Qeveria, akademikë mbi 70-vjç, vetëm ata që kanë kontribute
Tërhiqet qeveria, në një pjesë të draftit për Akademinë. Qëndrojnë anëtarë të përhershëm të Akademisë vetëm njerëzit me kontribute
TIRANË- Qeveria duket se është tërhequr nga drafti i saj për reformimin e Akademisë së Shkencave. Por, sërish kjo tërheqje është e pjesshme, duke qenë se po merren parasysh vetëm pak prej vërejtjeve që kanë bërë akademikët për këtë draft. Pas kundërshtimeve të akademikëve, se me vendosjen e moshës 70-vjeç si moshë kur përfundon anëtarësia në Akademinë e Shkencave mbeten jashtë Akademisë figura të njohura, si Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Shaban Demiraj, etj., duket se ka një reflektim të qeverisë. Kjo pasi, ekzekutivi ka propozuar së fundmi që, drafti i reformimit të Akademisë së Shkencave të ndryshohet dhe të shtohet përcaktimi i anëtarëve të përjetshëm të saj. Në këtë mënyrë, nuk do të mbeten jashtë Akademisë së Shkencave ata akademikë që kanë kaluar moshën 70-vjeç dhe që kanë dhënë jo pak kontribute për vendin. Kjo është pranuar dje nga vetë kryeministri Sali Berisha gjatë mbledhjes së djeshme të grupit parlamentar të PD-së, kur ai bëri me dije ndryshimet përkatëse që do të pësojë drafti i hartuar nga qeveria. "Pas konsultimeve të bëra, ky ligj do të ketë një modifikim. Shumica e vendeve kanë të përcaktuar moshën si kriter për akademikët, por krahas kësaj, është e domosdoshme që të ketë edhe akademikë të përhershëm. Të tillë do të jenë njerëzit me kontribute të mëdha",- është shprehur dje Berisha para deputetëve demokratë. Në vijim të fjalës së tij, kreu i ekzekutivit sqaroi se, titulli akademik nuk i hiqet askujt dhe trajtimi do të jetë pas asnjë ndryshim, përsa i përket shpërblimit. "Dua të qartësoj se askujt nuk i hiqet titulli "Akademik" dhe trajtimi është identik, pa asnjë ndryshim, përsa i përket shpërblimit. Mendoj se ky ligj nuk ka ndonjë komplikim. Ai finalizon reformën në mënyrë përfundimtare dhe me vendosjen e akademikëve të përhershëm i jep zgjidhje edhe problemeve të lindura",- theksoi më tej Berisha. Gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura të grupit parlamentar, kryeministri Berisha ka thënë për deputetët demokratë se, duhet të gjendet një pikë e përbashkët me qeverisë dhe akademikëve përsa i përket reformës. Në këtë kuptim, sipas tij, vendosja e akademikëve të përhershëm e zbut disi situatën. Në fakt asnjë prej deputetëve të grupit të PD-së nuk sqaroi dje se, cilat do të ishin kriteret që do të përcaktonin kontributet e atyre që ishin mbi 70-vjeç. I vetmi arsyetim qe ata jepnin ishte se kjo do te përcaktohet pas reformimit të Akademisë. Drafti për Akademinë e Shkencave, së bashku me ndryshimin e fundit të propozuar nga mazhoranca, do të shqyrtohet sot në Komisionin parlamentar të Medias. Kjo konfirmohet edhe nga vetë kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, i cili është njëherësh edhe anëtar i Komisionit të Medias.
"Nëse nisemi pikërisht nga ky referim i bie qe figura të njohura, si Ismail Kadare, Shaban Demiraj apo Dritero Agolli do të vazhdojnë të qëndrojnë anëtarë të Akademisë, edhe pse në fakt asnjë prej deputetëve të grupit të PD-së nuk sqaroi dje se, kush dhe cilat do të ishin kriteret që do të përcaktonin kontributet e atyre që ishin mbi 70-vjeç".
Pas miratimit të draftit të ri, qeveria do të nxjerrë vendimin për shpërblimin mujor të akademikëve
Shpërblimi, akademikët 45 mijë lekë në muaj
TIRANË- Qeveria ka bërë gati prej kohësh vendimin për shpërblimin e akademikëve. I hartuar që në muajin prill të këtij viti, në vendim përcaktohet një shpërblim prej 45 mijë lekësh të reja në muaj, për titullin "Akademik". Kjo konfirmohet për "Shekullin" nga burime brenda qeverisë, sipas të cilave, përveç pagës, për titullin akademik Këshilli i Ministrave do të japë një shpërblim prej 450 mijë lekë të vjetra në muaj. Vendimi për dhënien e shpërblimit është pranuar dje edhe nga vetë kryeministri Sali Berisha, sipas të cilit, me anë të tij qeveria merr përsipër të shpërblejë përjetësisht titullin "Akademik", pavarësisht nga vendi që kanë akademikët në Akademinë e Shkencave. "Qeveria ka bërë një vendim në muajin prill, në të cilin ajo merr përsipër të shpërblejë përjetësisht titullin "Akademik", pavarësisht nëse ata janë Akademikë Nderi apo Akademikë në funksion, apo të përhershëm",- është shprehur Berisha. Por, pavarësisht se është përcaktuar masa e shpërblimit, nuk dihet nëse kjo do të jetë e njëjtë për të gjithë akademikët. Gjithsesi, Kryeministri ka pohuar dje gjatë mbledhjes së grupit parlamentar se, përveç Kryetarit të Akademisë, Sekretarit të Përgjithshëm apo ndonjë funksioni tjetër, të cilët janë njerëz që trajtohet edhe me pagë, gjithë të tjerë do të trajtohen njësoj, pa asnjë përjashtim. "Natyrisht, në formën aktuale të organizimit në Akademi do të ketë njerëz me rrogë, si Kryetari i Akademisë, Sekretari i Përgjithshëm dhe ndonjë funksion që do ta gjykojë vetë Asambleja. Ndërsa të tjerët, pa përjashtim, do të kenë të njëjtin trajtim",- ka sqaruar kreu i qeverisë. Vendimi i qeverisë për të shpërblyer titullin akademik është njoftuar më parë edhe nga Këshilltari i Kryeministrit për Arsimin, Myqerem Tafaj, gjatë një seance dëgjimore të zhvilluar në Komisionin parlamentar të Medias për reformimin e Akademisë së Shkencave. Tafaj bëri me dije se, qeveria ishte gati ta kalonte për miratim vendimin për shpërblimin, por një gjë e tillë nuk u bë e mundur për shkak se Gjykata Kushtetuese pezulloi dy nene të ligjit.
"Për titullin Akademik, Këshilli i Ministrave do të japë një shpërblim prej 450 mijë lekë të vjetra në muaj".