E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhduket 17-vjeçarja, policia heton pistën e trafikimit

Autori i Lajmit: red.
Ishte larguar nga shtëpia për të bërë pazar, por kanë kaluar gjashtë ditë dhe nuk është kthyer ende. Familjarët kanë pritur që 17-vjeçarja të kthehej në shtëpi si zakonisht, por vonesa e saj ka alarmuar prindërit. Këta të fundit e kanë kërkuar vajzën te gjithë të afërmit dhe kanë duruar plot pesë ditë që vajza të kthehej në shtëpi. Mungesa e saj e tejzgjatur ka detyruar prindërit t i drejtohen policisë, e cila pas denoncimit ka nisur menjëherë kërkimet për 17-vjeçaren nga Devolli. Vonesa e kallëzimit në polici duket se ka vështirësuar punën e këtyre të fundit për zbardhjen e ngjarjes dhe rënien në gjurmët e 17-vjeçares. Burime nga policia bëjnë të ditur se në hetimet paraprake pista kryesore e hetimeve, pas marrjes së dëshmive nga të afërmit, është ajo e rrëmbimit për qëllime trafikimi.
Zhdukja
Një 17-vjeçare nga fshati Gracë i rrethit të Devollit, që prej 5 ditësh është zhdukur nga shtëpia e saj dhe familjarët nuk dinë asgjë për të. Ajo quhet Arjana Qirizi dhe, sipas njerëzve të familjes së saj, ditën e premte është larguar në mëngjes duke i hipur furgonit drejt Bilishtit, siç bënte zakonisht. Më pas familja ka pritur që të kthehet vajza, por që prej 5 ditësh nuk ka asnjë informacion për të. Ajo ishte fëmija i tretë i kësaj familjeje. Familja ka lajmëruar komisariatin e policisë Devoll, i cili është vënë në kërkim të 17-vjeçares, e cila ka mbaruar vitin e 3-të të shkollës së mesme në fshatin Hoçisht. Sipas familjarëve, vajza nuk kishte asnjë konflikt dhe nuk kishin konstatuar të kishte ndonjë të dashur, që mund të ishte larguar me të.
Hetimet
Gjithçka ka nisur me bledhjen e dëshmive nga familjarët dhe të afërm të vajzës, të cilët nuk kanë dijeni për ndonjë lidhje të mundshme të 17-vjeçares. Ndërkohë fotoja e saj është shpërndarë në të gjitha pikat e kalimit kufitar. Burime nga uniformat blu bëjnë të ditur se fakti, që familja ka denoncuar rastin pesë ditë pas zhdukjes së vajzës, vështirëson kërkimet e policisë. Një tjetër pistë e mundshme është dhe ajo e largimit të saj jashtë kufijve, por nuk mund të jepet ende një version i saktë, bëjnë të ditur burime nga policia.

Depresioni, vetëvaret 62-vjeçari
Vetëvaret në oborrin e banesës së tij në një fshat të Tiranës. Ngjarja ka ndodhur dje në fshatin Mumajes të komunës së Baldushkut në Tiranë. Burime zyrtare nga policia bëjnë të ditur se viktima është 62-vjeçari Besim Gjata. Sipas policisë, Gjata vuante prej kohësh nga depresioni dhe ky mendohet se ka qenë edhe shkaku që ai i ka dhënë fund jetës. Në këtë përfundim ka mbërritur edhe grupi hetimor, pas mbledhjes së dëshmive paraprake për ngjarjen. Ndërkohë, për hetimin e plotë të kësaj ngjarjeje hetuesit e çështjes po shqyrtojnë edhe dëshmitë e familjarëve të viktimës. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 20:35, të dy ditëve më parë. Menjëherë në vendin e ngjarjes shkoi grupi hetimor me qëllim për të zbardhur tërësisht rrethanat dhe shkaqet e kësaj ngjarjeje. Burimet zyrtare nga policia pohuan se u konkludua se viktima Besim Gjata, 62 vjeç, është vetëvarur. Më pas grupi i hetimit ka mbledhur dëshmitë e familjarëve të viktimës, rezultoi se viktima, prej disa kohësh vuante nga depresioni nervor. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Ky lajm është publikuar: 13/08/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›