Qeveria do mbështesë çdo ekselencë shqiptare, në mënyrë që vendi të ketë softin e merituar

Mbledhja e Këshillit të Ministrave
Kryeministri Berisha premton mbështetje për ekselencën, duke premtuar financim të gjerë të projekteve në dobi të kualifikimit të studentëve shqiptarë në Universitetet Perëndimore. Kryeministri tha se fondi për ekselencat do jetë pa kufizim, ndërsa theksoi se pavarësisht aplikantëve dhe fituesve për të studiuar në universitetet më të mira të botës, qeveria do t’i mbështesë ata. Mendja e kualifikuar shqiptare dhe kthimi i ekselentëve në Shqipëri, është një nga projektet e mëdha të Qeverisë, i motivuar fillimisht përmes projektit “Brain Gain”
Qeveria miratoi dje vendimin për zgjerimin e fondit të ekselencës, për mbështetjen financiare të studentëve e shkencëtarëve të rinj, të shkëlqyer.
Duke e trajtuar këtë vendim, si një çështje shumë të rëndësishme, kryeministri u shpreh se fondi i krijuar tre vite më parë po jep rezultatet e para, pasi janë një seri ekspertësh dhe specialistësh të fushave të ndryshme që janë shkolluar apo graduar në perëndim me mbështetjen e këtij fondi. Kryeministri bëri të ditur se vetëm këtë vit kanë aplikuar 125 kandidatë, nga të cilët 77 kanë aplikuar në shkencat natyrore dhe teknike, ndërsa 48 të tjerë në shkencat shoqërore.
Berisha tha se me miratimin e vendimit të ri ri-dimensionohet shtrirja e përdorimit të këtij fondi edhe në degë të tjera, si ajo e artit dhe muzikës.
“Përshtatemi kësaj radhe dhe me artin e muzikën, ku edhe në këto fusha, ekselencat do të kenë mundësi të kërkojnë shkollimin e tyre më të mirë”, u shpreh kryeministri.
Duke theksuar se programi i ekselencës është parashikuar për të gjithë qytetarët shqiptarë, por dhe për të gjithë shqiptarët kudo që janë, kryeministri vlerësoi se është e domosdoshme që ky program të promovohet edhe në Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe diasporë, me kushte e kërkesa të njëjta.
“Ne do të bëjmë çdo gjë që të mbështesim çdo ekselencë shqiptare, në mënyrë që vendi të ketë softin e merituar. Ne do të bëjmë gjithçka që të lehtësojmë kthimin dhe sistemimin në vend të ekspertëve dhe specialistëve më të mirë shqiptarë kudo që ndodhen”, u shpreh kryeministri.
Berisha tha se është e nevojshme që programi të plotësohet me të gjithë kuadrin ligjor dhe të mos konceptohet vetëm me dhënien e një burse, apo me mbështetje financiare. “Mundësitë janë edhe më të mëdha. Është e domosdoshme që kuadri ynë ligjor të parashikojë detyrimin e sektorit publik për punësimin imediat të tyre, për bonuset respektive ndaj tyre. Është e domosdoshme që të ftohen ekspertë shqiptarë të shquar të të gjitha fushave të rikthehen për të punuar në Shqipëri edhe duke krijuar kushte analoge kur është e mundshme me ato në të cilat punojnë dhe ushtrojnë veprimtarinë e tyre”, u shpreh kryeministri.
Ndërkaq, në mbledhjen e djeshme të Ekzekutivit, Berisha veçoi si një vendim shumë të rëndësishëm vendimin për “Miratimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin financiar, 2008, për projektin “Masterplani në sektorin ujor”. Duke e vlerësuar këtë si një nga masterplanet më të rëndësishme, kryeministri u shpreh se me këtë financim, Shqipëria do të ketë masterplanin e vet për ujërat, i cili do të përcaktojë mënyrat më racionale të përdorimit dhe të ofrimit të tyre.
Kryeministri u ndal gjithashtu në dy vendime të tjera, atë të dëmshpërblimit të të përndjekurve politikë dhe në vendimin i cili do të shndërrojë cirkun në një institucion kombëtar. Lidhur me këtë vendim, kryeministri u shpreh se ashtu si teatri komedisë edhe cirku duhet të shndërrohet në një institucion që të ketë mbështetje të plotë nga qeveria.