E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria e Maqedonisë votohet së shpejti

Nga Express më 17 korrik 2011 në ora 13:40

Burime pranë parlamentit të Maqedonisë deklaruan se kabineti i ri qeveritar do të votohet sa më shpejt, me qëllim të mos humbjes së kohës.

Parlamenti pritet që në fillim të javës së ardhshme të votojë qeverinë e re të koalicionit midis VMRO-DPMNE dhe BDI.

Mandatari Nikola Gruevski të premten dorëzoi pranë Parlamentit, propozimet për kabinetin qeveritar dhe programin e ri qeveritar, ndërsa sipas afateve kushtetuese, procesi i votimit duhet të zhvillohet brenda 15 ditëve nga dita e dorëzimit.

Në kabinetin e ri qeveritar prej 22 ministrave, vetëm gjashtë prej tyre janë kandidatë të rinj dhe që për herë të parë ulen në kolltukët e ministrave. Partia shqiptare BDI do të udhëheq me 5 ministri dhe dy poste zëvendës-kryeministrore.

Pjesa më e madhe e ministrave i takojnë përbërjes së qeverisë së kaluar.

Figura të reja në detyrat e ministrave janë Nikolla Popovski – ministër i jashtëm, Valon Saraçini – ministër i Ekonomisë, Pançe Kralev – ministër i Arsimit, Blerim Bexheti – ministër i Drejtësisë, etj.

Programi qeveritar do të përbëhet nga platformat e VMRO-DPMNE dhe BDI.

Partia shqiptare theksoi se në programin qeveritar janë përfshirë disa nga pikat kryesore të platformës së saj politike në planin e përmbylljes së Marrëveshjes së Ohrit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›