E Shtunë, 31 Tetor 2026

REFORMA NË DREJTËSI, SFIDË NDAJ KORRUPSIONIT



Pas 18 vitesh reforme në drejtësi, ende nuk mund të thuhet se pushteti gjyqësor është strukturuar në mënyrë efikase për të kryer detyrën e tij kushtetuese, pra tranzicioni nuk ka përfunduar edhé në sistemin e drejtësisë.

Presioni për mosndërhyrje në gjyqësor nuk duhet të stepë përpjekjet për reforma. Të mos ngatërrohet reformimi i sistemit me ndërhyrje në pushtetin gjyqësor. Përgjegjëse për reformimin e sistemit gjyqësor dhe ndryshimeve ligjore në frymë kushtetuese është politika. Ngritja e alarmeve të paqena për ndërhyrje mbart rrezikun e vegjetimit të korrupsionit e paaftësisë.

Problemi themelor sot është korrupsioni. Për këtë çështje kam folur në shkrimin me titull "Pavarësia e gjykatave, foshnje që duan ta mbytin në djep", botuar tek “E Djathta Kombëtare” dhe “Nositi” në qershor 1995, ku midis të tjerave është theksuar: “Një nga shqetësimet më të mëdha në organet e drejtësisë sot është korrupsioni brenda tyre;... kushdo që ka punë në organet e drejtësisë, qoftë dhe kur ka plotësisht të drejtë, të mos i shkojë në mendje se do të fitojë të drejtën pa paguar gjëkundi. Në këtë kuptim, sot ka humbur plotësisht në opinion besimi ndaj organeve të drejtësisë;... por defektet e sotme për sa u përket këtyre garancive nuk mund të justifikojnë askënd që shet dinjitetin, profesionin, ligjin dhe të drejtën për para, kur atij i është besuar detyra e lartë dhe e nderuar e gjyqtarit dhe që i kthen gjykatat e organet e drejtësisë apo organe të tjera shtetërore, në skuta të tregut të zi”.

Në atë kohë ishin disa probleme që i rëndonin drejtësisë, si pavarësia, mentaliteti e praktikat e regjimit totalitar, paaftësia, mosrespektimi i kritereve në emërimin e gjyqtarëve e garancive ligjore e procedurale, klientelizmi dhe korrupsioni.

Mbas 14 vitesh konstatohet qartë se perceptimi i publikut dhe monitorëve të ndryshëm për korrupsionin në drejtësi është i lartë dhe nuk ka pasur ndryshim pozitiv. Edhe pse perceptime të tilla lëvizin ngadalë, në tërësi besohet se ky perceptim është i drejtë.

Duhet pranuar se është bërë dhe po bëhet shumë punë në fushën e përmirësimit të legjislacionit dhe organizimit të drejtësisë, por kjo nuk ka shkuar paralel me efikasitetin e funksionimit të sistemit dhe me perceptimin e nivelit të korrupsionit në drejtësi.

Jashtë interesave partiake reforma në drejtësi duhet të vazhdojë me ritme të shpejta, pa krijuar pengesa apo debate artificiale që nuk kanë të bëjnë me thelbin e çështjes.

Mendoj se reformat në organizimin e drejtësisë dhe vënia e drejtësisë në shërbim të së drejtës janë sa të lidhura me njëra-tjetrën, aq edhe me përpjekjet për ta bërë të vështirë blerjen e të drejtës apo shërbimit dhe dyshimin e gjendjes së korrupsionit në këtë sistem.

Që dhënia e drejtësisë të jetë e suksesshme, duhen struktura të nevojshme e kompetente në të gjitha organet e agjencitë në fushën e zbatimit të ligjit për t’i bërë ato të afta për të kryer detyrimet e tyre ligjore. Pa e zgjeruar kaq çështjen, në këtë rast do të japim disa mendime në fushën e organizimit të drejtësisë.

Së pari, krijimi i Rretheve Gjyqësore pavarësisht se është parë si një zhvillim pozitiv, ka lënë boshllëk në rrethet e qytetet ku u suprimuan gjykatat e rretheve. Kjo ka shtuar sorollatjen e qytetarëve për shërbimet më të vogla të tyre të cilat pa kosto mund të zgjidhen ku ata kanë qendrën e tyre administrative. Nisur nga parimi se drejtësia dhe gjykatat duhet jo vetëm të jenë në shërbim të qytetarit, por dhe të jenë afër tij, është vetë thelbi i qëllimit të tyre. ǒkuptim ka që për një dëshmi trashëgimie, kundravajtje apo për çdo çështje sado të thjeshtë shumë qytetarëve u bie të udhëtojnë me dhjetëra kilometra për të shkuar atje ku është Gjykata e Rrethit Gjyqësor, si p.sh. Kolonja, Bilishti në Korçë, po ashtu Librazhdi e Gramshi në Elbasan, Përmeti e Tepelena në Gjirokastër, po kështu Bulqiza, Skrapari, Mirdita etj. Sorollatjet dhe vështirësitë e panevojshme të krijuara që në mënyrën e organizmit, pra që në ligj, janë burimi i parë i ushqimit të mentalitetit korruptiv.

Një qytetar i lodhur nga vërdallosjet e mundimshme e të panevojshme nga zyrtarë të korruptuar apo praktika burokratike nuk mund t’i bëjë rezistencë asnjë mendjeje korruptive, nga ana tjetër krijon te këta të fundit psikologjinë e ujkut që jargavitet kur sheh delen.

Kështu, lind nevoja e krijimit të gjykatave të nënprefekturave, të cilat do të krijohen në çdo nënprefekturë dhe do të zgjidhin me procedurë të qartë e të shpejtë çështje të thjeshta në fushën civile e penale, si çështje të dhënies të akteve të trashëgimisë, të kujdestarisë për persona të paaftë, të deklarimit të heqjes dorë nga trashëgimia, të vërtetimit të fakteve gjyqësore, pra në tërësi, të çështjeve pa palë dhe çështje të thjeshta me palë, gjykimet për kundravajtjet penale si dhe të çështjeve që ndiqen me ankimin e të dëmtuarit apo dhe çështjet që zgjidhen me pajtim, zgjidhje martese etj. Kompetenca lëndore lë të shihet sipas nevojave, ndaj po japim idenë e cila mund të zgjerohet duke balancuar zgjidhjen e drejtë të çështjes me nevojën e qytetarit për të pasur sa më afër dhe me sa më pak shpenzime mundësinë e zgjidhjes së saj.

Kjo do të sillte këto avantazhe: Zgjidhje e të drejtës së qytetarit sa më afër tij dhe me sa më pak kosto; zgjidhjen e shpejtë të çështjes, rritjen e përgjegjësisë në gjykimin e çështjes, vendosja e procedurave të shpejtuara për një sërë nga këto çështje dhe ulja e kostos të gjykimit, dhënia e ndihmës juridike për qytetarët që nuk kanë mundësi ekonomike, rritja e mundësisë së kontrollit të punës së gjyqtarëve, të vlerësimit të saj si dhe përmirësimi i sistemit të karrierës.

Nga ana tjetër, do të eliminonte krijimin e ngarkesës fiktive, e cila ndodh sot në rrethet gjyqësore ku në ngarkesën e punës llogariten dhe këto çështje të cilat në shumë gjykata zënë gjysmën e ngarkesës. Kërkesa të thjeshta gjykohen sipas procedurave të përcaktuara aktualisht në K. Pr. Civile apo Penale, ndërkohë që për shumë çështje, si dhënia e dëshmisë së trashëgimisë dhe çështje të cilat mund të ankimohen në çdo kohë, mund të zgjidhen duke ndryshuar ligjin procedural i cili duhet të përcaktojë në këtë rast procedurë të përshpejtuar në shqyrtimin e kërkesës dhe marrjen e vendimit brenda një afati të shkurtër. P.sh. për një akt trashëgimie qytetarët sorollaten me muaj, kur një çështje e tillë mund të zgjidhet brenda një jave dhe qytetari të marrë menjëherë vendimin nëse ka paraqitur dokumentacionin e kërkuar nga ligji, pasi çështje të tilla mund të kundërshtohen në çdo kohë.

Gjykatat e nënprefekturave nuk kanë nevojë të jenë me organika të fryra dhe me pak shpenzime zgjidhen drejt dhe në kohë shumica e problemeve për të cilat qytetarët vuajnë aq shumë dhe plaçkiten nga ata që u kanë detyrim t’u shërbejnë e t’u japin të drejtën. Ato duhet të gjykojnë me një gjyqtar dhe vendimet e tyre mund të ankimohen në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor më të afërt e cila në këtë rast mund të funksionojë si gjykatë apeli ose për çështje të caktuara direkt në Gjykatën e Apelit dhe pas kësaj, vendimi merr formë të prerë. Kështu do të ulej dhe ngarkesa në Gjykatën e Apelit.

Duke marrë parasysh procedurën e emërimit të gjyqtarëve të paqit në Itali (giudice di pace), gjyqtarët e nënprefekturave mund të emërohen nga ministri i Drejtësisë sipas kërkesave ligjore dhe procedurat disiplinore të jenë kompetencë e KLD-së ose si do të shihej më e arsyeshme. Ky organizim i përshtatet ndarjes së sotme administrative dhe traditës së organizimit gjyqësor në Shqipëri nga viti 1923 e këtej si bashkim i eksperiencës së gjykatave të nenprefekturave dhe gjykatave të paqit.

Me dekret-ligjën nr. 37 datë 2 maj 1925 «Për organizimin e gjykatave të drejtësisë», gjykatat e nënprefekturave kanë funksionuar si gjykata të shkallës së parë në çdo nënprefekturë, edhe pse dendësia e banorëve ishte disa herë më e vogël dhe gama e çështjeve dhe konflikteve po ashtu.

Së dyti, edhe gjykatat e rretheve gjyqësore duhet të gjykojnë me një gjyqtar. Gjykimi i disa çështjeve penale e civile me tre gjyqtarë nuk ka sjellë ndonjë rezultat kundër korrupsionit, sikundër u shpresua, veçse ka rritur çmimin për të mbrojtur korrupsionin nga inflacioni. Në shumicën e rasteve dy gjyqtarët e tjerë janë si nd/gjyqtarët para disa viteve dhe në raste të shitjes të së drejtës pazari ndahet në tresh. Kështu nuk mund të individualizohet përgjegjësia dhe nuk është parë veç të tjerave ndonjë efekt në rritjen e cilësisë në gjykim, përveçse ka rritur vështirësitë për zgjidhjen e çështjes në afat, pasi duhet të merren vesh të tre gjyqtarët, bashkë me prokurorin e avokatin, për të caktuar një datë gjyqi çka zvarrit çështjen, dëmton dhënien e drejtësisë dhe ndikon në frymën kolektive korruptuese. Gjykimi i çështjeve me një gjyqtar do të mundësojë dhe vlerësimin më thjesht dhe më mirë të punës së tyre dhe përderisa tashmë funksionon Gjykata e Krimeve të Renda dhe në Apel gjykohet me turp gjykues, gjykimi me tre gjyqtarë në shkallë të parë nuk justifikohet as nga kompetenca lëndore.

Nisur nga parimi që shtjelluam më lart, se organizimi i sistemit në favor të shërbimit ndaj të drejtës së qytetarit edhe përcaktimi i qartë i rregullave procedurale janë mjete që pengojnë ose nuk i lënë terren korrupsionit. Mbetet shumë për t’u bërë që sistemi të jetë sa më efikas.

Së treti, është evidente që ngarkesa e gjykimit në Gjykatën e Lartë është e madhe dhe pritet me muaj e muaj për të përfunduar një gjykim. Kështu lind nevoja e krijimit të Gjykatës së Përgjithshme të Apelit, e cila do të gjykojë në shkallë të dytë të gjitha çështjet e rëndësishme si p.sh., një pjesë nga ato që sot gjykohen me tre gjyqtarë në shkallë të parë si për padi me vlera të mëdha, ashtu dhe për një pjesë të mirë të figurave të krimeve të cilat nuk janë në kompetencë të Gjykatës së Krimeve të Renda, do të kishte kompetencat e Gjykatës së Kasacionit për të gjitha çështjet në kompetencë të gjykatave të nënprefekturave, si dhe do të kishte kompetencë apelimi për çështje për të cilat është mbajtur qëndrim i ndryshëm në praktikën gjyqësore në gjykata të shkallës së parë apo dhe çështje për të cilat gjykatat e apelit në zona nuk krijojnë dot trupa gjykuese. Kjo do të ndihmonte në përfundimin e çështjeve në afat të arsyeshëm, në rritjen e cilësisë të gjykimit, rritjen e kontrollit në dhënien e drejtësisë nga gjykatat më të ulëta, unifikimin e praktikave gjyqësore për çështje të përgjithshme për të cilat kjo gjykatë do të jetë shkallë e fundit. Gjykatat e Apelit me këtë rast mund të jenë zonale, pra më pak se janë sot dhe normalisht me ngushtim të kompetencave të tyre lëndore.

Tjetër çështje që mund të ndihmonte në administrimin më të mirë të pushtetit gjyqësor është dhe ndryshimi i Kushtetutës për sa i përket përbërjes së KLD-së. Nga viti 2002 e këtej, është bërë shumë për funksionimin normal të KLD-së, arritje të përmendura dhe në botimin «Këshilli i Lartë i Drejtësisë».

Çështja diskutohet për zgjedhjen e 9 anëtarëve të saj nga Konferenca Gjyqësore Kombëtare, sipas nenit 147 të Kushtetutës, pra shumica e tyre. Është pranuar në këtë mënyrë për të theksuar pavarësinë e gjykatave.

Pavarësia nuk sigurohet thjesht nga fakti nëse në përbërje të KLD-së shumica janë gjyqtarë, por sigurohet nga garancitë kushtetuese e ligjore për të mbrojtur pavarësinë, kur ajo shkelet ose cenohet, të cilat sot jo vetëm janë sanksionuar, por dhe aplikuar, si në rastet e shpalljeve si antikushtetuese të ligjeve apo dispozitave ligjore, ashtu dhe në ankimet individuale të gjyqtareve gjatë procedimeve disiplinore. Veç anëtarëve të percaktuar në përbërje të KLD-së ex officio, mund të zgjidheshin nga konferenca gjyqësore 3 ose 5 anëtarë të tij, pra, jo shumica e tyre, dhe pjesa tjetër të zgjidhej nga Kuvendi ndër personalitetet e shquara në fushën e drejtësisë.

Konferenca Gjyqësore deri tani është marrë seriozisht, por jo në nivelin e kërkuar, vetëm me këtë çështje dhe nuk ka realizuar, si konstatoi me të drejtë dhe shefi i Zyrës së OSBE-së në Tiranë, z. Bosh, detyrat e tjera natyrale të saj. Kjo nuk do të cenonte pavarësinë e sistemit gjyqësor, por do të krijonte një KLD më funksional dhe më përgjegjës për funksionimin normal të sistemit, duke mos lejuar që interesi i ngushtë i llojit të përdorë këtë institucion si sindikatë apo të lejojë vegjetimin e sistemit.

Krijimi i Shkollës së Magjistraturës ishte një përpjekje jo vetëm për të ngritur nivelin e kualifikimit të juristëve, por dhe për të stimuluar me mjete ligjore pjesëmarrjen e brezit të ri në sistemin e drejtësie. Nga koha e Presidentit Meidani e deri më sot është ndjekur nga KLD-ja politika e emërimit të gjyqtareve vetëm nga Shkolla e Magjistraturës. Sa i përket çështjes së perceptimit nga publiku mbi korrupsionin në drejtësi, magjistratët e rinj nuk kanë sjellë ndonjë të re. Sot, midis të tjerave, është në kritikë cilësia e universiteteve dhe ky defekt i këtyre viteve të tranzicionit nuk kishte pse të mos prekte dhe Shkollën e Magjistraturës. Në pamje tjetër, kjo tendencë nuk lejon konkurrencën, e Ben të mbyllur sistemin e drejtësisë ndaj saj.

Vihet re hapur ne ligjin «Për organizimin e pushtetit gjyqësor" dhe "Për organizimin e funksionimin e prokurorisë" se sistemi i drejtësisë është i mbyllur ndaj profesioneve të lira dhe juristëve të quajtur «jashtë sistemit» dhe hap portat vetëm në një drejtim, duke qarkulluar në të njëjtin ujë. Kjo mund të jetë kaluar pa vëmendje nga ligjvënësit, por jo nga klanet nepotike në drejtësi. Është bërë ndarja e karrierave (separacione di carriera) nga grupe të caktuara të cilat duan ta kenë drejtësinë si arën e tyre. Nëse avokatët dhe juristët me eksperiencë përjashtohen nga konkurrimi, kjo nuk ndodh thjesht nga koncepti i paragjykimit të profesioneve të lira. Nëse aplikohet ndarja e karrierave, atëherë dhe gjyqtarët nuk duhet të punojnë si avokatë, noterë etj.

Në drejtësi, ashtu si dhe në mjekësi, veç rëndësisë që ka kualifikimi universitar veçohen si parësore aftësia, eksperienca, integriteti moral e profesional të cilat nuk mund të afirmohen në shkollë e aq më tepër me këtë nivel shkollash, por në ushtrimin e profesionit.

Kësaj nuk i shmanget ligji kur bën fjalë për kriteret e emërimit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe të Gjykatës Kushtetuese. Vlerësimi i përvojës profesionale në traditë dhe sot është kriteri bazë i karrierës në drejtësi. Të ecësh në udhën e traditës së mirë dhe eksperiencës pozitive ligjore e profesionale është natyrale; të eksperimentosh nën petkun e «mentalitetit të ri» apo «brezit të ri», do të thotë të mos dish ku do të shkosh.

Nëse prokuroria e gjykatat do të ishin të hapura ndaj konkurrencës, kjo do t’i jepte frymëmarrje vetë sistemit, atë frymëmarrje që jep konkurrenca, eksperienca dhe integriteti. Nuk janë profesionet e lira shkaku i problemeve në drejtësi sot, përkundrazi, ato diskriminohen gjatë proceseve gjyqësore. Të thuash se problemet vijnë nga profesionet e lira është njësoj si të thuash se fajtorë për abuzimet në drejtësi janë qytetarët. Sindromi i furnizimit me gjak të ri mënjanon shumë kritere të tjera dhe është trashëgim i situatave revolucionare. Kjo nuk kërkon të mohojë arritjet në këtë shkollë, por është e nevojshme hapja e sistemit ndaj konkurrencës dhe balancimi i kërkesave për kualifikimin me përvojën profesionale.

Edhe kur sistemi funksionon normalisht, ndihet nevoja e përmirësimit të tij, ndërsa kur shihet se sistemi nuk funksionon normalisht, nevoja e përmirësimit të tij është urgjente.

Dhamë disa ide e mendime për përmirësimin e sistemit të drejtësisë bazuar në traditën shqiptare në fushën e organizimit të drejtësisë nga viti 1923 e deri më sot, si dhe nga eksperienca personale gjatë periudhës që kam punuar avokat.

Kaq mund të lejojë një shkrim. Nëse do të kuptohet nga politika dhe aktorët përgjegjës në tërësi nevoja e përmirësimit të funksionimit të sistemit gjyqësor, këto ide dhe të tjera do të duhet të diskutoheshin pa nxitim, por dhe pa zvarritje.

Është koha për përmirësime në riorganizimin e pushtetit gjyqësor dhe kodet e procedurave civile e penale, për përmirësimin e legjislacionit në tërësi si dhe zbatimit të tij nga organet përgjegjëse.

Besnik Çollaku

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›