Qeveria e Shqipërisë: Vetëvendosje sikur serbët

“Ministria e Punëve të Jashtme dënon thirrjet ekstremiste të disa shqiptarëve në Kosovë dhe në Shqipëri për bllokimin e pikave kufitare me Serbinë”, thuhet në fillim të komunikatës së MPJ’së së Shqipërisë.
“Veprime të tilla, si imitim i politikave ekstremiste serbe, nuk kanë asgjë të përbashkët me sakrificat dhe përpjekjet konstruktive mbarëshqiptare për ndërtimin e shtetit demokratik të Kosovës dhe të një shoqërie multietnike, të një shteti që ndërton dhe zhvillon marrëdhënie të mira me fqinjët, në shërbim të paqes e stabilitetit në Kosovë e rajon”, vazhdon komunikata.
MPJ thotë se përdorimi i retorikës nacionaliste e pseudo-patriotike, në funksion të agjendave politike partiake, nuk i shërben aspak objektivave madhore të shqiptarëve për integrimin e secilit nga shtetet ku ata jetojnë në trojet e tyre, në Bashkimin Europian, dhe nuk ndihmojnë në njohjet e reja për shtetin e ri të Kosovës.
“Shprehim besimin se energjitë e këtyre forcave politike duhet të fokusohen në procesin e reformave të brendshme që çojnë në konsolidimin e shtetit demokratik të Kosovës, të integrimit të gjithë komuniteteve, dhe të marrëdhënieve të hapura bazuar në respektin reciprok midis shteteve të pavarura e sovrane”, thuhet në komunikatën e MPJ’së së Shqipërisë.