E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Hungaria, ‘pro’ aplikimit të Shqipërisë për statusin e vendit kandidat për në BE”

Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, vizitë zyrtare në Hungari
 
TIRANE - Me ftesë të Ministres së Punëve të Jashtme të Republikës së Hungarisë, znj. Kinga Goncz, ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, zhvilloi një vizitë zyrtare në Hungari. Biseda mes tyre është ndalur në një sërë çështjesh si bashkëpunimi dypalësh, procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, aplikimi për statusin e vendit kandidat në BE, liberalizimi i vizave për shtetasit shqiptarë në hapësirën Shengen dhe zhvillimet në rajonin tonë.
Pas vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes dy vendeve tona, Ministri Basha shprehu një vlerësim të veçantë për mbështetjen tepër të çmuar që Hungaria i ka dhënë procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, si vendi i parë që e ratifikoi Protokollin e Anëtarësimit, si dhe procesit të afrimit të mëtejshëm të Shqipërisë në BE. Gjithashtu, ministri Basha, pasi falënderoi palën hungareze për ratifikimin e MSA-së, nënvizoi rëndësinë që merr asistenca dhe eksperienca e Hungarisë në drejtim të avancimit të mëtejshëm të Shqipërisë në procesin e integrimit të plotë në BE.
Nga ana e saj, ministrja Goncz, evidentoi se procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe afrimi i mëtejshëm në BE ka pasur një mbështetje të gjerë nga Hungaria. Ajo dha garanci të plotë se vendi do të asistojë Shqipërinë në fazën e pas-anëtarësimit në NATO dhe për hapat e mëtejshme drejt BE-së.
Ministri Basha e njohu ministren Goncz me refomat që ka ndërmarrë Shqipëria duke u ndalur në veçanti tek reforma ekonomike,  reforma elektorale dhe ajo e sistemit të drejtësisë.
Dy homologët shprehen vullnetin e qeverive, shqiptare dhe hungareze, për të thelluar dhe më tej bashkëpunimin ekonomik midis dy vendeve.
Duke u ndalur tek kriza ekonomike që ka mbërthyer mjaft vende, ministrja Goncz pohoi se biznesi hungarez mund të jetë më aktiv në gjetjen e tregjeve të reja, ku Shqipëria, padyshim, që ofron mundësi të shumta.
Ministri Basha e siguroi homologen e tij mbi angazhimin e palës shqiptare për të mbështetur fuqimisht projektet e biznesit hungarez në Shqipëri.
Zhvillimet në rajonin tonë dhe Kosova ishin një tjetër çështje e bisedimeve mes dy homologëve, ku ministri Basha falënderoi Hungarinë për njohjen e pavarësisë së Kosovës, si dhe vuri theksin tek rëndësia që merr forcimi i perspektivës evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Në këtë kontekst, edhe Ministrja Goncz rikonfirmoi angazhimin e vendit të saj për integrimin e plotë të rajonit në strukturat evropiane dhe euroatlantike.
Në përfundim të takimit midis dy Ministrave të Jashtëm, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës dhe Agjencia Hungareze për Mbrojtjen dhe Nxitjen e Investimeve nënshkruan një Memorandum Bashkëpunimi, i cili do t’i japë një nxitje të mëtejshme bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve.
Ministri Basha dhe Ministrja Goncz dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp, ku Ministrja Goncz, vlerësoi marrëdhëniet shumë të mire mira midis dy vendeve tona, si dhe siguroi se do të mbështesë plotësisht Shqipërinë në aplikimin e saj për statusin e vendit Kandidat në BE.
Gjatë qëndrimit të tij në Budapest ministri Basha pati një takim edhe me  Kryetaren e Asamblesë Kombëtare të Hungarisë, Katalin Szili në qendër të të cilit ishin bashkëpunimi i shkëlqyer politik dhe ekonomik midis dy vendeve.
Në përfundim të vizitës së tij në Budapest, Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, zhvilloi një vizitë në Universitetin e Evropës Qendrore (CEU) në Budapest, ku dhe mbajti një fjalë me temë “Proceset e Integrimit Evropian dhe Euroatlantik të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor”.

Përshëndet Ministria e Jashtme

Luksemburgu ratifikon Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO

TIRANE - Luksemburgu ratifikoi dje Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, duke u bërë vendi i 22 që ratifikon këtë protokoll.
Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, përmes një deklarate për shtyp, përshëndet dhe vlerëson këtë vendim si shprehje e mbështetjes së vazhdueshme te Luksemburgut për proceset e integrimit euroatlantik të Shqipërisë dhe e marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve.
Në deklaratën për shtyp citohet se Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë ka marrë siguri të plotë se edhe 4 vendet e tjera anëtare të Aleancës, që ende nuk e kanë ratifikuar Protokollin e Anëtarësimit, shumë shpejt do të përmbyllin të gjitha procedurat e nevojshme. Kështu i hapet rrugë anëtarësimit të plotë të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO gjatë Samitit të fillim prillit në Strasburg-Kiehl.

Letra për Kryeparlamentaren

Parlamenti i Islandës miraton një rezolutë për anëtarësimit të Shqipërisë në NATO
 
TIRANE - Në vijim të lobimit dhe komunikimit të Kuvendit të Shqipërisë me Parlamentet e vendeve anëtare të NATO-s, Kryetarja e Kuvendit ka marrë dje një letër nga parlamenti i Islandës, lidhur me procesin e ratifikimit të protokollit të  anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Në këtë letër, parlamenti i Islandës njofton se rezoluta e protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO ka kaluar dje, datë 10 shkurt 2009, në leximin e parë në parlament dhe i është kaluar komisionit të jashtëm, përpara së të bëhet leximi i dytë dhe ratifikimi. Pavarësisht zgjedhjeve të reja të prillit në Islandë, në këtë letër theksohet se Parlamenti i Islandës, do ta votojë këtë protokoll së shpejti, në mënyrë që ratifikimi të bëhet përpara samitit të përvjetorit të NATO-s në prill.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›