dhe reformat e kryera në administratë. Nga 380 ankimime të shqyrtuara, KSHC ka konsideruar si të drejtë pretendimet e 118 rasteve, duke pranuar ankesën dhe duke i rekomanduar institucioneve përkatëse që t’i fusë në listën e pritjes. Ndërkohë që nga numri total i ankimimeve, 196 prej tyre, pasi kanë kaluar në vlerësimin e KSHC-së, janë paraqitur nga palët e interesuara për gjykim në Gjykatën e Apelit. Nga të dhënat që paraqet raporti rezulton se në 139 raste gjykata ka lënë në fuqi vendimin e KSHC-së dhe në 16 raste të tjera e ka prishur atë ndërsa 34 janë pushuar si çështje.

20 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›