Qeveria as 1/3 e ligjeve të parapara ende nuk i ka miratuar

Nga 28 projektligje të parapara deri në fund të muajit prill, kabineti qeveritar ka proceduar për miratim vetëm 7 projektligje.
Qeveria është duke vonuar në miratimin e legjislacionit sipas planit legjislativ të paraparë për vitin 2013. Me program janë paraparë gjatë këtij viti miratimi i 101 ligjeve ku shumica parashihet të jenë për plotësim dhe ndryshim. Nga 28 projektligje të parapara deri në fund të muajit prill, kabineti qeveritar ka proceduar për miratim vetëm 7 projektligje.
Pjesa dërmuese e këtyre projektligjeve të miratuara janë nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë. Ndërsa sponzorizus tjetër më i madh i projektligjeve deri në prill sipas planit është ministri e Punëve të Brendshme me gjithsejtë 6 projektligje por që ende nuk ka kaluar për miratim asnjëra. Kryesisht fjala është për projektligje që kanë të bëjnë me kufijtë, të huajt, shtetësinë, transmeton standardi.
Zyra e kryeministrit është paraparë të jetë sponzorizues gjatë kësaj periudhe vetëm të një projektligji ai për Sistemin e Lejeve dhe Licencave, por që nuk është miratuar. Ministria e administratës publike ka paraparë ndryshimin e projektligjit për festat zyrtare për të cilën është ngritur pluhur i madh por që as kjo nuk është miratuar.
Ndër projektligjet e rëndësishme të parapara është edhe ai për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës por që nuk është proceduar ende për miratim. Ndërsa më 1 prill, për koincidencë ditën simbolike të gënjeshtrave, ishte paraparë të procedohet për miratim Projektligji për Kryeqytetin e Republikës së Kosovës, nga ana e ministrisë së Pushtetit lokal.
Ky projektligj mbetet pika më e fortë e akuzave të subjektit më të madhe opozitar LDK adresuar qeverisë.
Më 27 mars qeveria kishte marrë vendim për ndryshimin dhe plotësimin e Programit Legjislativ për vitin 2013ku ishin përfshirë shumë projektligje që kanë të bëjnë me Bashkëpunim Ndërmjet Agjencive në Menaxhimin e Integruar të Kufirit; Kontrollin dhe Mbikëqyrjen e Kufirit Shtetëror; për Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës; Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës etj.
Nëse vazhdohet me këtë ritëm vështir që ekzekutivi do të arrijë të përmbyll në afat matricën legjislative brenda vitit, ndërkohë që kjo drejtpërdrejt reflekton edhe në punën e Kuvendit. Numri më i madh i projektligjeve që do të procedohet për miratim mbi 70 sosh parashihet nga fillimi i qershorit e deri në fund të vitit. /Indeksonline/