Tragjedia, qeveria miraton fondet për zhdëmtim
Këshilli i Ministrave kalon vendimin për zhdëmtimin e familjeve të prekura
TIRANË- Këshilli i Ministrave ka miratuar dje fondet që do të përdoren për të zhdëmtuar të gjithë ato familje që janë prekur nga tragjedia e Gërdecit. Projektvendimi përcakton se, fondi i akorduar nga qeveria për të zhdëmtuar është 1572 milionë lekë të reja; 150 milionë nga dhurimet e derdhura në llogaritë bankare të hapura për këtë qëllim; 800 milionë nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave dhe 622 milionë nga Fondi i Kontigjencës. Vendimi parashikon se, nëse dhurimet rezultojnë mbi vlerën e përcaktuar, atëherë ato do të rimbursojnë fondin e Kontigjencës. Përsa i përket financimit të dëmeve, në projektvendimin e miratuar dje nga qeveria thuhet se, ai do të bëhet vetëm në llogaritë bankare, të hapura në emër të përfituesve. Kështu, njësitë e qeverisjes vendore, në mbështetje të listave të miratuara nga qeveria, duhet të hartojnë listë pagesat përkatëse, ku listë pagesat përmbajnë: emrin, atësinë dhe mbiemrin e përfituesit, vlerën e dëmshpërblimit dhe referencat e llogarisë bankare. Më pas, njësitë e qeverisjes vendore depozitojnë në ministrinë e Financave listë pagesat zyrtarisht dhe në formë elektronike. Do të jetë ministria e Financave që, pas depozitimit të listë pagesave, urdhëron kryerjen e pagesës, nga llogaria e hapur për këtë qëllim në Bankën e Shqipërisë drejtpërdrejt në llogarinë bankare të përfituesve. Në fjalën e tij gjatë mbledhjes së qeverisë Kryeministri u shpreh se, fatura e mësipërme lidhet me zhdëmtimin e shtëpive të shkatërruara, shtëpive të dëmtuara në shkallë të ndryshme dhe bizneseve vetëm si ndërtesa, pasi do të ketë një tjetër përllogaritje për makineritë dhe bazën materiale të bizneseve.