E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkumbini, humbje skandaloze për Josën

Shkumbini, në ndeshjen përmbyllëse të javës së 15-të, ka bërë surprizën, duke fituar me rezultatin e thellë 4 0 me Vllaznisë. Një fitore me shumë gola, por e merituar, që nuk u vu për asnjë moment në dyshim. Asnjëherë Vllaznia nuk është prezantuar si dje në Peqin, duke zhgënjyer me atë që paraqiti në fushën e lojës. Për hir të së vërtetës, duhet pranuar se rezultati duhej dhe mund të kishte qenë më i thellë nisur nga rastet e shumta që shpërdoroi ekipi vendës përballë një Vllaznie që ishte hija e vetvetes. Për Shkumbinin, ka qenë një fitore që e ka ngrohur jo pak atmosferën e ftohtë të motit, e shoqëruar me dekorin e bardhë të borës së rënë një natë më parë. Për Shkumbinin, që gjithsesi nuk e pati menduar më parë një fitore kaq të lehtë dhe të thellë përballë një ekipi me vlera e pretendime si Vllaznia, fitorja ishte plotësisht e merituar dhe e përgatitur gjatë gjithë javës nga stafi drejtues. Merita për këtë i takon presidentit Ismaili, i cili diti të krijojë klimën e duhur pas dy humbjeve të fundit, sidomos pas atyre që ndodhën pas ndeshjes së përfolur me Tiranën. Ashtu si në disa takime të tjera, por sidomos dje, Shkumbini tregoi se i ka mundësitë për t'u rreshtuar krah ekipeve më të mira të superiores. Çfarë pati të veçantë Shkumbini i djeshëm, i cili shënoi afërsisht gjysmën e golave të shënuar në 14 javët e mëparshme? Shkumbini i djeshëm, i drejtuar nga Magani, mbi të gjitha pati dëshirën dhe entuziazmin e duhur për të fituar dhe kjo u arrit. Ky motivim u pa mirë që në shkelmimin e topit të parë dhe për fat shumë shpejt do të vijë edhe goli i parë, ai i zhbllokimit, që i dha zemër e forcë ekipit. Më pas, për vendësit bëhet më e lehtë, ndërsa ndodh e kundërta me Vllazninë, që nuk arrin të organizohet dhe të vendosë ekuilibrat në fushë. Te Shkumbini u dalluan të gjithë për kontributin që dhanë, por dje pamë një rikthim të Stojkut në sulm, që diti ta bëjë mirë detyrën me dy golat e shënuar dhe nga ana tjetër Shkumbini konfirmoi Dervishin si një lojtar me aftësi e vlera te një sulmuesi të shpejtë, të rrezikshëm e ndëshkues të portave kundërshtare. Shkumbini dominoi në fushë përballë Vllaznisë, sepse arriti të kapte mesin e fushës, ku Qorri, Bizhyti dhe më pas Shenaj ishin tepër të saktë në veprimet e tyre, duke i dhënë mundësi Jakimovskit dhe Pashës të ndërmerrnin aksione nga krahët e sulmit, për t'u kthyer menjëherë pas në vendin e tyre. Një mbrojtje e pagabueshme me Dabullën, Xhyrën e Ndonin, që e bënë këtë repart të luante më e lirshme, duke menduar vazhdimisht për sulmin. Golat, përveç vlerës që kanë, duhet thënë se kanë vlera për ekipin për mënyrën se si janë realizuar, duke mos qenë të rastit, por të menduar mirë e si rrjedhim logjik i lojës, ku futbollistët vendës arrijnë deri në sakrificë, duke futur kokën aty ku nuk futet këmba.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›