E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjimnazet, nis të hënën regjistrimi për vitet e para



Nis të hënën regjistrimi i nxënësve për në vitin e parë të gjimnazit. Këtë vit, Ministria e Arsimit ka vendosur të ndryshojë procedurën e përhershme të regjistrimit në gjimnaz. Kështu, regjistrimet në gjimnazet publike, shkollat artistike si dhe ato sportive, do të kryhen menjëherë pas shpalljes së rezultateve të provimeve të Lirimit dhe jo më në fillimin e vitit shkollor. Sipas afateve të përcaktuara nga MASH-i, regjistrimi në arsimin e mesëm do të çelet më datë 29 qershor dhe do të mbyllet më datë 10 korrik. Nxënësit do të kenë dy javë kohë për të përgatitur të gjithë dokumentet e nevojshme për të bërë regjistrimin në gjimnaz. Por, përveç ndryshimit të kohës së regjistrimit, këtë vit çdo nxënës që do të regjistrohet në arsimin e mesëm, duhet të jetë i shoqëruar në momentin e regjistrimit nga njëri prej prindërve. Arsyeja e marrjes së këtij vendimi lidhet me njohjen e prindërve me të drejtat që gëzojnë fëmijët dhe detyrimet që ata kanë në shkollë. Regjistrimi në shkollat e mesme do të bëhen në bazë të ndarjes territoriale dhe jo kundrejt dëshirës së nxënësve. Vendimi i nxjerrë së fundmi nga drejtoritë arsimore do të jetë i vlefshëm për të gjitha shkollat në vend. Ndërkohë që pas afatit të fundit të caktuar, nuk do të lejohet regjistrimi i asnjë nxënësi në gjimnaz. Për të kryer regjistrimin nxënësi duhet të paraqesë në sekretarinë e shkollës ku do të vazhdojë të ndjekë arsimin e mesëm, dëftesën e shkollës 9-vjeçare. Drejtues të shkollave bëjnë të ditur se dorëzimi i dokumentit që vërteton mbarimin e arsimit 9-vjeçar, duhet të bëhet në prani të njërit prej prindërve, i cili duhet të ketë me vete mjet identifikimi.

Shkollat profesionale vendosin konkursin si kriter pranimi

Pranimet në shkollat e mesme profesionale, gjuhët e huaja si edhe seksionet dy-gjuhësh italiane, do të bëhen me konkurs. Në shkollat sportive konkurset do të zhvillohen deri më datën 10 gusht, ndërsa në shkollat artistike dhe koreografike, testimet do të kryhen nga data 24-28 gusht. Ministria e Arsimit ka vendosur që afati i fundit i dorëzimit të dokumenteve në shkollat e specialiteteve të jetë data 15 korrik. Për të marrë pjesë në konkurs, kandidatët duhet të dorëzojnë në sekretaritë e shkollave përkatëse këto dokumente: Fotokopje të noterizuar të dëftesës së lirimit të firmosur në drejtorinë arsimore rajonale, certifikatë lindje me fotografi të vulosur nga shkolla, ku kandidati ka marrë dëftesën e lirimit si edhe kërkesë për degën që do të studiojë.

Diplomat e huaja, Ministria e Arsimit përcakton rastet që njihen

Ministria e Arsimit detajon diplomat e fituara jashtë që njihen edhe në vendin tonë. Vlerësimi i nivelit dhe profilit të një diplome kryhet nga Komisioni i Njohjes në MASH. Në kuadrin e njohjes dhe vlerësimit merren në konsideratë të drejta akademike jo më pak nga ato që njihen në vendin e origjinës, por asnjëherë jo më shumë se ato që njihen në vendin tonë. Për të vlerësuar nivelin e një diplome në përgjithësi, përfshirë ato Master, Komisioni i Njohjes bazohet në këto kritere: Pragu i pranimit në këtë program studimi (bachelor ose tjetër); Të drejtat akademike për avancim të mëtejshëm të studimeve (Phd, Master, etj); Kohëzgjatja zyrtare ose pesha në kredite (ECTS); Niveli përkatës në Kuadrin Evropian të Kualifikimeve; Pozicioni nga pikëpamja e cikleve të studimit në vendin e origjinës; Rezultatet e të mësuarit (learning outcome) si: niveli i arritur, prezenca e elementëve si tezë e mbrojtur, kërkim shkencor, etj. Lidhur me diplomat Master of Science, Master of Arts (sipas skemave 4+2, 4+1 dhe 3+2, 3+1), Master of Laë/, LLM, Magister dhe në përgjithësi diploma standarde universitare të nivelit Master të marra në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada, Japoni, në vendet e BE-së, Bullgari, Rumani, Rusi, Turqi, ekspertët e MASH-it sqarojnë se ato jepen në përfundim të programeve që mbyllin ciklin e dytë të studimeve dhe i përkasin nivelit 7 në Kornizën Evropiane të Kualifikimeve. Diploma korresponduese përmbyllëse e ciklit të dytë të studimeve në sistemin shqiptar është Diploma e Nivelit të Dytë. Pra, diplomat Master of Science, Master of Arts korrespondojnë në sistemin shqiptar me Diplomën e Nivelit të Dytë.

25 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›