Dacic: Makolli në Serbi vetëm si qytetar, jo si ministër

”MPB nuk është informuar se është arritur marrëveshje që politikanët e Kosovës të vijnë në Serbi për të kryer funksionet e veta politike. Çdokush mund të vjen si qytetar i zakonshëm, jo si ministër i ashtuquajtur i diasporës”, tha Dacic ne nje konference për gazetarë.
Ai rikujtoi se MPB e Serbisë në përputhje me dialogun në Bruksel ka definuar kushtet nën të cilat personat me dokumente nga Kosova "mund të kalojnë vijën administrative dhe kufirin e Serbisë drejt vende të Evropës".
Makolli s'mori përgjigje zyrtare se përse nuk iu lejua kalimi
Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, ka thënë se me moslejimin e vizitës së tij në Preshevë dhe në Bujanoc, Serbia po dëshmon se nuk mund të shkëputet nga e kaluara dhe se nuk është e interesuar që të përmirësojë raportet në Ballkan.
“Kjo dëshmon dhe njëherë se Serbia së pari nuk është e interesuar për zbatim të marrëveshjeve që arrihen, dhe së dyti, me këso lloj veprimesh, Serbia po dëshmon se nuk është e interesuar për përmirësim të marrëdhënieve në Ballkan. Me forma të tilla ajo po ndikon në përkeqësimin e raporteve të përgjithshme në Ballkan”, tha Makolli, siç transmeton Evropa e Lirë.
Ai së bashku me një delegacion nga Ministria e Diasporës, të cilët po planifikonin një vizitë në komunën e Preshevës dhe Bujanocit, është ndaluar në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë në Konçul.
Ministri Makolli tha se as ai, dhe as përfaqësuesit e pushtetit lokal në Luginën e Preshevës nuk kanë marrë përgjigje zyrtare se përse nuk lejohet kalimi.
“Jozyrtarisht kemi marrë një përgjigje, përmes së cilës, deklarimi i autoriteteve të Beogradit ka qenë se vizita nuk mund të realizohet në asnjë formë të mundshme”, tha Makolli.
Ai sqaroi se vizita e tij ishte zyrtare, por, nga ajo që ka kuptuar gjatë qëndrimit në zonën neutrale, “autoritetet serbe nuk do të më lejonin hyrjen në Luginë as si qytetar e as si ministër”.
Serbia kthen mbrapsht Makollin
Ministri i Diasporës, Ibrahim Makolli, rreth orës 11:00 është kthyer mbrapsht në vendkalimin kufitar të Konçulit dhe nuk iu është lejuar që të hyjë në territorin e Serbisë.
Ministri i Diasporës nuk është lejuar të hyjë si delegacion zyrtar i Republikës së Kosovës dhe prandaj ka hequr dorë, duke u kthyer në Kosovë.
Serbia ka thënë se ai mund të hyjë brenda si qytetar privat i Serbisë.
Makolli, megjithatë, e ka takuar në zonën neutrale Riza Halimin.
Ditë më parë, qeveritarë serbë kanë deklaruar se ministri Makolli mund të hyjë në territorin e Serbisë pa asnjë problem dhe nuk ka nevojë të kërkojë leje, pasi që, sipas zyrtarëve serbë “ai është qytetar i Serbisë”.
Ministri Makolli është pritur të takohet me kryetarin e Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi dhe atë të Preshevës, Ragmi Mustafa.