E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria e Kosovës po bën një “privatizim të egër”

Drejtues të Partisë Socialiste së Kosovës kanë adresuar kritika ndaj procesit të privatizimit në vend, ndërsa kërkuan që asetet e ndërmarrjeve të mëdha shoqërore të mbesin në pronësi të shtetit.

Në një konferencë për media të dielën, kryetari i Partisë Socialiste të Kosovës Ilaz Kadolli ka kundërshtuar mënyrën se si po bëhet privatizimi i ndërmarrjeve, duke thënë se asetet e ndërmarrjeve të mëdha shoqërore duhet të mbeten në pronësi të shtetit të Kosovës.

“Qeveria e Kosovës, koalicioni PDK- LDK sot në Kosovë po bënë një privatizim të egër, e cila është në gjendje të privatizojë edhe pasurinë private e lëre më pasurinë shoqërore të qytetarëve të Kosovës. Konsiderojmë se privatizimi në Kosovë duhet të ndodhë, mirëpo në pronësi të shtetit të Kosovës duhet të mbesin asete më të mëdha. Kjo nënkupton që Kosova të jetë zot i vetvetes në të ardhmen”, ka thënë Kadolli, transmeton Kosovapress.

Ai ka thënë se Partia Socialiste e Kosovës dhe Iniciativa Sociale, pas bisedimeve paraprake, në të cilat në mënyrë reciproke u konstatua interesi i përbashkët për bashkëpunim të përhershëm, kanë nënshkruar sot një marrëveshje bashkëpunimi në interes të dy subjekteve dhe qytetarëve të Kosovës.

Kadolli nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje e ka cilësuar si një ngjarje e shënuar për të majtën në Kosovë, duke thënë se shoqëria jonë ndodhet në një krizë politike, ekonomike, dhe morale, andaj nevojiten transformime demokratike për konsolidimin e jetës politike në vend.

Kryetari i IS-së, Kreshnik Husaj, ka thënë se dokumenti i nënshkruar është pjesë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet këtyre dy subjekteve politike të orientimit të majtë në Kosovë.

“Memorandumi i përbashkët sot që nënshkruam tregon një efikasitet në punën e të dypalëshe si të Partisë Socialiste të Kosovës edhe të Iniciativës Sociale. Është një bashkëpunim, i cili do të pritet të zgjatë deri në zgjedhjet e përgjithshme ku ka gjasa të përbashkëta të futjes edhe në zgjedhje”, tha ai.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›