E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria do të mbështesë fermerët e Dropullit për rritjen e prodhimeve bujqësore

Kryeministri Berisha tha se qeveria do të mbështesë dhe nxisë prodhimet vendase, duke u ardhur në ndihmë fermerëve, në mënyrë të veçantë për ato produkte ku ata janë të suksesshëm. Duke informuar gjatë mbledhjes së qeverisë për bisedat e frytshme me fermerët e Dropullit, Kryeministri kërkoi që Ministria e Bujqësisë të studiojë mënyrën e shtrirjen së subvencioneve edhe tek perimet më kryesore për fermerët. Kryeministri e vlerësoi shumë pozitiv faktin që gjatë takimeve me fermerët e Vurgut apo në Zarë ata ndjeheshin shumë më të inkurajuar. Ne duhet të gjejmë mënyrat për t'i dhënë ndihmën e nevojshme dhe ata janë të gatshëm të përgjigjen kundrejt prodhimit.

Gjithashtu Kryeministri kërkoi që KESH-i të marrë parasysh shtrirjen e fidrave të nënstacionit të ri elektrik në Gjirokastër edhe për zonën e Dropullit, një zonë me biznese të fuqishme.

Kryeministri tha se qeveria do të shohë me përparësi edhe botimin në gjuhën greke të librave për nxënësit e minoritetit grek. Për këtë, theksoi ai, Ministria e Arsimit dhe Shkencës duhet të përfundojë botimin në gjuhën greke të gjithë literaturës shtetërore për pakicën greke. "Nuk duhet të ketë asnjë pengesë burokratike dhe fëmijët e minoritetit nuk duhet t'i marrin mësimet në fletore. Mund të jetë më e kushtueshme, por ne do t'u garantojmë tekstet," u shpreh Kryeministri. Lidhur me këtë, Kryeministri kërkoi edhe rishikimin e problemit të transportit të mesuesve e nxënësve dhe tarifave, i cili, sipas vendimit ekzistues, është nga 1 deri në 12 kilometra. Për të cilën Kryeministri sugjeroi të ndryshojë deri në 6 kilometra.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›