E Diel, 1 Nëntor 2026

“Qeveria do të investojë në të gjithë vendin derisa të asfaltohet edhe kilometrat i fundit i çdo rruge”

27-05-2013 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha inauguron rikonstruksionin e rrugës Drizë-Poroçan, në komunën Pishaj, të rrethit të Gramshit

“Ju garantoj se gjatë mandatit të ri, do të marrim statusin, do të hapim negociatat për vend anëtar dhe do të bëjmë gjithçka për të merituar liberalizmin e vizave me vendin e madh të lirisë SHBA”

Kryeministri Sali Berisha mori pjesë dje në inaugurimin e rikonstruksionit të rrugës Drizë-Poroçan, në komunën Pishaj, të rrethit të Gramshit. Investimi ka një vlerë prej rreth 331 milion lekë  dhe është financuar nga Berzh - Bei dhe Qeveria Shqiptare. Rruga ka një gjatësi prej 8.74 km, gjerësi 4 metra dhe prej saj përfitojnë mbi 11 mijë banorë. Komunat e thella Pishaj dhe Poroçan në rrethit e Gramshit, të lëna në harresë prej kohësh, lidhen me rrugë të asfaltuar jo vetëm me njëra tjetrën, por edhe me qytetin e Gramshit. Ky investim i Fondit Shqiptar të Zhvillimit do të nxjerrë nga izolimi 11 mijë banorë, të cilëve prej shumë kohësh u ka munguar komunikimi dhe transporti normal për të plotësuar nevojat e tyre të përditshme. Përpara këtij investimi rruga ka qenë pothuajse e pakalueshme. Autoveturat e kishin të pamundur të kalonin, ndërkohë që mjeteve të larta u duhej të kalonin nëpër shtratin e përrenjve, kur këta të fundit nuk kishin shumë prurje. Rruga në pjesën më të madhe të saj ishte vetëm një zallishte pa taban dhe e shfrytëzueshme vetëm në kohë të thatë. Asnjë investim nuk ishte kryer prej dekadash për rikonstruksionin e plotë të kësaj rruge, duke vështirësuar jetën e banorëve të këtyre fshatrave. Pas inaugurimit të kësaj rruge, kryeministri Berisha premtoi në një takim me banorët e zonës, se në katër vitet që vijnë qeveria do të investojë në Gramsh dhe kudo derisa të asfaltohet edhe kilometrat  i fundit i çdo rruge. “Rruga, është një investim prej 331 milion lekë dhe bën të mundur realisht zhvillimin e të gjitha potencialeve të kësaj zone. Pak muaj më parë, unë kam kaluar në këtë rrugë të pashtruar kur u inaugurua hidrocentrali. Tani rruga bënë të mundur që të gjitha ujërat dhe burimet e shumta të zonës suaj të shndërrohen në hidrocentrale. Ne, në rrethin e Gramshit kemi investuar dhe do të investojmë derisa të asfaltohet edhe kilometri i fundit i rrugëve të këtij rrethi”- u shpreh Berisha. Kryeministri iu referua dhe akuzave të kreut të PS, Edi Rama i cili ka nisur një fushatë sulmese kundër projekteve të mazhorancës për modernizimin e infrastrukturës. “Ata, të cilët përpiqen t’ju mashtrojnë dhe tu thonë juve se Sali Berisha nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka ndërtuar rrugë. Unë dua t’ju them se projekti i rrugëve  është projekti  sigurisht  më madhori, sepse kam gjykuar dhe gjykoj se qytetarët shqiptarë kudo që jetojnë duhet të jenë të barabartë. Unë ju them juve se derisa në çdo fshat tuajin të ketë rrugë, shkolla, ujësjellësa,  energji elektrike njëlloj si në lagjet e qytetit, unë do të vazhdoj me të gjitha energjitë e mia me zbatimin e këtij projekti”- tha ai. Kryeministri premtoi mbështetje për fermerët në mandatin e ardhshëm, duke trefishuar grantet. “Këto vitet e fundit ne kemi financuar me grante, 42 mijë fermerë. Në rrethin e Gramshit, ne kemi financuar me grante rreth 400 fermerë, të cilët kanë mbjellë 500 hektarë dru frutorë, arrorë, ullinj e drurë të tjerë. Ne ju garantojmë  ju, se katër vitet që vijnë do të trefishojmë grantet për ju. Unë isha në Kodovjatë, kryetari i Komunës më njoftoi se një fermer ka mbjellë 20 hektarë bajame. Unë ju ftoj juve të dashur miq, të mbillni sa më shumë dru frutorë. Potenciale i Shqipërisë për dru frutorë është qindra herë më i madh sesa ç’kemi ne sot. Ne zhvillimin e Shqipërisë Rurale e konsiderojmë jetike, vendimtare për një Shqipëri të zhvilluar ndaj dhe po bëjmë gjithçka që pasuritë tuaja të kthehen në vlera”- tha kryeministri. Vetëm në këtë rreth, vijoi ai, në Gramsh, po nis ndërtimi i veprës më të madhe energjetike të Shqipërisë, investimit më të madh të huaj në historinë e Shqipërisë dhe ky investim bëhet nga gjiganti, nga kompani numër një e Europës dhe Botës për ndërtimin e hidrocentraleve, Shtatkrafi  i Norvegjisë. “Kjo kompani është një shans i madh jo për Gramshin, por një  emër i madh europian dhe botëror për mbarë Shqipërinë, ndërtimi i kaskadës së Devollit do të urbanizojë të gjithë luginën e lumit deri në Moglicë dhe nga Moglica në Maliq.  Ndërkohë ne kemi projektet gati dhe do të bëjmë gjithçka për të ndërtuar rrugë të tjera të komunave, për të shfrytëzuar të gjithë potencialin turistik, për t’ju lidhur ju me Skraparin dhe për të patur dalje nga ky rreth nga të gjitha anët”. Ai kërkoi votat e qytetarëve për një mandat të tretë qeverisës, pasi siç tha Berisha, PD ka një program ambicioz i cili përmbush interesat e tyre. “Ne jemi në një fushatë elektorale dhe në këtë fushatë, ne kemi bërë gjithçka të hartojmë një program, i cili të përputhet në maksimum me interesat tuaja. Në përputhje me programin tonë të ri, ne vendosëm për fermerin shqiptarë ti rimbursojmë më para në dorë, përveç granteve ti rimbursojmë me para në dorë të gjithë akcizën e naftës, ti rimbursojmë tvsh për plehrat kimike, për traktorë dhe për çdo gjë tjetër, që ai përdor për rritjen e prodhimit. Rritja e prodhimit në bujqësi, në blegtori, në pemëtari, në bletari, në peshkim në çdo degë të këtij sektori. Në këto vite në përputhje me premtimin tonë solemn ne mbi dyfishuam pensionet në fshatrat e vendit. Ju jap fjalën se sa kohë q ë ju të votoni Partinë Demokratike, të votoni numrin  44 me 23 qershor, rritja e pensioneve do të vazhdojë ma ndërprerë. Kjo është rruga jonë”- deklaroi Berisha. Ndërsa s’la jashtë vëmendjes alternativën e majtë, të cilën e cilësoi si alternativën e bllokimit dhe varfërimit të shqiptarëve.

3 ligjet, Berisha kërkon seancë të jashtëzakonshme në Kuvend

Kryeministri Sali Berisha ka ushtruar kompetencën e tij kushtetuese duke i kërkuar, me anë të një shkrese, Kuvendit të Shqipërisë të mblidhet në seancë të jashtëzakonshme më 30 maj 2013, për të votuar  tri ligjet e kërkuara nga BE-ja për dhënien e statusit të vendit kandidat si dhe ligjit te amnistisë fiskale. Me këtë kërkesë, Kryeministri Berisha kërkon t’i japë opozitës edhe një mundësi tjetër para zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit, që t’i bashkohet vullnetit të palëkundur të mazhorancës qeverisëse për miratimin e tyre dhe zhbllokimin e rrugës së integrimit europian të vendit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›