Një proces i kompromentuar pa filluar endeNga Panajot BarkaDitët e fundit në Gjykatën e rrethit gjyqësor Gjirokastër, gjyqtari Guxim Boçi solli edhe një argument më bindës se ligji dhe drejtësia janë pronë e njerëzve që kanë për detyrë të mbrojnë lig
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Një proces i kompromentuar pa filluar endeNga Panajot BarkaDitët e fundit në Gjykatën e rrethit gjyqësor Gjirokastër, gjyqtari Guxim Boçi solli edhe një argument më bindës se ligji dhe drejtësia janë pronë e njerëzve që kanë për detyrë të mbrojnë ligjshmërinë dhe të ekzekutojnë drejtësinë dhe se këto dy elemente të garantimit të barazisë së individëve në një shoqëri janë mjete këmbimi në favor të interesave private të gjyqtarëve të këtij kallëpi. Nga ana tjetër, vërtetoi se rrethi i njerëzve të fuqishëm të urbanistikës, që i shkaktuan edhe Gjirokastrës goditjen fatale në ndërtim, është i paprekshëm. Po ashtu, frika se mos çështje të tilla zbulojnë këtë makabritet në aktivitetin e personave konkretë, që abuzojnë me detyrën e shtetit, është evidente. Si të tilla ato po kthehen në vërtetim të vlerësimit popullor se mbulimi i tyre ka një kosto të lartë ekonomike ose kthehen në një formë të ri-shpërndarjes në rrethin e drejtësisë të fitimit të paligjshëm dhe abuziv.
Më 17.11.2009, ky gjyqtar dha vendimin në lidhje me një çështje penale në ngarkim të disa të pandehurve, punonjës në sektorin publik dhe privat të sferës së urbanistikës, për falsifikim të dokumenteve dhe shpërdorim detyre. Midis tyre përgjegjësi i Zyrës Urbanistike të Bashkisë Gjirokastër, ish-përgjegjësi i Zyrës Urbanistike të Këshillit të qarkut, ish-kryetari i Policisë Ndërtimore, dega Gjirokastër, ish-drejtori i Hipotekës, po të Gjirokastrës etj.
Një pjesë prej tyre ishin të pandehur edhe për çështjen e pallatit të rrëzuar në nëntorin e vitit 2008, ku humbën jetën tre persona. Siç dihet, gjykata i nxori “të pafajshëm”.
Gjyqtari Guxim Boçi dha edhe në këtë çështje pafajësi, si për ta, ashtu edhe për bashkë të pandehur të tjerë. I vetmi që mori dënim në këtë çështje nga gjyqtari Boçi ishte një minoritar grek.
Thelbi i çështjes për të cilën gjykoheshin të lartpërmendurit ka të bëjë me faktin se njëri nga të pandehurit ka ndërtuar në Gjirokastër një objekt pa leje ndërtimi, pra të kundërligjshëm. Nëpërmjet falsifikimit të dokumenteve dhe shpërdorimit të detyrës nga personat publikë i pandehuri ka arritur dhe ka hipotekuar një pjesë të objektit. Jo vetëm kaq, por objektit iu dha leje shfrytëzimi, kur ishte i papërfunduar dhe kur në të vazhduan edhe pas hipotekimit ndërtime të paligjshme. Vërtetimi i kësaj situate u bë nga disa institucione shtetërore. Së pari, nga institucioni i Avokatit të Popullit, i cili i rekomandoi prokurorisë së Gjirokastrës fillimin e çështjes penale, së dyti nga Policia Ndërtimore në Tiranë, sot, Inspektorati Kombëtar Urbanistik, së treti nga mediet, (me çështjen u mor dy herë emisioni “Fiks Fare”) dhe së fundi nga prokuroria e rrethit Gjirokastër, e cila nisi çështjen penale dhe në fund të gjykimit kërkoi dënimin e të pandehurve me burgim nga disa muaj deri në një vit, si dhe gjoba të ndryshme.
Me çështjen tanimë të gjykuar janë njohur të gjitha nivelet administrative e politike në vend, Presidenti i Republikës, kryeministri, ministrat përkatës, organizmat ndërkombëtarë etj., si e tillë përbënte një test për autoritetin e drejtësisë.
Por ndodhi totalisht e kundërta. Faji mbeti jetim gjatë gjykimit
1. U vu dukshëm re dhe mund të konstatohet lehtësisht se objektin e kësaj çështjeje e përbënte një ndërtim i kundërligjshëm, pa leje ndërtimi, i cili nuk u prish si i tillë, por u hipotekua pas një serie falsifikimesh e manipulimesh të dokumenteve shtetërore. Ndërtimi i objektit të kundërligjshëm ishte pasojë e veprimit apo mosveprimit të institucioneve publike e shtetërore në favor të shkelësve të ligjit. Megjithatë, në vendimin e saj gjykata nuk gjeti asnjë fajtor.
2. Në procesin e gjykimit të çështjes, gjyqtari G. Boçi ka abuzuar me një nen të K. Pr. Penale dhe e ndau çështjen në dy pjesë, pa marrë parasysh faktin se nga ky veprim u dëmtua vërtetimi i fakteve, pasi të pandehurit kanë vepruar në grup, si pjesë të një zinxhiri.
Ndarja e çështjes u bë me qëllim nga gjykatësi. Ai nuk mund të merrte përsipër çlirimin nga faji të të gjithë të pandehurve. Shpëtimi nga faji i atyre në mbrojtje të tij mund të bëhej më lehtë duke dëmtuar pikërisht procesin e vërtetimit të fakteve në gjykim. Kjo u arrit me përjashtimin nga procesi të një pjese të bashkëpunëtorëve në falsifikim dokumentesh dhe në shpërdorim të detyrës shtetërore. Fakti që një apo disa të pandehur të një grupi të pandehurish të njërës çështje thirren si dëshmitarë në çështjen e ndarë prej saj dhe jo si të baras-pandehur, vërteton më së miri këtë.
3. Gjyqtari G. Boçi për të marrë një vendim pafajësie për grupin e tij të të pandehurve abuzoi shumë rëndë me faktin, nëse kishte apo jo leje ndërtimi objekti i ndërtuar dhe i hipotekuar. Kjo është një çështje tjetër manipulimi e falsifikimi, ku vetë gjyqtari G. Boçi është pjesëmarrës.
Në vitin 2001 pronari i objektit, i pandehur në këtë çështje, kishte ndërtuar pa leje ndërtimi dhe në bazë të një projekti totalisht të ndryshuar nga ai i parashikuar nga KRrT i bashkisë për atë shesh ndërtimi konstruktin e tri kateve të para. Në atë kohë, iu drejtua KRrT së bashkisë me kërkesën për shtesë kati. Në vendimin e KRrT çuditërisht shënohet leje ndërtimi (e re) për një pallat 5-kate+dyqane. (Projekti i ligjshëm parashikonte shtëpi banimi me dy kate.) Duke konstatuar këto shkelje dy kryetarë bashkish radhazi nuk pranuan zbardhjen e vendimit në fjalë të KRrT. Pra, nga pikëpamja juridike vendimi nuk është i vlefshëm. (Kemi precedentin, të cilit iu referua kryeministri Berisha për të prishur mbikalimin e “Zogut të Zi” në kryeqytet). Pas pesë vjetësh, më 2006, gjyqtari G. Boçi në kundërshtim me ligjin merr një vendim gjyqësor për të detyruar bashkinë ta zbardhë këtë vendim. Gjykata e Apelit e rrëzoi vendimin e tij si të paligjshëm.
Me të njëjtat pretendime dhe manipulime, të shprehura në vendimin e tij të datës 17.11.2009, gjyqtari Boçi mundohet t’i shpëtojë nga faji të pandehurit në mbrojtje të tij.
P.sh., për të shmangur fajin e kolaudatorëve që e kryen atë pa dokumentin bazë, siç është leja e ndërtimit, gjyqtari “arsyeton” se ata kryen kolaudimin, pasi de facto pronari e kishte lejen e ndërtimit për objektin e tij. Dhe nuk merr parasysh faktin se në dosjen e kolaudimit, të lejes së shfrytëzimit të objektit dhe në hipotekë është leja e falsifikuar e një objekti tjetër.
Në vijim, për të shpëtuar nga përgjegjësia Zyrën Urbanistike që ia përcolli dosjen KRrT për dhënien e lejes së shfrytëzimit të objektit, gjyqtari e merr të mirëqenë dhe të ligjshëm aktin e kolaudimit. KRrT shmanget nga përgjegjësia e mungesës së lejes së ndërtimit në dosje, se kështu ia përcolli Zyra e Urbanistikës. Zyra e hipotekës nuk mban përgjegjësi, pasi dosja “ i erdhi e puthitur” nga bashkia e kështu me radhë.
Ndërsa për të shpëtuar një kategori tjetër të pandehurish, siç është rasti i ish-kryetarit të Policisë Ndërtimore të Gjirokastrës, gjyqtari nuk merr parasysh as rekomandimin e Avokatit të Popullit, as urdhëresat e eprorëve ndaj këtij të pandehuri e as ligjin për mosveprim të dukshëm dhe të papërligjur në marrjen e vendimeve përfundimtare në lidhje me këtë objekt të paligjshëm. Mjaftohet thjesht në deklaratat e të pandehurit.
Evident mbetet fakti se dhënia e pafajësisë ndaj të pandehurve buron edhe nga fakti se kallëzimi penal në prokurori për këtë çështje u bë nga ana ime, pas një investigimi të gjatë dhe të motivuar nga fakti se nga ky ndërtim isha i dëmtuar i drejtpërdrejtë. Në këtë plan gjyqtari, me sa duket, u bë palë më e dukshme me të pandehurit, të cilët në mënyrë provokative kërkonin të mos dënoheshin ata, se me dënimin e tyre fitonte një minoritar grek ose “një horofillaj grek”, siç kishin qejf ata të më karakterizonin.
Për këtë flet edhe fakti se i vetmi nga të pandehurit që mori dënim nga ky trup gjykues në këtë çështje, ishte po një minoritar grek. (!!)
Së fundi dua të theksoj se organet shtetërore, që mbikëqyrin drejtësinë, ishin paralajmëruar për një proces të kompromentuar sa pa filluar. Përgjigjja e dhënë ishte se ligji nuk lejon monitorimin e proceseve gjyqësore. Veçse në përfundim të procesit gjyqësor, palët ose të interesuarit mund të ankohen. Presim reagimin e tyre.