E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria e Kosovës, më e madhja në rajon

Nëse shtohet edhe zyrtarisht Ministria e Diasporës, Kosova do të bëhet me 19 ministra, 30 zv.ministra dhe 6 zv.kryeministra, duke plotësuar kabinetin më të gjerë qeveritar në rajon.Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk ka preferuar të heqë dorë nga dy ministri për të arritur marrëveshjen me AKR-në, e cila kërkoi pikërisht dy ministri më shumë për të qëndruar në koalicionin qeveritar pas lënies së Presidencës. Thaçi duket se edhe zyrtarisht shumë shpejt do të shpallë formimin e Ministrisë së Diasporës, e cila do ti jepet AKR-së. Kështu, atij i duhet të largojë nga kabineti vetëm njërin nga njerëzit e tij të besuar të punës, gjithmonë nëse nuk krijohet ndonjë tjetër pozicion zyrtar, për cilindo ministër të PDK-së që do të hapë krahun për një njeri nga AKR-ja. Deri tani, në rajon ka 19 ministri vetëm Maqedonia, e cila nuk ka 30 zv.ministra, që do të thotë se sërish ka një kabinet më të ngushtë se Kosova. Sipas gazetës së përditshme, Zëri, krijimi i Ministrisë së Diasporës dhe largimi i një ministri të PDK-së nga qeveria është haraçi që i pari i qeverisë do të paguajë për ta mbajtur kabinetin e tij në këmbë. Me Ministrinë e Diasporës, qeveria do të ketë 19 ministra, numri i zëvendësministrave do të shkojë mbi 30 dhe gjashtë zëvendëskryeministra, duke formuar një kabinet me 55 anëtarë. Zëri e ka krahasuar Kosovën edhe me Shqipërinë, që ka 15 ministri me pothuajse dyfishin e popullsisë së Kosovës. Ndërsa Mali i Zi ka 16 ministri. Duke mos kaluar në raste brenda BE-së , si Gjermania, e cila ka vetëm 14 dikastere. Sipas Zërit, Kosova prin edhe sa i përket numrit të zëvendëskryeministrave dhe zëvendësministrave. Por ka shumë gjasa që të paktën një zëvendëskryeministër të largohet shumë shpejt nga posti, madje që të martën. Njeriu që nuk do të jetë pjesë e Qeverisë së Thaçit, është Behgjet Pacolli, që më në fund duket se ka reflektuar sa i duhej për të kuptuar se posti i Zëvendëskryeministrit nuk i përshtatet. Prej disa ditësh në mediat e Kosovës përflitej se Pacolli është bërë pishman pse ka pranuar dy javë më parë postin e zëvendëskryeministrit. Por, Koha Ditore ka mësuar nga një burim shumë i afërt me Pacollin, se nesër ai do të bëjë deklaratën zyrtare të tërheqjes nga posti i zv.kryeministrit. Pacolli dëshiron që, qysh tash, të nisë përgatitjet për të kandiduar për postin e Presidentit të Kosovës në zgjedhjet e ardhshme. Ai nuk po e sheh veten person të qëlluar për postin e zëvendëskryeministrit, tha burimi i KD-së. Pacolli u emërua zëvendëskryeministër nga Hashim Thaçi, pak ditë pasi hoqi dorë nga ideja për tu paraqitur si kandidat i koalicionit qeverisës për President, duke evituar bojkotin e opozitës në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit. Pacolli e kreu detyrën e Presidentit të Kosovës për 35 ditë, duke u detyruar të hiqte dorë prej tij pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, se mënyra se si kishte shkuar votimi në Kuvend ishte jokushtetuese.

Rexhepi: Nuk dëgjoj Vetëvendosjen

Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Bajram Rexhepi, ka reaguar ndaj kërkesës së Vetëvendosjes për dorëheqjen e tij, për shkak të dhunës së policisë ndaj shikuesve në ndeshjen e basketbollit, Prishtina-Bambi. Unë nuk i dëgjoj fjalët e Vetëvendosjes, sepse kam punë më të rëndësishme sesa ti dëgjoj fjalët e tyre, kështu që absolutisht ato nuk i kam regjistruar fare në tru, veç hyrje-dalje, është shprehur Rexhepi.

Regjistrimi në Kosovë nga Serbia, i papranueshëm

Ministri i Administratës Publike në Qeverinë e Kosovës, Mahir Jagcilar, ka reaguar pas pretendimeve serbe se në muajin tetor të zhvillojnë një proces tjetër të regjistrimit në Kosovë. Ai e ka quajtur të papranueshëm synimin e Beogradit për të kryer regjistrimin në Kosovë. Në një prononcim për gazetën Koha Ditore në Prishtinë, Jagcilar tha se Një proces i regjistrimit të popullsisë në Kosovë nga Serbia nuk është i pranueshëm. Kjo është një çështje që për të mund të vendosim edhe me ministritë e tjera dhe në qeveri, por, për sa i përket procesit të një regjistrimi të tillë, unë mund të them se rezultatet e tij janë të pavlefshme. Jagcilar ka sqaruar se Ne jemi në bisedime me Komisionin Europian dhe me UNOPS-in që të bëjmë regjistrimin dhe rezultatet e këtij regjistrimi do të jenë për krejt territorin e Kosovës. Rezultatet e regjistrimit vetëm me Komisionin Europian, UNOPS-in, janë të pranueshme dhe ky është edhe qëndrimi i EUROSTAT-it.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›