E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Qeveria do të bashkëpunojë me çdo institucion ndërkombëtar, për zbatimin e lustracionit”

Berisha takon dy raportuesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës

Kryeministri Berisha u shprehu raportuesve të Këshillit të Evropës vullnetin e tij për të bashkëpunuar me çdo institucion ndërkombëtar për zbatimin ligjit të lustracionit, duke përfshirë këtu edhe Këshillin e Evropës dhe Komisionin e Venecias. Kreu i qeverisë u bëri të ditur se Shqipëria ka pësuar krime kundër njerëzimit, por ligji nuk synon ndëshkim penal të shkaktarëve, por vetëm pastrim të administratës nga elementë që për shkak të të kaluarës së tyre kanë mungesë kredibiliteti në profesion dhe mund të jenë ‘pre’ e shantazheve.

TIRANE - Kreu i qeverisë Sali Berisha priti dje në një takim dy raportuesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Jako Laks dhe Dejvid Uilshajër në kuadër të vizitës së tyre në Shqipëri.
Në takim u diskutua për ligjin e lustracionit, ku kryeministri Berisha u shpreh se në Shqipëri ekziston një konsensus i përgjithshëm për miratimin e një ligji të tillë, shembulli i së cilit është edhe paraqitja e tre drafteve të ndryshme në Kuvend, nga tre forcat të ndryshme politike. Kryeministri kujtoi se gjatë regjimit të kaluar në Shqipëri janë kryer krime kundër njerëzimit dhe gjenocid, dhe megjithatë synimi i këtij ligji nuk është ndëshkimi penal i atyre që kanë kryer këto krime, por pastrimi i Administratës Publike nga elementë që për shkak të së shkuarës së tyre kanë mungesë kredibiliteti në ushtrimin e funksioneve të larta zyrtare, si dhe mund të jenë pre’ e shantazheve të ndryshme.
Më tej, kryeministri Berisha informoi raportuesit e Këshillit të Evropës se në vitin 1995 në Shqipëri u miratua një ligj të tillë, i cili ishte një kopje e ligjit çek dhe u quajt kushtetues nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese në vitin 1996.
“Ndërsa ligji aktual, është një version më i zbutur në krahasim me ligjin e 1995 dhe synon kufizimin e përkohshëm të ushtrimit të funksioneve publike, si dhe është në frymë të plotë me të gjitha vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat të Njeriut në lidhje me çështjet e lustracionit”, u shpreh kryeministri.
Më tej, Berisha u shpreh se ligji u miratua në këtë periudhë sepse për dy vjet me radhë është negociuar me partitë e tjera politike dhe në korrik 2008 kur mazhoranca pranoi amendamentet e paraqitura nga opozita, por që për arsye që nuk kanë të bëjnë me qeverinë, por me kryetarin e opozitës, kjo e fundit refuzoi konsensusin final.
Në interesimin e bashkëbiseduesve, kryeministri Berisha u shpreh se respekton shtetin ligjor dhe vendimet e institucioneve shtetërore duke përfshirë dhe Gjykatën Kushtetuese, por vuri theksin tek nevoja e integritetit të zyrtareve duke nënvizuar se konflikti i interesit vjen në kundërshtim me standardet etike të integritetit të zyrtarëve të lartë.
Më tej, shefi i qeverisë u shpreh se kishte kërkuar ndihmën e ekspertëve çekë për zbatimin e këtij ligji, për shkak se ligji aktual është bazuar në modelin e ligjit çek për lustracionin, si dhe shprehu vullnetin e tij për të bashkëpunuar me çdo institucion ndërkombëtar për zbatimin e këtij ligji, duke përfshirë këtu edhe Këshillin e Evropës dhe Komisionin e Venecias.

 
Deputeti Preç Zogaj

“Emërimet e ambasadorëve të rinj, pa prapavijë politike”       

TIRANE - Kryetari i komisionit të jashtëm Preç Zogaj hedh poshtë pretendimet e opozitës se emërimet e fundit të ambasadorëve shqiptarë kanë prapavijë politike.
Zogaj ka reaguar kështu ndaj bojkotit të Partisë Socialiste në komision.
“Presidenti dekreton ambasadorët edhe ditën e zgjedhjeve, madje fryma e ligjit është e atillë sa kërkon ta ndajë diplomacinë nga politika. Ligji për shërbimin e jashtëm është ligj që zbatohet përgjatë gjithë kohës, nuk i nënshtrohet ndonjë kalendari politik”, tha Zogaj.
Një ditë më parë Partia Socialiste deklaroi se pas zgjedhjeve të qershorit do të rishikohen të gjithë emërimet e bëra rishtas në diplomacinë shqiptare.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›