E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria e Kosovës:150 mijë euro për festimet e Pavarësisë

Prishtinë - Qeveria e Kosovës ka akorduar një fond prej 150 mijë eurosh për festimet e ditës së pavarësisë më 17 Shkurt në Kosovë. Gjatë mbledhjes së qeverisë, kabineti i drejtuar nga Kryeministri Thaçi ka vendosur për ecurinë e programit. Taçi me këtë rast ka falënderuar të gjithë ministrat, të gjitha institucionet për punën që është bërë në vitin e parë të pavarësisë, për zotimet për të ardhmen e vendit për të ndërtuar rend demokratik dhe integrim në BE dhe NATO.

Në vazhdim Zv.kryeministri Hajredin Kuçi para kabinetit qeveritar prezantoi programin e festimit me 17 shkurt,që do të organizohen në bashkëpunim të qeverisë, presdiencës dhe kryesisë së kuvendit. Sipas Kuçit këto aktivitete do të fillojnë më datën 17 shkurt në orën 11 me një mbledhje solemne të Kuvendit të Republikës, ku do ti adresohen Kuvendit dhe qytetarëve, presidenti, kryeministri, edhe kryeparlamentari. Po këtë ditë do të jetë një defilim për nxënësit dhe për të gjithë qytetarët, që është titulluar “Ecja në pavarësi”.

Në orën 18 do të jetë koncerti i Filarmonisë së Republikës së Kosovës, që mbahet nën patronazhin e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Në orën 21 do të jetë një koncert madhështor në Prishtinë, por edhe në qytete tjera të Kosovës. Në orën 22:00 është paraparë ndezja e fishek-zjarreve, edhe në Prishtinë, por edhe në të gjitha qytetet e Republikës së Kosovës. Për mbulimin e këtyre aktiviteteve Qeveria e Kosovës sot ka ndarë një shumë prej 150 mijë euro.

Për Start nga Prishtina, Hajdin ISLAMI

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›