Kryeministri Berisha: Do t'i rikthejmë Gjirokastrës qendrën historike
Kryeministri Berisha tha se qeveria do të mbështesë rigjallërimin e vlerave kulturore dhe historike të Gjirokastrës. Duke informuar anëtarët e qeverisë për vizitën në këtë qytet, Kryeministri theksoi se qeveria do të ndjekë politikën e rigjallërimit të tij. Ndonëse Gjirokastra është shpallur nga UNESCO pasuri e njerëzimit, tha Kryeministri, gjatë 30 viteve të fundit është punuar për braktisjen e qytetit.
Kryeministri vlerësoi tepër të rëndësishëm projektin për rivitalizimin e qendrës historike të qytetit. "Nëse nuk e popullojmë zemrën e qytetit, në mënyrën më të pamëshirshme e të pashmangshme ajo do të kthehet në rrënojë," u shpreh Kryeministri. Sipas këtij projekti, synohet rigjallërimi i kësaj qendre nga Qafa e Pazarit duke zhvendosur të gjitha institucionet qeveritare drejt saj dhe duke formuar një kompleks sëbashku me bashkinë dhe prefekturën. Për realizimin e saj, Kryeministri sugjeroi vendosjen e disa zyrave shtetërore në qendër si Komisioni i Kthimit të Pronave, Agjencia e Trajtimit të Kredive, Zyra e Regjistrimit të Pasurive, zyrat e Ujësjellësit, zyrat e degës së Monumenteve të Kulturës, kalimi i ambienteve të hotel Argjiros Drejtorisë së Tatimeve, duke e blerë nga pronarët, shpronësimi i ish godinës së policisë dhe asaj të ish mullirit, për të vendosur atje një prej konvikte të Universitetit.
Duke vlerësuar propozimin e bërë nga bashkia dhe prefektura, për të vendosur në qendër godinën e një fakulteti, Kryeministri tha se kjo është jetike për rivitalizimin e qendrës. Ai kërkoi që Instituti i Monumenteve të Kulturës të përcaktojë të gjitha kushtet për ndërtimin e godinës së re, duke respektuar tërësisht arkitekturën e qytetit. "Universiteti dhe zyrat shtetërore e gjallërojnë shumë qendrën e qytetit. Rigjallërimi i saj është shumë i dobishëm, për ndryshe qyteti do të zbresë gjithnjë e më poshtë dhe qendra do të mbetet rrënojë," u shpreh Kryeministri.
Gjithashtu Kryeministri i kërkoi Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve hartimin e kuadrit ligjor në përputhje me statusin e qytetit si pasuri botërore. "Nëse shpallim e bëjmë lobing për ta përfshirë Gjirokastrën në pasurinë e qytetërimit botëror, duhet të bëhet me shpejtësi ligji përkatës. Ajo që është pasuri botërore i përket Gjirokastrës, por edhe njerëzimit. Ky ligj do të jetë i vlefshëm edhe për Beratin," u shpreh Kryeministri.
Kryeministri tha se qeveria do të mbështesë me financimet e duhura edhe ndërtimin e bulevardit të Gjirokastrës, sikundër do të mbështesë edhe projektet për infrastrukturën në Libohovë, duke veçuar rikonstruksionin e rrugës së kalasë dhe rrugën për në teqenë e Melanit.
Kryeministri bëri të ditur se këtë vjeshtë do të fillojnë punimet për rrugën Kardhiq-Delvinë, inaugurimi i së cilës do të bëhet sëbashku me autoritetet vendore të kësaj zone.