E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria e Kosovës hedh poshtë akuzat e AAK-së

Prishtinë, 18 gusht - Nuk janë zhvilluar bisedime të fshehta në mes të përfaqësuesve të Qeverisë së Kosovës dhe të Serbisë dhe as që do bëhen në të ardhmen.
Kështu është shprehur zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi, pak minuta pas konferencës së nënkryetarit të AAK-së, Ardian Gjini, i cili ka akuzuar zyrtar të lartë të ekzekutivit kosovar se janë duke zhvilluar bisedime të fshehta me përfaqësues të politikes serbe.  
“AAK nuk ka thënë asgjë dhe për këtë ne e kemi njoftuar opinionin publik se nuk ka asgjë për të thënë. Ajo që ne e kemi deklaruar vazhdimisht në ditët e fundit, është konfirmuar edhe prej vetë atyre që i kanë lansuar këto shpifje në opinionin publik dhe ajo që unë mund të them është që kjo parti e ka për obligim që ti kërkoj falje publike Qeverisë së Kosovës por në radhë të parë qytetarëve të Kosovës për këto shpifje ordinere dhe për mbajtjen në tension publik për ditë më radhë... Ne ju kemi thënë dhe ju konfirmojmë edhe njëherë se nuk ka pasur kurrfarë bisedime sekrete dhe me Serbinë mund të ketë vetëm bashkëpunim ndërshtetëror siç është deklaruar shumë herë nga ana e institucioneve të Qeverisë së Kosovës por jo bisedime apo negociata”, kështu ka deklarur zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi.
Ndërsa, i ka hedhur poshtë pohimet e bëra për mundësisë që kryeministri Thaçi të jetë takuar me presidentin serb Boris Tadiq në muajin e kaluar në Budva të Malit të Zi në kohen kur po takohej me homologun malazias, Milo Gjukanoviq.
“Për takimin Budva ju jeni njoftuar edhe zyrtarisht. Ky ka qenë një takim me kryeministrin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, por për të gjithë ata që nuk e dinë gjeografinë e rajonit tonë ne mund t’ju tregojmë se Mali i Zi ka shpallur pavarësinë nga ish Federata Serbo-Malazeze para shumë vitesh dhe është shtet i pavarur, ka qeveri tjetër dhe ka udhëheqës tjerë”, tha Krasniqi.
Ndërkohë, Krasniqi ka bërë të ditur se kryeministri i Kosovës, me anë të një vendimi ka pezulluar të gjitha vizitat e zyrtarëve serb që planifikojnë ti bëjnë në Kosovë, dhe sipas tij ky vendim do të jetë në fuqi deri në rastin e zëvendësimit me një të ri.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›