E Diel, 1 Nëntor 2026

Vizita e Sejdiut, Topi: Nuk ka ndarje të Kosovës

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, zhvillon vizitën e tij të parë në Tiranë, pas shpalljes së pavarësisë

TIRANË- Me ftesë të kreut te shtetit, Bamir Topi, Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, zhvilloi dje në Tiranë vizitën e tij të parë si president, pas shpalljes së pavarësisë. Në takimin e zhvilluar mes dy homologëve, bisedimet u përqendruan mbi zhvillimet më të fundit në Shqipëri dhe Kosovë, mbi çështje me rëndësi të veçantë për të dy vendet, në drejtim të rritjes së bashkëpunimit të gjithanshëm, politik, ekonomik, social, kulturor etj. Në konferencën e përbashkët për shtyp, Presidenti Topi u shpreh se Shqipëria e konsideron rolin e Kosovës, dhe pavarësinë e saj, si një element të qenësishëm në funksion të stabilitetit rajonal. Presidenti Topi e konsideroi çështjen e Kosovës, si një çështje të përfunduar nga pikëpamja e njohjes dhe konstituimit të saj. ”Nuk mund të ketë më rikthim tek çështjet e vjetra, nuk mund të ketë skenar për ndarje të Kosovës. Kosova do të projektohet si e tillë në tërë integritetin e saj, ashtu sikurse është njohur nga populli i Kosovës, nga bota më e rëndësishme e institucioneve ndërkombëtare, si një vend integral, si një vend që do t’i kontribuojë ndjeshëm paqes dhe stabilitetit rajonal”, - tha Presidenti Topi. Nga ana e tij, Presidenti Sejdiu, shprehu mirënjohjen për pritjen që i është rezervuar dhe vlerësoi se këto takime i shërbejnë nxitjes së mëtejshme të bashkëpunimit dypalësh, si dhe përmirësimit të marrëdhënieve në të gjitha nivelet. Në mbështetje të kësaj ideje pyetjes sesi do të ndihmojë diplomacia shqiptare për një zgjerim të shteteve, që do të njohin pavarësinë e Kosovës, Presidenti Sejdiu u shpreh se Shqipëria ka reflektuar një angazhim të veçantë për çështjen e pavarësisë dhe si e tillë ajo do të përdorë në shërbim të çështjes Kosovare miqtë e saj e që, përmes tyre, do të bëhet e mundur njohja e mëtejshme e Kosovës.

Marrëdhëniet ekonomike

Takimi midis dy Presidentëve u përqendrua edhe në çështjet ekonomike, ku bashkëpunimi i mëtejshëm midis dy vendeve në këtë sektor shihet mjaft pozitiv. ”Marrëdhëniet do të jenë në shumë fusha, do të jenë në fushën e energjitikës, do të jenë në fushën e infrastrukturës, në fushën e bujqësisë dhe të ushqimit, në turizëm, në marrëdhënie midis universiteteve, të cilat ekzistojnë praktikisht, por duhen që patjetër të intensifikohen dhe padyshim, ajo që unë e thashë edhe në prononcimin tim, ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës, në mënyrë të drejtpërdrejtë do të influencojë në rritjen e këtyre shkëmbimeve dhe nuk do të ketë thjesht shkëmbime që do të vijnë si pasojë e një biznesi të organizuar, por do të jetë edhe një shkëmbim marrëdhëniesh ekonomike të njerëzve të lirë, të thjeshtë që do të kenë aksesin e padiskutueshëm për të shkëmbyer eksperiencën e tyre të biznesit në të dy krahët e kufirit”, - tha Topi gjatë konferencës për shtyp. Sejdiu dekorohet me Urdhrin “Skënderbeu”

TIRANË- Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, dekoroi dje me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, Presidentin e Kosovës Fatmir Sejdiu. Në ditën e parë të vizitës së Presidentit kosovar në vendin tonë, në ambientet e Pallatit të Brigadave u zhvillua edheceremonia e dekorimit të tij me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, me motivacionin: “Për kontribut të shquar në udhëheqjen e rezistencës popullore kosovare dhe të gjithë veprimit politik për fitoren e pavarësisë së Kosovës e ndërtimin e një shteti të ri demokratik, për rolin e tij të rëndësishëm si politikan i respektuar nga populli i tij dhe faktori ndërkombëtar, në krijimin e ekuilibrave politikë dhe institucionalë”. Nga ana e tij, Presidenti Sejdiu, shprehu falenderimet dhe mirënjohjen e tij për Shqipërinë dhe popullin shqiptar. Në fjalën e tij të mbajtur për këtë rast, Sejdiu u shpreh: “Më lejoni që në këto momente kaq të rëndësishme dhe me emocione, të shpreh falenderimet dhe konsideratën më të lartë për ju, për institucionet e Republikës së Shqipërisë, për popullin e Shqipërisë, për konsideratat e veçanta që ka bërë dhe bën për Kosovën. Kontributi im është i vogël krahas asaj që kanë bërë breza të shumtë për Kosovën. Prandaj, zoti President, ju faleminderit shumë për vendimet që keni marrë, ju faleminderit shumë për modelin, për përvojat dhe për nxitjen dhe ndihmën që i keni dhënë Kosovës”.

Presidenti i Kosovës zhvillon takim edhe me kryeministrin Sali Berisha

Sejdiu-Berisha, sigurohet bashkëpunimi ekonomik

TIRANË- Vizita e Presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu në Tiranë, u konsiderua dje nga kryeministri, Sali Berisha, si një vizitë historike. Në takimin e zhvilluar midis Presidentit Sejdiu dhe Kryeministrit Berisha, ky i fundit siguroi se qeveria shqiptare do të bëjë çdo përpjekje për intensifikimin e gjithanshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve, duke u ndalur në mënyrë të veçantë në fushën ekonomike. Kryeministri shpreh bindjen se ky bashkëpunim do të ketë një perspektivë shumë të mirë në interes, jo vetëm të të dy vendeve, por gjithë rajonit. Në prononcimin për shtyp, pas takimit të zhvilluar, Kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë për njohjen e fundit të shtetit të Kosovës, nga dy fqinjët tanë, Maqedonia dhe Mali i Zi, por edhe për njohje të tjera nga Portugalia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Malajzia. “Të gjitha këto dëshmojnë se ky është një proces i pandalshëm dhe shoqëruar me zhvillimet tjera shumë të rëndësishme”, - tha Berisha në fjalën e tij. Nga ana tjetër, edhe Presidenti Sejdiu e vlerësoi vizitën e tij në Shqipëri, si dhe falënderoi për mbështetjen që i ka dhënë vendi ynë Kosovës deri më tani. Gjithashtu ai vlerësoi rolin e madh që ka pasur Shqipëria në mbështetje të zhvillimeve të Kosovës, duke përfshirë këtu pozitën dhe opozitën, në mbështetjen e përbashkët që i kanë dhënë Kosovës. Duke vlerësuar zhvillimet e Shqipërisë dhe ftesën që ka marrë ajo për t’u anëtarësuar në NATO, Sejdiu tha: “Të gjitha këto zhvillime për Kosovën janë pjesë e një përvoje të rëndësishme, janë model që edhe ne të shpejtojmë në këto procese. Në të njëjtën kohë, ju falenderoj për ndihmën e madhe që keni dhënë me gjithë strukturën dhe rrjetin diplomatik dhe njohjen e republikës së Kosovës, anembanë globit”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›