Qeveria aprovoi planin e veprimit për liberalizim të vizave

Qeveria e Kosovës aprovoi Planin e veprimit për liberalizim të vizave, i cili ndërlidh kriteret nga Udhërrëfyesi për Liberalizim të Vizave, i publikuar me 14 qershor 2012, dhe Raportin e Progresit për Liberalizim të Vizave, të publikuar me 12 shkurt 2013.
Plani përmban veprime konkrete për përmbushjen e tyre dhe indikatorë matës, të cilët do të shfrytëzohen për të monitoruar zbatimin e kritereve dhe rekomandimeve. Gjithashtu në një njoftim për media thuhet se janë identifikuar në mënyrë të qartë dhe të hollësishme institucionet përgjegjëse dhe ato përkrahëse, afatet kohore, si dhe buxhetin shtesë për të zbatuar këto kritere dhe rekomandime.
Institucionet përgjegjëse dhe ato përkrahëse janë përgjegjëse për zbatimin e kritereve dhe rekomandimeve, në bashkëpunim të ngushtë mes vete dhe në koordinim me partnerët relevantë ndërkombëtarë që veprojnë në Kosovë, posaçërisht me Komisionin Evropian, Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, EULEX-in dhe me projektet përkrahëse.
Indikatorët e listuar do të zbatohen gjatë vitit 2013, të gjitha resurset e nevojshme njerëzore, teknike dhe financiare do të jenë në dispozicion për zbatimin e tyre, bazuar kjo në përkushtimin dhe vullnetin e plotë politik të Republikës së Kosovës për zbatimin e Udhërrëfyesit. /Indeksonline/