E Diel, 1 Nëntor 2026

Kompensimi fizik do të mbulojë kompensimin e ish-pronarëve që nuk përfitojnë kompensim financiar



Nëndrejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Genci Çelo, bën të ditur se përveç kompensimit financiar, paralelisht Agjencia po punon dhe me procesin e kompensimit fizik të ish-pronarëve. Ai bën të ditur se pikërisht kompensimi fizik do të mundësojë procesin e kompensimit të ish-pronarëve. Pasi, sipas tij, ish-pronarët do të kompensohen financiarisht vetëm për 200 metra katrorë truall dhe jo për tokat bujqësore. Çelo më tej sqaron se aktualisht qeveria ka miratuar një fond tokash bujqësore që do të shpërndahen për të kompensuar ish-pronarët. “Këshilli i Ministrave ka miratuar një fond tokash bujqësore për shpërndarjen e kompensimit, tani është faza e verifikimit të atyre parcelave që janë, evidentimit të parcelave, shikimin e të gjitha karakteristikave të parcelave, për t’u bërë i mundur regjistrimi i tyre si pasuri shtetërore në zyrat e regjistrimit të pasurive dhe pastaj është shpërndarja që kërkon një vendim nga Këshilli i Ministrave për procedurat e shpërndarjes së atij fondi të kompensimit fizik që do jenë tokat bujqësore. Pra, është fondi i kompensimit fizik ai që kryesisht do të mbulojë kompensimin jo monetar. Duke pasur parasysh edhe këtë që kompensimi monetar në gjithë këto vite ka qenë deri në 200 metra katrorë truall. Është lënë jashtë toka bujqësore, që është shumica dhe janë lënë jashtë asaj mundësie tokat ose pronat që kanë qenë mbi 200 metra katrorë”, - ka shpjeguar nëndrejtori Çelo. Afati për përfundimin e procesit të kompensimit financiar apo fizik të ish-pronarëve në ligj është parashikuar vitin 2014. Përgjatë tre viteve të qeverisjes së demokratëve qeveria ka akorduar një fond prej 1.5 miliardë lekësh për kompensimin financiar të pronarëve, ndërkohë që procesi i kompensimit fizik nuk ka filluar ende. Në vitin 2005 qeveria miratoi 200 milionë lekë, në 2006-n një fond prej 300 milionë lekësh, në vitin 2007 500 milionë lekë dhe në vitin 2008 një fond prej 500 milionë lekësh, i cili pritet të përdoret për kompensimin monetar të ish-pronarëve.

5 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›