E Diel, 1 Nëntor 2026

“DURRËS – KUKËS”, një Europë mes maleve

Çdo gjë është gati për përurimin e njërit krah të autostradës Durrës-Kukës-Morinë, e cilësuar si vepra e shekullit, që bashkon Shqipërinë me Kosovën. Një podium i madh, me siglën “Shqipëria po ndryshon”, është vendosur në hyrje të mbikalimit të parë të autostradës Durrës-Kukës- Morinë, pak kilometra larg urës së Fanit, në të djathtë të së cilës duket qyteti i Rrëshenit. Aty Kryeministri i Shqipërisë, z. Sali Berisha dhe Kryeministri i Turqisë, z. Rexhep Taip Erdogan, do të mbajnë sot në mesditë fjalët e rastit, pasi do të kenë përshkuar së bashku një pjesë të rrugës në këmbë. Më pas, dy kryeministrat do të presin shiritin e inaugurimit të njërit krah të rrugës Durrës-Kukës-Morin, një arterie mjaft e rëndësishme, me ndikim të madh në zhvillimin e mëtejshëm ekonomik të Shqipërisë, por edhe Kosovës. Ndërkohë, disa mijëra qytetarë të ardhur nga të gjitha trevat e Shqipërisë me flamurin kombëtar, janë protagonistë të kësaj ngjarjeje të madhe. Shumë qytetarë të zonave të thella të vendit kanë shfrytëzuar rrugën e re për të mbërritur deri këtu. Mark Nikolla Prenga, 51 vjeç, nga një fshat i skajshëm i rrethit të Mirditës, thotë se i janë dashur vetëm 30 minuta për të mbërritur deri këtu, kur më parë i duheshin të paktën 3 orë. “Kjo rrugë është fitore për të gjithë vendin. Është një rrugë mbarëkombëtare dhe evropiane”, tha ai për ATSH-në, duke shtuar se "ishte Sali Berisha që bëri një Europë mes maleve". Vihet re një interes i jashtëzakonshëm i medias, ku veç asaj shqiptare, ka dhe mjaft përfaqësues të agjencive të huaja si Associated Press, Reuters, ndërsa nuk mungojnë dhe përfaqësues të OSBE-së dhe drejtues e punëtorë të firmës amerikano-turke Becthel- Enka, që kryen punimet në segmentin Rrëshen-Kalimash, një ndër më të vështirat, ku përfshihet dhe tuneli Thirrë-Kalimash. E gjithë kjo atmosferë festive plotësohet dhe nga këngëtarët e njohur që kanë shoqëruar të gjithë fushatën e PD-së si Çiljeta, Soni, Elita 5, të cilët mesa duket do të jenë dhe kësaj herë protagonistë të kësaj feste mbarëkombëtare. Punimet për këtë autostradë nisën mbi dy vjet më parë. Për segmentin Rrëshen- Kalimash, një ndër më të vështirët e autostradës Durrës-Kukës-Morinë, ku përfshihet dhe tuneli Thirrë-Kalimash, i ndërtuar në një terren shkëmbor, punoi firma amerikano-turke Bechtel-Enka. Durrës-Kukës Morinë do të shkurtojë me 65 kilometra distancën Shqipëri-Kosovë. Nga 330 që ishte distanca Tiranë-Prishtinë, me përfundimin e kësaj rruge, ajo do të jetë 265 kilometra dhe më së shumti atë e shkurton tuneli Thirrë- Kalimash, më i madhi në Ballkan. Përgjatë autostradës Durrës- Kukës- Morinë janë ndërtuar 29 ura, me e larta e të cilave është 80 metra.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›