Shkëmbi: Partizani bën llogaritë e veta
Me fitoren 2-1 ndaj krutanëve, Partizani hapi javën e 15-të dhe priste me qetësi zhvillimet e kundërshtarëve pretendentë. Vëmendja e të kuqve ishte përqendruar kryesisht te takimi Dinamo-Teuta. Pjesa më e madhe e skuadrës së Partizanit u ndodh të shtunën në shkallët e stadiumit "Selman Stërmasi" dhe misioni i tyre ishte për të vëzhguar kundërshtaren e radhës, Teutën. Meqenëse të kuqtë kishin mundur me vështirësi Kastriotin, shpresonin tek ndonjë surprizë e durrsakëve, në mënyrë që Partizani të mbetej në vend të parë. Dëshira e të kuqve gati sa nuk u realizua, por gjithsesi ata shpresojnë te forcat e tyre. I këtij mendimi ishte edhe fantazisti i Partizanit, Bledi Shkëmbi, i cili sezonin e kaluar ishte pjesë e skuadrës durrsake. "Ditën e premte kemi kaluarnjë provë, e cila nuk ishte e lehtë për ne, megjithatë e rëndësishme është se në fund Partizani arriti të merrte tripikëshin e kërkuar. Në pamje të parë dukej se gjithçka do të kalonte lehtë, por përballja me Kastriotin tregoi se skuadrat e kampionatit tonë nuk kanë shumë disnivele me njëra-tjetrën. Mendoj se fitorja me krutanët ishte e merituar për ne, pasi ishim superiorë, por vazhdojmë të shpërdorojmë shumë raste për shënim. Ishim përgatitur për fitore, të cilën e arritëm me shumë mundim, prandaj skuadra duhet që edhe në javët në vazhdim të ecë me hapin e fillimit të sezonit. Besoj se po vazhduam kështu, e ardhmja e Partizanit është e sigurt, por duhet t'i bëjmë sytë katër, pasi sot nuk ka skuadra të vogla. Këtë nuk e bazoj vetëm te takimi Partizani-Kastrioti, por edhe Dinamo-Teuta. Durrsakët, po të ishin pak më të kujdesshëm, nuk do të dilnin pa pikë nga Tirana. Nëse do të ndodhte kjo, do të ishte mirë edhe për Partizanin. Megjithatë, ne i bëjmë llogaritë duke u bazuar në forcat tona,"- ka deklaruar Shkëmbi. Kësaj jave korçari duhet të përballet me ish-skuadrën e tij, Teutën, por Shkëmbi vazhdon t'i mëshojë qëndrimit se një lojtar profesionist nuk shikon të kaluarën, por të tashmen. Këtë gjë ishmesfushori i kombëtares e pohoi edhe para takimit të fazës së parë me Teutën, ku deklaroi se në fushën e lojës do të tregojë profesionalizmin e tij. Dhe në atë takim korçari e mbajti fjalën, pasi shënoi edhe gol. Të njëjtën gjë pritet që Shkëmbi ta demonstrojë edhe në përballjen e fazës së dytë. Prej javësh, korçari ndodhet në formaciformacionin bazë dhe kjo gjë tregon se po rikthehet Shkëmbi i vërtetë. "Faza e dytë më ka sjellë më shumë fat, pasi i kam kaluar vështirësitë e fillimit dhe shpresoj se me kalimin e javëve forma ime do të rritet më shumë. Nuk besoj vetëm tek përmirësimi im, por edhe tek perfeksionimi i lojës së Partizanit. Skuadra po kryen lojëra të mira, por duhet të jemi më konkretë, pasi gabojmë shumë në fazën finalizuese. Megjithëse nxitohemi shumë, përsëri Partizani është ekipi që ka shënuar më shumë, fakt i cili tregon se skuadra ka forcë goditëse. Është mirë që skuadra t'i mbyllë me sukses edhe dy takimet e këtij viti. Besoj se Partizani do t'i fitojë edhe gjashtë pikët e mbetura të 2007-ës"- ka përfunduar bisedën e tij mesfushori korçar i të kuqve, Bledi Shkëmbi.