E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria "fal" 197 ha tokë për fabrikë çimentoje

Fushë-Kruja kthehet në fusha çimentoje, qeveria firmos për dhënien e 197 ha pyje
Opozita kundërshtoi projektin, që pritet të sjellë një nivel tepër të lartë ndotjeje në këtë zonë
Qeveria ka miratuar gjatë ditës së djeshme, me forcën e kartonit, fabrikën e çimentos në Fushë-Krujë duke dhënë për këtë projekt edhe një fond prej 197 ha tokë në dispozicion të firmës. Kontrata për ndërtimin e fabrikës së çimentos ka marrë 62 vota pro dhe 23 vota kundër. Për këtë sasi toke të dhënë në dispozicion kompanisë "Gener 2" që do të ndërtojë këtë fabrikë, qeveria nuk ka parashikuar asnjë kosto në këtë kontratë. Madje projekti i dhënies së kësaj toke nuk është përfshirë as në skemën "Shqipëria 1 euro". Sipas deputetëve të opozitës, kjo fabrikë ka të parashikuar në kontratë që të ketë një prodhim prej 1 milionë ton çimento dhe një sasi prodhimi tullash prej 300 mijë m3 në vit. "Në këtë kontratë, që është sjellë për miratim në Kuvend, nuk është përcaktuar se çfarë teknologjie do të përdoret dhe se sa do të jetë niveli i ndotjes dhe ai i shkatërrimit në këtë zonë. Ky nivel ndotjeje bëhet edhe më shumë alarmant, në një kohë që kemi para për të firmosur kontratën dhe nuk kemi të dhënë asnjë detaj për teknologjinë që do të përdoret",- tha Braçe. Nga ana e tij, ministri i Mjedisit, Lufter Xhuveli ka bërë të ditur se teknologjia do të shikohet në momentin që do të merret leja e shfrytëzimit nga ana e kompanisë. Nga ana e deputetëve të opozitës është kërkuar sqarim se, pse kjo marrëveshje nuk kalon nëpërmjet ligjit të koncesioneve. "Kjo është fabrikë që ka nevojë për një leje minerare dhe projekti nuk mund të përfshihet në ligjin e koncesioneve",- tha ministri Ruli. Nga ana e tij, ministri i Mjedisit, Xhuveli ka sqaruar se e gjithë sipërfaqja e pyllit që do të shkatërrohet, do të zëvendësohet nga ana e kompanive duke mbjellë fidanë të rinj. Por deklarata e bërë nga Xhuveli është kundërshtuar nga ana e socialistëve, që kanë deklaruar se, "sipas qeverisë, firmave të çimentos u lind detyrimi që të mbjellin 1 milionë e 200 mijë fidanë për të katër marrëveshjet e lidhura me qeverinë". Një shifër e tillë, sipas opozitës, është thjesht demagogji, pasi ajo nuk ka për t'u realizuar në të vërtetë. Deputeti i LSI, Pëllumb Xhufi ka deklaruar se, "Shqipëria, me këto projekte të miratuara së fundmi nga ana e qeverisë, nuk do të ketë më male pas 99 vjetësh. Gjatë kësaj periudhe, këto male do të jenë bërë fusha çimentoje dhe Shqipëria nuk ka kuptim pa historinë e saj". Opozita ka deklaruar se e gjithë kjo është një aferë që po bëhet nga ana e Berishës pasi, sipas tyre, Kryeministri ka lidhje të ngushta me pronarin e kësaj firme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›