Reformat e qeverise happen dyert e NATO-s dhe BE-se per Shqiperine

Kryeministri Berisha theksoi të mërkurën pasdite, në një takim elektoral me banorët e Shijakut, se ishin reformat ato që hapën dyert e NATO-s dhe të BE-së për Shqipërinë. Zyra e shtypit e Kryeministrit bëri të ditur se në këtë takim, ku u prezantuan edhe kandidatët për deputetë të Partisë Demokratike në zonën e Shijakut, Osman Metalla dhe Dardan Domi, Kryeministri Berisha tha se "ishin reformat ato që shembën muret e krimit dhe korrupsionit, ato të cilat hapën dyert e NATO-s për Shqipërinë, hapën dyert e BE-së, janë ato të cilat, brenda vitit të parë të mandatit tonë të dytë, do të bëjnë që ju të lëvizni të lirë në mbarë Europën".
Në këto 4 vite, tha Kryeministri Berisha, ne bëmë realitet një nga projektet tona më madhore, Shqipëria në NATO. Falë punës dhe përkushtimit tonë të përbashkët, por edhe ndihmës së miqve tanë, ne sot mblidhemi në këtë shesh si qytetarë të një vendi anëtar të NATO-s. Projekti tjetër i madh, theksoi Kryeministri Berisha, është Shqipëria anëtare e Bashkimit Europian. "Në qoftë se për 8 vite me radhë, Shqipëria qëndroi në vendnumëro, sepse çdo ditë e më lart ngrihej muri i krimit dhe korrupsionit, në këto 4 vitet e fundit, së bashku ne firmosëm Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Ajo duhej të ratifikohej nga 27 vendet anëtare të BE-së dhe u ratifikua në një kohë rekord, shumë më shpejt sesa për Maqedoninë dhe Kroacinë. Më 28 prill, ashtu siç ju e patë, në emrin tuaj dhe me miratimin e të gjitha vendeve anëtare të BE-së, paraqita në Pragё kërkesën për anëtarësim në BE", tha Kreu i Ekzekutivit. Sipas Kryeministrit Berisha, ishin reformat ato që bënë të mundur që Shqipëria, në vitin e kulmit të krizës ekonomike në botë, të jetë në krye të rritjes ekonomike në Europë, me 8 për qind. "Këto reforma bënë që Shqipëria, vendi më i stërkequr për investimet e huaja në vitin 2003, renditet e dyta në botë për klimën për biznesin. Këto reforma bënë të mundur që Shqipëria, e cila renditej në 24 vendet më të korruptuara të planetit, vitin e kaluar të renditej më e mira në Ballkan dhe në 10-shen më të mirë në botë për luftën kundër korrupsionit, bënë që qeveria e Sali Berishës të shpallej kampion për reformat në luftën kundër këtij kanceri", nënvizoi Kryeministri Berisha.
Duke folur për investimet e rezlizuara në Shijak dhe në dy komunat e tij, Kryeministri tha se ne kemi investuar 1.146 miliardë lekë. "Ne kemi asfaltuar tërësisht rrugët e komunës Xhafzotaj, po asfaltojmë tërësisht rrugёt e Katundit të Ri, kemi ndërtuar një sërë shkollash, kemi shtrirë internetin në të gjitha shkollat e fëmijëve tuaj, kemi rritur pensionet e të gjithë fermerëve të fshatit 100 për qind, kemi rritur pensionet në qytet nga 50 deri në 70 për qind, kemi dyfishuar pagat e mësuesve, mjekëve dhe infermierëve", tha Kryeministri Berisha.
Kryeministri i bëri thirrje kryetares së bashkisë së Shijakut që të paraqesë projekte për investime, duke shprehur gatishmerinë e qeverisë për t'i financuar ato. Jam interesuar për çështjen e pallatit, tha Kryeministri, duke shtuar se "projekti, ndonëse me shumë vonesë, është bërë tashmë dhe ne do ta bëjmë të ri atë. Të tjerët nuk na respektojnë për fjalët, por ata e shohin se me rrugët, me punët tona, me ujësjellёsit, me fermerët tanë, po u afrohemi vendeve të tyre. Këtë vit, ne paguajmë për rrogtarët e shtetit, pensionistët 30 përqind më shumë, sesa Bullgaria dhe Rumania që kanë qenë shumë herë më të zhvilluara. Unë zotohem para jush se pas 4 vitesh ne do të kalojmë jo dy, por edhe 4 vende të tjera anëtare të BE-së".
Në këtë takim Kryeministri i bëri thirrje qytetarëve të Shijakut që të pajisen me letërnjoftimet e reja elektronike për t'ia lënë makthet dhe ankthet e disfatës socialistëve. "Nuk ka ndodhur kurrë që të hapen fushata asimetrike, ku Kryeministri vihet në ballë të fushatës dhe kundërshtari i tij futet nën karrige. Por kjo është zgjedhja e tij. Ajo që na përket neve është që t’i japim Shqipërisë zgjedhjet më të mira që ka pasur në historinë e saj. Jemi vend anëtar i NATO-s, ndërkohë do të marrim statusin e kandidatit në BE, do të lëvizim të lirë në Europë", tha Kryeministri.
Kryeministri beri të ditur në këtë takim se më datën 31 maj do të përurojmë tunelin më të madh në Ballkan dhe në datën 25 qershor, inaugurojmë rrugën Durrës-Kukës-Morinë.
Të gjitha këto kanë krijuar një horizont të mirë para nesh, kanë lartësuar kaq shumë Shqipërinë, saqë unë ju jap fjalën se në 4 vitet që vijnë do të ecim përpara 4 herë më shumë, nënvizoi Kryeministri Berisha. "Ne do të ecim së bashku në rrugën që meritojmë. Në 4 vjet, ky vend do të kapë nivele zhvillimi, të cilat, absolutisht, syri dhe mendja jonë sot nuk i kap dot. Gjatë muajve që vijnë, janё gati për të filluar 104 hidrocentrale të reja, ndër të cilat projekti më i madh në Europë, kaskada e Devollit. Janë për t’u zhvilluar portet, ndër më të mëdhatë në Mesdhe", tha Kryeministri Berisha.
...