Po vjedhin pa frikë
Kosova ende nuk e ka një ligj për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme. Drejtues të Komisionit për Legjislacion në Kuvendin e Kosovës, Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe përfaqësues të shoqërive civile thonë se ekziston mundësia për hartimin dhe miratimin e tij, por mungon vullneti politik i Qeverisë.
Sipas tyre, zvarritja po u konvenon disa zyrtarëve të Qeverisë, të cilët po pasurohen “brenda nate”.
Arben Gashi, kryetar i Komisionit për Legjislacion, kërkon që Ministria e Drejtësisë të hartojë sa më shpejt këtë ligj dhe të dërgohet për miratim në Kuvend. “Mungon vullneti politik i qeverisë dhe përkrahësve të tyre në Kuvend që të hartojnë këtë ligj”, ka thënë Gashi.
Ndërkaq, drejtues të Agjencisë Kundër Korrupsionit shprehin shqetësimin se si zyrtarët po pasurohen “brenda natës”. Drejtori i AKK-së, Hasan Preteni, thotë se me ligjin për konfiskimin e pasurisë së paligjshme duhet të rregullohet edhe çështja e konfiskimit të pasurisë së jashtëligjshme, që do të ndihmonte në parandalimin e korrupsionit. Ai nuk është në dijeni nëse qeveria po punon në hartimin e këtij ligji, por thotë se viti 2012 nuk duhet ta gjejë Kosovën pa të.
“Qytetari i vendit çdo ditë i sheh produktet e padëshirueshme të korrupsionit. Është vështirë dhe ka probleme shumë organi i ndjekjes të gjejë një lidhje kauzale në mes të pasurisë së krijuar dhe punës konkrete që bëhet.
Mirëpo, ne produktet po i shohim, zyrtarët në afate të shkurtra po pasurohen në mënyrë marramendëse, ndërkohë që të gjitha pagat janë publike dhe dihet kush çfarë page merr. Mirëpo, të krijosh milionat, një pasuri të patundshme në një afat shumë të shkurtër është e pajustifikueshme. Shumica e pasurisë që zyrtarët e kanë, është krijuar në mënyrë të paligjshme”, ka thënë Preteni.
Përfaqësues të shoqërisë civile thonë se fillimisht duhet të ketë vullnet institucional për luftimin e korrupsionit – vullnet që duhet pasuar me miratimin e ligjeve që lidhen drejtpërdrejt me këtë luftë. Avni Zogiani, drejtues i “Çohu”, konsideron se Kosova ka nevojë për një rishikim të tërësishëm të infrastrukturës ligjorë kundër korrupsionit.
“Shumica e liderëve të rëndësishëm në politikë janë shndërruar në milionerë. Ka pasur të tillë që kanë jetuar me qira në Prishtinë, pastaj për një kohë të shkurtër janë shndërruar në milionerë. Kjo, natyrisht, është një arsye e fortë për të besuar që ekziston një sistem, i cili tërësisht është i korruptuar. Përvojat tona me njerëzit që denoncojnë tregojnë se ekziston edhe evidencë, por nuk ekziston vullneti për të luftuar korrupsionin”, ka thënë Zogiani.
Sipas një raporti të publikuar, lidhur me nivelin e korrupsionit, nga Transparency International, Kosova renditet e 110-ta me një vlerësim prej 2.8 pikë në mesin e 178 shteteve të botës.