E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria “Berisha” vendos të lajë borxhet e Strasburgut

Ja dhjetë familjet që do të dëmshpërblehen nga Ministria e Financave. Përcaktohen shuma që do t’u jepet dhe mënyra se si do të bëhen pagesat

Laureta Rryçi

Tiranë - Qeveria “Berisha” vendos të lajë borxhet që u ka qytetarëve të saj për pronat. Ndëshkimet e Gjykatës së Strasburgut më në fund do të zbatohen nga qeveria jonë. Të parat që do të kompensohen janë dhjetë familje të cilat e kanë fituar betejën me shtetin në Strasburg. Vendimi më i fundit i qeverisë e detyron Ministrin e Financave dhe atë të Drejtësisë të ekzekutojnë këto vendime duke realizuar procesin e plotë të pagesës. Gazeta “Albania” zbardh në numrin e sotëm, familjet përfituese dhe mënyrën se si do të bëhet kalimi i parave në një nga bankat e nivelit të dytë. Këto vendime rezultojnë të jenë dhënë prej kohësh nga Gjykata e Strasburgut, por, asnjë nga qeveritë nuk morri përsipër zbatimin e tyre. Kryesisht në Strasburg shqiptarët janë drejtuar për t’iu njohur e drejta e pronës. Kosto kjo që ende nuk dihet se sa do të rëndojë në qesen e qeverisë për shkak të mungesës së ligjit për prona. Edhe në vendimin e fundit të qeverisë, familjet përfituese janë ish- pronarë të cilët kanë kaluar të gjitha hallkat e gjyqësorit për të rifituar të drejtën e pronës.
Vendimi
Qeveria miratoi në mbledhjen e fundit, ekzekutimin e vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, datë 24.3.2009, për çështjen nr. 2141/03, “Vrioni dhe të tjerë kundër Shqipërisë”, në vlerën 450 000 (katërqind e pesëdhjetë mijë) euro. Tatimi mbi të ardhurat, në vlerën 10 për qind të kësaj shume, do të paguhet nga shteti. Autoriteti përgjegjës për ekzekutimin e këtij vendimi është Ministria e Financave. Shuma 450 000(katërqind e pesëdhjetë mijë) euro bashkë me pagesën e tatimit mbi të ardhurat, në vlerën 10 për qind, do të depozitohet në njërën nga bankat e nivelit të dytë, në emër të ankuesve, “Vrioni dhe të tjerë”. Kjo shumë të konvertohet në lekë, sipas kursit të këmbimit të bankës, ku është depozituar shuma, në datën e çeljes së kësaj llogarie. Detyrimi financiar, i parashikuar më lart, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.
Pagesa
Pagesa e tatimit mbi të ardhurat, në favor të personave të përmendur në tabelën e mëposhtme, do të depozitohet në bankën e nivelit të dytë, ku është depozituar shuma përkatëse e dëmshpërblimit, dhe të konvertohet në lekë, sipas kursit të këmbimit të bankës, ku është depozituar shuma, në datën kur do të çelet llogaria. Detyrimi financiar, i parashikuar do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit. Ngarkohen ministri i Financave dhe ministri i Drejtësisë për zbatimin e këtij vendimi. Ministria e Financave të kryejë pagesën e tatimit mbi të ardhurat, në masën 10 për qind të shumës së dëmshpërblimit, për vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, të ekzekutuara deri më tani. Bëhet fjalë për nëntë vendime të tjera përveç rastit “Vrioni” të cilave u detyrohej shteti shqiptar një shumë të konsiderueshme.

Box
Vendimet për të cilat do të kryhen pagesat
Qufaj kundër Shqipërisë 6 883 440 lekë;
Beshiri kundër Shqipërisë 581 300 lekë;
Bajrami kundër Shqipërisë 307 100 lekë;
Gjonboçari kundër Shqipërisë 603 680 lekë;
Rramadhi kundër Shqipërisë 827 518 lekë;
Driza kundër Shqipërisë 6 930 000 lekë
Xheraj kundër Shqipërisë 26 560 lekë;
Marini kundër Shqipërisë 4 219 749 lekë
Dybeku kundër Shqipërisë 62 250 lekë.

Kur mund të ankohesh në Strasburg
Ankesat që do të depozitohen në këtë gjykatë duhet të jenë vetëm për ato të drejta që njeh konventa, dhe jo për çfarëdo të drejte, si p.sh. për pushimin nga puna të zyrtarëve të lartë, ose për masën e dënimit penal etj. Duhet ankuar brenda 6 muajve nga dita e vendimit të fundit të gjykatës shqiptare. Për disa çështje vendimi i fundit është ai i Gjykatës së Lartë, për disa të tjera, ai i Gjykatës Kushtetuese (kur ka të bëjë me procesin e rregullt ligjor. Po kështu të gjithë ata që janë të interesuar për çështjen e pronës duhet të kenë parasysh rregullin që përcakton se pranohet vetëm ato padi mbi të cilat prona është njohur në një mënyrë ose tjetër nga gjykatat shqiptare. Kjo “në një mënyrë ose tjetër” sipas specialistëve ka të bëjë jo thjesht me faktin se gjykata shqiptare e ka zgjidhur çështjen në favor të individit pronar (ndryshe ky individ nuk kishte pse të vinte në Strasburg), por me faktin se qytetari që mendon se ka të drejtë të jetë pronar duhet të ketë të paktën një “shpresë legjitime” për t’u bërë pronar. E thënë ndryshe kur gjykata shqiptare e kushtëzon këtë drejtë me disa kërkesa procedurale dhe në qoftë se gjyqi është humbur thjesht për shkaqe procedure, personi në thelb ka një shpresë legjitime për t’u bërë pronar. Por duhet të jetë e qartë se konventa nuk garanton të drejtën e personit për t'iu rikthyer prona sa kohë vetë shteti nuk ka nxjerrë ligjet për këtë dhe nuk ka vendosur ta bëjë një gjë të tillë. Po sipas juristëve Strasburgu, mund t’i kontrollojë zgjidhjet shqiptare vetëm kur mund të konstatojë se vetë ky sistem u njeh direkt ose indirekt qytetareve në mos një të drejtë të shprehur, të paktën një shpresë legjitime. Një shpresë legjitime do të thotë që rikthimi parashikohet me ligj, pavarësisht nga keqzbatimet e administratës, fakti që ky ligj shkelet nga gjykatat në atë sferë që krijon probleme për të drejtat e parashikuara nga konventa.

Procedurat
Në Gjykatën e Strasburgut mund të ankimosh për çështjen e pronave vetëm atëherë kur vendimi që ju do ankimoni i ka kaluar të gjitha shkallët e gjyqësorit shqiptar

Ankimimi duhet të bëhet brenda gjashtë muajve kur ky vendim ka marrë formën e prerë

Ankimimi është i vlefshëm atëherë kur bëhet në mënyrë individuale dhe jo në mënyrë kolektive

Gjithë shpenzimet e një gjyqi në Strasburg janë ato që personi (nëse nuk do ose nuk di të mbrohet vetë) do t'i paguajë avokatit të tij për ndihmën juridike që merr

Mbi 90% e çështjeve në Strasburg zgjidhen “me shkrim”, pra nuk bëhen seanca dëgjimore

Nuk paguhet avokati për të ardhur e qëndruar në Strasburg, por vetëm për të përpiluar materialet mbrojtëse.

25 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›