E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria e Berishës mund të shembet si tuneli i KalimashitNga Skënder Limani Me veprimet, përkatësisht reagimet e tij, Sali Berisha po vë në pikëpyetje, jo vetëm stabilitetin politik e shoqëror në Shqipëri, por po vë në pikëpyetje edhe ekzistencën e s

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Qeveria e Berishës mund të shembet si tuneli i KalimashitNga Skënder Limani

Me veprimet, përkatësisht reagimet e tij, Sali Berisha po vë në pikëpyetje, jo vetëm stabilitetin politik e shoqëror në Shqipëri, por po vë në pikëpyetje edhe ekzistencën e shtetit shqiptar.

Në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009, votat janë vjedhur në Shqipëri. Kjo tashmë është dëshmi e fakt i qartë. Këtu nuk ka rëndësi mënyra se si janë vjedhur votat. Kjo vjedhje e votave ka nxjerrë një qeveri në Shqipëri, e cila nuk ka as legjitimitet politik, as legjitimitet popullor e qytetar e as legjitimitet ligjor.

Kuptohet qëndrimi i bashkësisë ndërkombëtare ndaj kësaj situate. Ata janë asnjanës, pra nuk përkrahin asnjë parti që ndërlidhet me fatin e këtyre zgjedhjeve. Tek e fundit, nëse do të dëshmohej që kritikat e Partisë Socialiste (PS) nuk janë të drejta, ata moti do ua kishin thënë këtë në fytyrë, edhe Edi Ramës, dhe të tjerëve, por edhe publikisht. Në asnjë mënyrë nuk dua të mbroj as PS dhe Edi Ramën dhe të kritikoj Partinë Demokratike të Sali Berishës, por Sali Berisha po gabon. E gabimi i tij po e sjell në çështje ekzistencën e shtetit shqiptar, pra ekzistencën e Shqipërisë.

Për vete do të doja të isha gabim edhe për qëndrimin e Sali Berishës, edhe për frikën nga shkatërrimi i Shqipërisë, por faktet, dëshmitë dhe reagimet flasin ndryshe, pra vetëm sa m’i forcojnë argumentet e shprehura këtu.

Situata e krijuar atje dërgon në dy mënyra të zgjidhjes: ose duhet të hapen ato kuti për t’u rinumëruar, ose Shqipëria duhet të organizojë zgjedhje të parakohshme parlamentare, për shkak të arsyes që e ceka këtu, por edhe për shkak të krizës politike që ka sjellë qëndrimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI) e Ilir Metës. Ndërrimi i anëve të kësaj partie ka sjellë krizën e identitetit të kësaj partie, por ky ndërrim i anëve ka sjellë edhe krizën e identitetit të vetë qeverisë Berisha. Me ose pa dashje, Ilir Meta më parë përfaqëson politikën e jashtme të Sali Berishës sesa diçka tjetër. Dua të them, qytetari shqiptar ka votuar për diçka tjetër e i ka dalë diçka tjetër. Qytetari shqiptar ka blerë e paguar diçka tjetër, ndërsa ka marrë një produkt tjetër. Edhe pse në dukje duket mashtrim i lehtë, prapëseprapë ky është mashtrim që rezulton me deformim.

Jam i vëmendshëm që, kur flitet për Partinë Socialiste të Shqipërisë, në Kosovë kjo (ende) nuk reflektohet si diçka e mirë. Përkundrazi, qytetarët e Kosovës kanë prirje të etiketojnë ose të gozhdojnë menjëherë PS, madje pa shpenzuar asnjë sekondë për reflektim e debat të hapur, ku do të ndesheshin mendimet.

Janë disa gjëra që sjellin mungesën e debatit për PS në Kosovë. E para, Sali Berisha është nga veriu i Shqipërisë, e kjo po u ofron kosovarëve emocion të ngrohtë (plus së fundi tentimi për ndërtimin e rrugës Kukës-Morinë), dhe e dyta, Partia Socialiste e Shqipërisë po refuzohet nga kosovarët, sepse kjo parti, me gjenezë, vjen nga jugu i Shqipërisë, pra, parti që po qëndron larg emocioneve të kosovarëve. Gjithashtu, nga kosovarët kjo parti perceptohet si majtiste. Në Kosovë, me kaq përfundon debati. Madje, as gazetat e as mediet e tjera nuk bëjnë debat për këtë “çështje”. E konsiderojnë si “rast të mbyllur”, rast ku dihet fituesi ose ku dihet humbësi. Madje, ka gjasë që ky shkrim e perceptim të mos botohet fare. E mungesa e këtij debati (ky injorim) është gabimi më i madh që po u kushton qytetarëve të Kosovës.

Partia Socialiste e Shqipërisë mund të jetë majtiste, por nuk është Parti Komuniste, sepse shumica e partive majtiste në Kosovë me automatizëm po ndërlidhen me komunizmin. Po të kishte debat të hapur, atëherë do të dihej që, sikurse demokracia, edhe komunizmi është sistem i qeverisës ose i qeverisjes. Edhe në sistemin politik komunist ka pasur majtistë e djathtistë, ashtu siç ka majtistë e djathtistë në sistemin politik qeverisës të quajtur demokraci.

Të dyja sistemet politike, komunizmi dhe demokracia, e kanë qytetarin në qendër. Por dallimi është se si e shohin ata këtë qytetar. Në fakt, ku flitet për “detaje” të tilla, pra se si shihet qytetari, atëherë dallimet janë, ose majtiste, ose djathtiste. Majtizmi e sheh qytetarin si pjesë të procesit, si pjesë të vendimmarrjes, ndërsa djathtizmi e sheh qytetarin thjesht si konsumator. Përderisa për majtizmin qytetari është arsyeja pse zhvillohet politika dhe krejt shoqëria (arsimi, ekonomia, kultura, shkenca, marrëdhëniet ndërnjerëzore dhe të tjera), për djathtizmin qytetari është çështje biznesi, pra qytetari (ai ose ajo) duhet të blejë e të shpenzojë sa më shumë, pa pyetur për koston.

Në muajin mars 2009, në aeroplan prej Bukureshtit në Vjenë dhe prej Vjenës në Prishtinë, pata rastin, jo vetëm ta lexoj, por edhe ta studioj intervistën e kancelares gjermane, Angela Merkel, disa ditë para samitit të G-20. Ajo argumentonte se buxheti i qeverisë së shtetit gjerman nuk do t’i ndahet kompanive biznesore-private që ishin para falimentimit. Ajo argumentonte thjesht se ai buxhet është ndërtuar nga tatimet e qytetarëve gjermanë, andaj edhe aty do të kthehet, ndërsa bizneset private duhet të ndërrojnë prodhimtarinë ose shërbimet e tyre dhe t’i orientojnë me kërkesat e tregut.

Tashti, po të deklaronte Angela Merkel kështu në Kosovë, ajo kurrë nuk do t’i fitonte zgjedhjet. Politikanët tanë (dhe mediet) do ta quanin komuniste ose majtiste.

Dua të them, njëri nga gabimet që ndërlidhet me botëkuptimin majtist dhe djathtist në Kosovë është se partitë tona politike e promovojnë djathtizmin e tyre, por duke e kritikuar majtizmin. Ndërsa mediet (e helmuara nga paragjykimi) as nuk pyesin pse. Takimi i kryetarit të AKR, Behxhet Pacolli, me kryetarin e PS në Shqipëri, Edi Rama, këtu në Kosovë nga politikanët tanë u trajtua si “diçka e keqe”.

Tuneli Rrëshen-Kalimash u shemb. Ky është fakt. E tash, nëse ai tunel do të hapet përsëri, atëherë ajo punë do të ketë një kosto, një faturë. Gjërat e shembura mund të ndërtohen e rindërtohen përsëri. Ky nuk është problem. Por i ashtuquajturi djathtisti Sali Berisha e përdori atë rrugë e atë tunel për promovim politik. Pra, tuneli iu shemb, ndërsa, siç po duket, së shpejti do t’i shembet edhe qeveria. Pra, qeveria e Berishës mund të shembet si tuneli i Kalimashit, nëse nuk ndërmerren masat parandaluese (hapja e kutive ose zgjedhjet e parakohshme parlamentare).

Ajo që vlen të thuhet si përfundim është që kosovarët duhet të mos vazhdojnë t’i marrin gjërat me zemër, kur flitet për raste të tilla. Rasti i qeverisë së Sali Berishës dhe rasti i tunelit të Kalimashit mund të jenë të qëndrueshëm mediatikisht, por ato i thyen realiteti. Dihet që kosovarët përgjatë tërë historisë së tyre kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë prirje t’i besojnë më shumë medieve sesa realitetit, sepse, po e përsëris, i marrin gjërat me zemër e jo me tru.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›