E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prezenca e OSBE-së ndihmon të verbërit të votojnë në zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri

27-05-2013 / Gazeta 55

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri po ndihmon rreth 2 mijë persona me aftësi të kufizuara në shikim të votojnë në zgjedhjet parlamentare të 23 Qershorit, duke zhvilluar një sërë trajnimesh për përdorimin e pajisjeve ndihmëse të votimit, procedurat zgjedhore dhe aksesin në qendrat e votimit. Kursi i parë filloi sot në Tiranë.
Njëzet e katër të verbër do të trajnohen në veprimtarinë dyditore që nisi sot. Ata, më pas, do të trajnojnë të verbërit e tjerë, në tërë vendin.
“Zgjedhjet janë pika e nisjes për përfshirjen e plotë të personave me aftësi të kufizuara në jetën politike të një vendi,” tha Kryetari i Prezencës, Ambasadori Eugen Wollfarth, në veprimtari. “Heqja e çdo lloj pengese për votën është një parakusht për pjesëmarrjen e të gjithëve në jetën publike dhe politike”.
Në këtë veprimtari folën edhe Avokati i Popullit, Igli Totozani dhe kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lefterie Lleshi.
Trajnimi është pjesë e një projekti të Prezencës së OSBE-së për edukimin e zgjedhësve me aftësi të kufizuara, i cili financohet nga qeveria gjermane dhe zbatohet në bashkëpunim të ngushtë me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe me Shoqatën e të Verbërve të Shqipërisë.
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri i ka ndihmuar personat me aftësi të kufizuara në shikim edhe në zgjedhjet e vitit 2005 dhe 2007, përmes pajisjes me materiale të veçanta votimi, si maskat Braille.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›