E Diel, 1 Nëntor 2026

Tensionet në Maqedoni, pas Menduh Thaçit në zyrën e Berishës vjen Ali Ahmeti



Vetëm pak ditë pasi kryeministri Berisha ka pritur në zyrën e tij kreun e Partisë Demokratike të shqiptarëve të Maqedonisë, Menduh Thaçi, dje ka takuar kundërshtarin e tij politik, zotin Ali Ahmeti, i cili drejton Partinë Bashkimi Demokratik për Integrim. Këto dy takime janë zhvilluar menjëherë pas tensioneve që kanë shoqëruar jetën politike dhe publike të Maqedonisë, pas bojkotit të Parlamentit maqedonas nga PDSH-ja dhe akteve të dhunës ndaj shqiptarëve në një lagje të Shkupit. Duke iu referuar burimeve zyrtare, thuhet se “kryeministri Berisha priti në një takim kryetarin e Bashkimit Demokratik për Integrim, zotin Ali Ahmeti. Biseda u përqendrua në marrëdhëniet shumë të mira midis dy vendeve, ku u vlerësua në mënyrë të veçantë fryma e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët midis Maqedonisë dhe Shqipërisë. Kryeministri Berisha vlerësoi kontributin e zotit Ali Ahmeti dhe të BDI-së në zhvillimet e brendshme në Maqedoni”, - thotë njoftimi zyrtar i qeverisë. Sipas tij, kryetari i BDI-së, zoti Ali Ahmeti, e uroi kryeministrin Berisha për fitoren në zgjedhjet parlamentare dhe i transmetoi atij urimet edhe të Grupit Parlamentar dhe ministrave të BDI-së. Në qendër të bisedimeve kanë qenë zhvillimet ekonomike, projektet e infrastrukturës, dhe veçanërisht Rruga e Arbrit dhe nxitja dhe zhvillimi i turizmit.
Por, takimi i kreut të BDI-së, zotit Ali Ahmeti, vjen menjëherë pas bojkotit të Kuvendit të Maqedonisë nga PDSH-ja e zotit Menduh Thaçi. Ky i fundit ka akuzuar zotin Ahmeti dhe partinë e tij për shitje të interesave të shqiptarëve dhe moszbatimin e Marrëveshjes së Ohrit. Pak ditë më parë, Menduh Thaçi ishte në Tiranë dhe pasi u kthye në Maqedoni pohoi në media se i ka kërkuar kryeministrit Berisha që të vërë veton për integrimin e Maqedonisë në NATO nëse nuk zbaton Marrëveshjen e Ohrit dhe të drejtat e shqiptarëve etnikë. Në të njëjtën kohë, Thaçi lajmëroi edhe bojkotin e punimeve të Parlamentit të Maqedonisë pasi pretendon se nuk respektohen të drejtat e shqiptarëve nga qeveria dhe shteti maqedonas. Ky vendim është kundërshtuar nga komuniteti ndërkombëtar, e veçanërisht nga përfaqësuesit diplomatik të Uashingtonit dhe Brukselit në Shkup.

20 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›