Tahiri: Deklaratat për ndarje, provokim nga Serbia
Zëvendëskryeministrja, Edita Tahiri, ka hedhur poshtë idenë se ndarja e Kosovës mund të jetë pjesë e bisedimeve me palën serbe. Një ditë më parë, kreu i delegacionit serb për negociatat me Kosovën, Borko Stefanoviç, nuk e përjashtoi diskutimin për asnjë çështje, duke përfshirë edhe statusin e Kosovës, edhe ndarjen e Veriut. Por kjo deklaratë u cilësua nga Edita Tahiri, kryenegociatore e ekipit të Kosovës për bisedimet e reja, si provokim që mund të rrezikojë stabilitetin e rajonit. Dihet qartë qëndrimi ynë. Koncepti i dialogut është për këtë çështje teknike dhe asnjëherë nuk do të pranohen temat politike. Mund të them se idetë e tilla që kanë ardhur nga Serbia dhe Z. Stefanoviç janë ide destabilizuese për rajonin. Ne si qeveri e Kosovës udhëheqim me politika progresive për të forcuar stabilitetin dhe paqen në rajon, si rrugë për integrimin europian, tha Tahiri për gazetën kosovare, Express. Ndërkohë, ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, ka përgënjeshtruar zërat se i janë marrë kompetencat që të merret me Kosovën dhe rajonin. Mediat serbe kanë shkruar se Jeremiç është duke punuar vetëm me shtetet e painkuadruara, për shkak se me rajonin merret Presidenti Boris Tadiç, me Kosovën drejtori politik Borko Stefanoviç, ndërsa me integrimet europiane Bozidar Djeliç. Kur është fjala për dialogun me Prishtinën, Ministria e Punëve të Jashtme, si dhe të gjitha institucionet e tjera shtetërore, ofrojnë mbështetjen e domosdoshme juridike dhe diplomatike për ekipin negociator të Qeverisë së Serbisë e sipas nevojës edhe takohemi, tha Jeremiç. Sipas tij, përmes bisedimeve do të përmirësohet jeta e serbëve në Kosovë. Procesi sapo ka filluar, shpresoj se së shpejti do të pasojnë edhe rezultatet e para, tha ai duke iu referuar përmirësimit të kushteve në terren.
Takimet serbe
Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, ka deklaruar se këtë javë do të bisedojë në Beograd me ministrin e Jashtëm kinez si dhe me shefin e diplomacisë së Azerbajxhanit për marrëdhëniet dypalëshe, por kryesisht për Kosovën. Ai shtoi se do të përfaqësojë Serbinë në seancën për Kosovën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke konfirmuar edhe një herë se nuk është anashkaluar për çështjen e Kosovës.