E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria e Kosovës hedh poshtë akuzat e Martit

Qeveria e Kosovës ka hedhur poshtë raportin e raportuesit të Këshillit të Evropës, Dik Marti, i cili ka akuzuar liderët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës se në vitin 1999 kanë organizuar rrëmbimin e njerëzve të cilëve në Shqipëri u janë marrë organet për trafikim.

“Sot, në të përditshmen “ The Guardian “ u publikua një artikull i cili thirret në një raport të anëtarit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Dik Marti, i cili është në vazhdën e raporteve të cilat janë publikuar në 12 vitet e fundit dhe që kanë pasur për qëllim njollosjen e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të udhëheqësve të saj“, thuhet në deklaratën e Qeverisë së Kosovës.

Në deklaratë thuhet se pretendimet e botuara në “The Guardian“ janë hetuar disa herë nga drejtësia vendore dhe ndërkombëtare, dhe në të gjitha rastet është konstatuar që deklarimet e tilla kanë qenë të pabazuara në fakte dhe të konstruktuara me qëllim të dëmtimit të imazhit të Kosovës dhe të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës“.

“Është e qartë se dikush dëshiron të pengoj kryeministrin Hashim Thaçi pas zgjedhjeve parlamentare, në të cilat qytetarët e Kosovës, në mënyrë të qartë dhe masive i dhanë besimin për të vazhduar programin zhvillimor dhe qeverisjen e vendit tonë”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Qeveria e Kosovës.


“Opinioni i gjërë vendor dhe ndërkombëtar tashmë e di fare mirë se Dik Marti që nga fillimi, pa u mbështetur në asnjë fakt dhe argument, ka qenë paragjykues dhe i vendosur që të raportojë në favor të qëndrimeve që ka shprehur bashkëpunëtorja dhe mikja e tij Karla Del Ponte dhe Qeveria e politikanët e Republikës së Serbisë“, thuhet ne komunikaten për media të lëshuar nga Qeveria në Prishtinë.

Qeveria e Republikës së Kosovës dhe kryeministri Hashim Thaçi thuhet në deklaratë ,do të ndërmarrin të gjithë hapat dhe veprimet e nevojshme për të kundërshtuar shpifjet e Dik Martit, duke përfshirë edhe rrugët ligjore dhe politike”.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›