Kryeministri Berisha takon Drejtorin për Ballkanin Perëndimor, në Ministrinë e Jashtme të Britanisë së Madhe, zotin Daniel Fearn

Kryeministri Berisha prit sot, në një takim, Drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Ministrinë e Jashtme të Britanisë së Madhe, zotin Daniel Fearn.
Pasi i uroi përzemërsisht mirëseardhjen, Kryeministri Berisha falënderoi për mbështetjen që Britania e Madhe i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë në shumë fusha, në veçanti për sa i përket projektit madhor kombëtar, për integrimin sa më të shpejtë në BE.
Zoti Fearn e falënderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë dhe miqësore dhe i rikonfirmoi atij se Britania e Madhe dhe qeveria britanike është mbështetëse e fuqishme e zgjerimit të Ballkanit perëndimor në BE dhe do të vijojë të mbështesë Shqipërinë dhe qeverinë shqiptare në të gjitha përpjekjet e saj për integrim.
Në takim u shpreh vlerësimi i të dy qeverive për bashkëpunimin e ngushtë që të dy vendet kanë zhvilluar vitet e fundit në disa fusha të rëndësishme, si luftën kundër krimit, kundër terrorizmit, në kuadër të bashkëpunimit në NATO, etj.
Në takim u vlerësua gjithashtu angazhimi i qeverisë shqiptare për të implementuar të 12 kërkesat e parashtruar nga KE në raportin e tij, si dhe u theksua rëndësia që të gjithë faktorët të përmbushin përgjegjësitë e tyre lidhur me këtë proces.
Në këtë kontekst, kryeministri Berisha i konfirmoi zotit Fearn vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të bërë të gjitha përpjekjet për arritjen e standardeve më të mira ndërkombëtare, në zhvillimin e zgjedhjeve vendore të 8 Majit.
Përfaqësuesit e ministrisë së jashtme britanike vlerësuan në veçanti arritjet e qeverisë në luftën kundër korrupsionit, luftën kundër krimit , etj. “Qeveria britanike vlerëson qëndrimin konstruktiv dhe rolin e Shqipërisë në konsolidimin e paqes stabilitetit dhe bashkëpunimin në rajon”, u shpreh zoti Daniel Fearn.
15/03/2011