Shpërblimi për pensionistet, 30 mln lekë
Kuvendi pritet të miratoje dekretin që përcakton masën e shpërblimit
TIRANË- Qeveria është duke bërë gati shpërblimin prej 50 mijë lekësh të vjetra, për çdo pensionist, me rastin e festave të fundvitit. Shifra totale prej rreth 30 milionë dollarësh pritet të kalojë shumë shpejt nga qeveria në Kuvend, në formën e një dekreti. Këtë e ka bërë me dije vetë kryeministri Sali Berisha, i cili e argumentoi marrjen e vendimit në formën e një dekreti, në mënyrë që të operohet sa më shpejt dhe që Instituti i Sigurimeve Shoqërore të marrë masat që shpërblimi për pensionistët të jepet sa më shpejt që të jetë e mundur. "Këtë vendim qeveria do ta sjellë si dekret tek ju dhe shpresojmë që të miratohet sa më shpejtë. Do të operohet me dekret, për faktin se ai duhet të hyjë menjëherë në fuqi, para votimit, në mënyrë që Instituti i Sigurimeve Shoqërore të ndërmarrë të gjitha masat për dhënien sa më shpejt të kësaj shume",- tha Berisha, ndërsa ka shprehur falënderimet e tij për ministrin e Financave, Ritvan Bode, për përkushtimin e madh që ka treguar për t'u mundësuar pensionistëve kartolinën prej 50 mijë lekësh të reja, edhe pse në fakt ky e fundit e kundërshtoi jo pak në mbledhjen e kaluar të grupit parlamentar. Sipas Kryeministrit, vendimi për shpërblimin e pensionistëve, i cili në total arrin në shifrën e 30 milionë dollarëve, ka në vëmendjen e tij dy gjëra kryesore. "E para, festat e fundvitit nuk mund të bëheshin pa një shpërblim për ta. E dyta, në këtë mënyrë iu dha përgjigjja më e merituar inflacionit. Kjo gjë mbi-indekson pensionet dhe me këtë shpërblim tejkalohet qartësisht niveli i inflacionit. Ky është një lehtësim shumë i madh për ne",- u shpreh më tej kreu i ekzekutivit, ndërsa theksoi se, shpërblimi i punonjësve të administratës është i përcaktuar në fondin e pagave dhe ajo shpërndahet nga të gjitha institucionet, sipas përcaktimit që ka.