E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria: Nuk provokuam Serbinë, jemi të hapur për bashkëpunim

Reagon Tirana zyrtare pas notës së protestës që dërgoi Ministria e Jashtme serbe

Albert Gjoka

Vetëm pak orë pas notës së protestës që Beogradi bëri në adresë të Tiranës zyrtare, ka ardhur përgjigjja nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë, e cila ka hedhur poshtë pretendimet serbe. “Qeveria nuk ka provokuar tensione dhe jemi të hapur për bashkëpunim”, - thuhet në përgjigjen që u është dhënë autoriteteve serbe. Përmes një medieje në Tiranë, selia diplomatike e Shqipërisë ka thënë se qëndrimet e kryeministrit Berisha nuk cenojnë integritetin territorial të Serbisë. Madje, në këtë shkresë kërkohet bashkëpunim dhe liberalizim lëvizjeje mes Shqipërisë dhe Serbisë.
Dy ditë më parë, autoritetet serbe u morën gjatë me një deklaratë të lëshuar nga kreu i qeverisë, Berisha, pas takimit me Delegacionin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku sipas tyre, aludohej për një “projekt të bashkimit kombëtar”. Në të vërtetë, jo vetëm pala serbe, por edhe mediat u janë referuar më shumë informacioneve që agjencitë e ndryshme, si “Tanjug” apo “B92” kanë marrë nga agjencia shtetërore e lajmeve, ATSH.
Përgjigjja
Burimet zyrtare të Ministrisë së Jashtme pohuan dje se i është kthyer menjëherë përgjigjja Beogradit dhe i është bërë e qartë se nuk bëhet fjalë për kurrfarë provokimi. Deklarata vë në dukje se bashkëpunimi mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës bazohet në respektin e ndërsjellë, i cili vjen natyrshëm dhe ka për yll polar, integrimin europian. “Kryeministri Sali Berisha dhe qeveria e Republikës së Shqipërisë, janë të vendosur që të ecin përpara me liberalizimin e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave dhe uljen e barrierave”, - thuhet në notën shoqëruese të Ministrisë së Punëve të Jashtme. “Politika e jashtme e Republikës së Shqipërisë ndjek në politikën e saj të jashtme, në mënyrë konsekuente, objektivat e përbashkëta për integrimin euroatlantik të vendit dhe Republikës së Kosovës”, - thuhet më tej në përgjigjen e notës së protestës që paraqitën autoritetet në Beograd.
“Republika e Shqipërisë është e hapur për çdo nismë që synon integrimin rajonal dhe në këtë kuptim ajo ka aplikuar heqje të njëanshme të regjimit të vizave për qytetarët e Republikës së Serbisë përgjatë sezonit turistik”, - thuhet në pikën tjetër të notës zyrtare të qeverisë shqiptare. Ndërsa evidentohet edhe fakti se në këtë kuadër, me Malin e Zi po aplikohet një pikë e vetme kufitare, duke besuar se lëvizja e lirë e njerëzve, mallrave dhe ideve, është mënyra më e mirë për të ecur drejt integrimit europian të qytetarëve të rajonit. Në fund të notës zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme nuk harrohet të ftohet edhe Republika e Serbisë, si vend fqinj, që të bashkëpunojë në drejtim të liberalizimit të lëvizjes.
Nota
Më 18 gusht, Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë i ka dërguar një notë proteste të Ngarkuarit me Punë të Ambasadës së Shqipërisë në Beograd menjëherë pas një deklarate të kryeministrit Sali Berisha. Duke iu referuar ankesës serbe, citohet kreu i qeverisë shqiptare të ketë thënë pas takimit me një delegacion kosovar “se projekti i unitetit kombëtar të shqiptarëve duhet të jetë ide udhëheqëse për të gjithë politikanët, si në Shqipëri, ashtu dhe në Kosovë”. Selia diplomatike në Beograd thuhet se e dënon shumë ashpër deklaratën provokuese të kryeministrit shqiptar, e cila e cenon ashpër sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës së Serbisë”. Nota thekson se “deklarata të tilla i dëmtojnë raportet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimin rajonal”. Një informacion i tillë është bërë i ditur nga mediat e Beogradit, të cilat kanë treguar edhe burimet nga ku është shkëputur fraza që shkaktoi pakënaqësinë e Serbisë.

Informacioni, burim konfliktesh jo vetëm me Serbinë, por edhe me Prishtinën

Informacioni rreth takimit mes Berishës dhe delegacionit të LDK-së, i zhvilluar më 12 gusht në Tiranë, është bërë shkas për tensione jo vetëm me Beogradin, por edhe me Prishtinën. Mediat kosovare kanë pohuar se ka pasur dy njoftime në Këshillin e Ministrave të Shqipërisë në lidhje me këtë takim. Sipas tyre, qeveria shqiptare ka korrigjuar njoftimin e parë pas ankesave që pati nga kryeministri Hashim Thaçi. Më pas, ka dalë një njoftim i dytë. Por, deklarata fillestare është rimarrë nga Agjencia Telegrafike Shqiptare, e cila ka përgatitur informacionet për takimin e 12 gusht edhe në gjuhën angleze. Kaq ka mjaftuar që i njëjti informacion të sjellë reaksione edhe në Beograd. Mediat e serbe e pohojnë se burimi i tensionit mes dy vendeve të rajonit ka shërbyer një informacion i emetuar nga agjencia shtetërore e lajmeve “ATSH”. Madje, “B92”, në lajmin e datës 16 gusht, citon një informacion të ATSH-së, ku kryeministri Berisha ka thënë se bashkimi kombëtar i shqiptarëve duhet të jetë një ide kyçe në politikat e Shqipërisë dhe Kosovës. Madje, agjencia vijon edhe më tej kur thotë se “nuk ekzistojnë dogana midis këtyre dy vendeve”. Duke iu referuar Agjencisë Telegrafike Shqiptare, “B92” vijon më tej: “Ideja e bashkimit të kombit është e mbështetur mbi idealet europiane, të cilat kërkojnë shumë punë. Ja pse kryeministri Thaçi dhe unë po punojmë për të shmangur pengesat që po ndalojnë shqiptarët për të ndjerë bashkimin si një territor i tërë në të cilin jetojnë”.

20 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›