Qeveria do të çlirojë nga detyrimet e prapambetura të faturave të energjisë deri në datën e marrjes në dorëzim të KESH nga ÇEZ, të gjitha shtresat në nevojë

- Ky vendim do të zbatohet për të gjitha familjet në ndihmë ekonomike dhe papunësi, të gjithë pensionistët me pensione minimale dhe pa burime të tjera të ardhurash, për të gjitha pensionet minimale të të gjitha kategorive, invalidët, gratë kryefamiljare dhe të gjithë personat me status jetim.
- Kryeministri Berisha u shpreh se është e rëndësishme që projektligji për amnistinë fiskale të shkojë në parlament para 22 marsit. Kryeministri shpjegoi se kategoritë që përjashtohen, nga ky projektligj janë, pasuritë e politikanëve dhe pasuritë e krijuara nga burime krimi, ku për këto të fundit vepron një ligj tjetër, i cili është në zbatim e sipër.
Në kuadër të 22 marsit,ditës simbol që shënoi shkëputjen nga sistemi i vjetër i qeverisjes dhe vendosjen e pluralizmit, qeveria do të marrë vendimin për të çliruar nga detyrimet e prapambetura të faturave të energjisë, deri në datën e marrjes në dorëzim të KESH nga ÇEZ, të gjitha shtresat në nevojë.
Ky vendim do të zbatohet për të gjitha familjet në ndihmë ekonomike dhe papunësi, të gjithë pensionistët me pensione minimale dhe pa burime të tjera të ardhurash, për të gjitha pensionet minimale të të gjitha kategorive, invalidët, gratë kryefamiljare dhe të gjithë personat me status jetim.
Duke folur për këtë nismë të qeverisë, kryeministri u shpreh se ky vendim do të çlirojë nga barra e detyrimeve të prapambetura, të gjitha këto kategori, të cilat për arsye të diferencës së madhe të të ardhurave, në krahasim me pjesën tjetër të popullsisë, nuk kanë mundur tu përgjigjen me përpikmëri, detyrimeve.
Kryeministri shpjegoi se ky vendim përfshin periudhën që nga fillimi i detyrimeve që ekzistojnë në KESH, e deri në ditën që shpërndarja e energjisë merret nga CEZ. “Unë besoj se kjo përfshin të gjithë spektrin e atyre që kanë qene dhe vazhdojnë të jenë në nevojë. Edhe njëherë dua të theksoj se kjo falje që bëhet më 22 mars shtrihet që nga fillimi i detyrimeve që ekzistojnë në KESH deri ditën që shpërndarja e energjisë elektrike merret nga CEZ. Që nga momenti i marrjes së energjisë nga CEZ, vendimi i qeverisë është inekzistent. Është një ndërmarrje private, në të cilën ne ftojmë të gjithë qytetarët ti përgjigjen me korrektesën më të madhe.” u shpreh kryeministri.
Kryeministri kërkoi nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës që në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Entin energjetik të kalojnë sa më shpejt vendimin e qeverisë për këtë akt, i cili do të përbëjë një lehtësim për jetën e përditshme të këtyre shtresave.“Të kalojmë sa më shpejtë vendimin e qeverisë për këtë akt, për këto shtresa në nevojë, akt ky i cili përbën një lehtësim në jetën e përditshme, pasi cilido të jetë, i vogël apo i madh, ndaj cilitdo, borxhi i rëndon njeriut si një gur"
Duke u ndalur ndër të tjera, në ligjin për amnistinë fiskale, kryeministri u shpreh se është e rëndësishme që ky ligj të shkojë në parlament para 22 marsit. Kryeministri kërkoi nga ministri i Financave, që në vazhdën e takimeve të realizuara vjeshtën e kaluar, të zhvillohen takime të tjera me biznesin, në mënyrë që 22 marsi të ketë në parlament projektligjin, duke shënuar kështu ditën e respektit dhe vlerësimit ndaj biznesit. “Zoti ministër i financave, është e rëndësishme që ligji i amnistisë fiskale të shkojë në parlament para 22 marsit. Ju keni punuar gjerësisht,keni bërë takime në vjeshtën që kaloi me biznesin, keni zhvilluar takime me ekspertët ndaj dhe do të sugjeroja që të kompletohet sërish me takime të tjera me biznesin dhe 22 marsi të jetë një ditë e gëzueshme , sic është për çdo shqiptar, por një ditë që ne shprehim respektin tonë dhe vlerësimin ndaj biznesit duke paraqitur në parlament këtë amnisti." tha Kryeministri.
Duke shprehur besimin se opozita këtë herë do ta shqyrtojë këtë projektligj, kryeministri shprehu keqardhjen se media të caktuara servirën tek publiku interpretime të shtrembëruara të këtij ligji.
“Më vjen keq që ndonjë media që unë i lexoj dhe i ndjek me shumë interes shkruan se do të falen pasuritë e politikanëve. Jo, nuk do të falen pasuritë e politikanëve dhe nuk është mirë ti serviren publikut, ajo që është thënë në mënyrën më të kthjellët dhe më të qartë. Dy kategori përjashtohen, përjashtohen politikanët se vetëkuptohet që shteg nuk mund të hapet dhe përjashtohen paratë të cilat kanë ardhur nga burime krimi, sepse aty vepron një ligj tjetër, i cili është në zbatim e sipër dhe nuk duhet të bëjmë asnjë interferencë, asnjë lloj ndërhyrje në zbatimin e tij.” tha kryeministri
16/03/2011