Nëse vazhdon më tej bojkotin, Rama ka për të mbetur fillikat
“Një çështje e keqe bëhet edhe më e keqe, po të mbrohet” - Ovidi
Mëkatari nuk e njeh rrugën e arsyes. Frika e ndëshkimit dhe mospranimi i pendesës e pengojnë të vërë në dyshim qendrimet e veta. Prandaj i jep gjithmonë të drejtë vetes. Prandaj nuk pyet për pasojat e veprimeve të tij. Prandaj, thonë, që krimi ndjell krimin. Rama ka bindur veten që zgjedhjet i ka fituar. Si delirant, e ka të vështirë të ndërrojë rrugë. “Qoftëlargu” u prish me gjithë botën të mos jepte llogarí për krimet. Dhe mburrej se po mbronte marksizëm - leninizmin; se do ta bënte Shqipërinë “fener ndriçues” në botë. I bunkerizuar nga mëkatet, ai bunkerizoi gjithë Shqipërinë. Kur deliri i madhështisë përzihet me krimin, i duhet vetë sovranit të izolojë mëkatarët. Këta të fundit, që jetojnë me frikëra imagjinare, dyshojnë edhe te vetja e tyre. Duke qënë egoistë të sëmurë, nuk mendojnë për pasojat e veprimeve të tyre arrogante. Zakonisht, përfundojnë si mjeranë të braktisur. Vazhdimisht bunkerizohen. Shkurt, “varrosin” veten së gjalli.
I rrethuar nga miklime servilësh, Rama u entusiazmua fillimisht për standartet e zgjedhjeve. I bindur në fitore, nxitoi të dilte dhe “profet”. Ky misionar liliput, që lakmoi të gjitha pushtetet, mbeti me gishtin në gojë. Prandaj nisi të shkelte statutin e partisë. Të dilte nga vetja, sapo dëgjoi se duhej të jepte dorëheqjen. Por u kujtua që nuk e kishte njohur veten politikan. Ndaj mendoi se nuk do të quhej fajtor si misionar. Mirpo i duhej të mos e njihte humbjen e zgjedhjeve. Prandaj, nga fajtor, e shpalli veten viktimë. Dhe nisi të akuzonte fitimtarin. Megjithatë, nuk la pa zhvilluar Asamblenë dhe Kongresin e jashtëzakonshëm. Por, në vend që të jepte në to llogari për humbjen, kërkoi hesap për mbrojtjen e votës. Dhe, kur të gjithë prisnin analiza, debate dhe kritika, “kokoshi” mbylli dyert e sallës dhe këndoi majë plehut se “Lalai kishte biçak”. D.m.th. mund t’i bënte gjëmën gjithkujt që do t’i dilte kundër. Dhe jo më kot. Sepse me vete Rama kishte sekserët, servilët, deputetët e zgjedhur me pikatore. Kishte kongresmenët, të privilegjuarit, të inkriminuarit. Rama, pra, kishte mbledhur që ta akuzonin gjithë puthadorët, ata që kishin frikë për bashkautorësínë në krimet e komunizmit, por dhe krejt hajdutërinë e pandëshkuar. Me shpatulla kaq të ngrohta, ai megjithatë pati frikë nga e vërteta. Ndaj mbylli dyert dhe, si në një bunker të madh, zhvilloi apologjinë e gënjeshtrave, të akuzave të paqena, për vjedhjet imagjinare të votave. Por e tmerronte bashkimi i politikanëve kundër tij. Bashkimi i gjithë atyre, që ai i çmonte si primitivë, anakronikë, ithtarë të politikave të vjetra. Të gjithë qënkëshin bashkuar në kor për të përmbysur ideatorin e “Politikës së re”. Të rrëzonin gjeniun që kishte transplantuar “vijën e masave” në formulat moderne “Përtej së majtës e së djathtës”, ku askush të mos kuptonte kush ishte dhe për kë të votonte. Prandaj kandidatët konkurentë, kur panë këtë frymë enveriste, u tërhoqën nga gara, me përjashtim të njërit, që iu desh Ramës si fasadë. Por frika e mëkatarit nuk njeh kufi. Nuk u beson kollaj hajduti njerëzve me ideale. Ndaj, dhe ata që ngriheshin ta lavdëronin, i shihte si varrmihësit e tij. Prandaj ashtu, i ndierë vetëm, mori një vendim të shpejtë për bojkotimin e parlamentit. Futi, pra, gjithë Shqipërinë në dështimin e tij. Të gjithë duhej të mbronin mëkatarin në detyrë. Që të gjithë t’i bënin presion P.S.-së të rizgjidhte në krye Ramën, Ndershmëria u prezantua si manipulim; si kasaphanë mizore, si vjedhje e paparë e votës së shqiptarit. Shqipëría mbeti pa frymë nga kjo akuzë staliniste. Megjithatë, Rama nuk deshi t’ia dinte për entusiazmin e votuesve shqiptarë, për ndershmërínë e komisionerëve të tij, për të gjitha organet eprore të çertifikimit të votës, zgjedhur me konsensus edhe prej vetë atij. Ai i shihte të gjithë si kompllotistë, që ishin kundër progresit, kundër “Politikës së re”, ideuar nga gjeniu i kohës. Nuk pyeste Rama, as për vlerësimet pozitive, shumë inkurajuese të qindra monitoruesve vendas e të huaj. Ai ishte dhe( ndoshta!) mbeti kundër të gjithëve. Pa menduar se kështu i bënte të gjithë kundër. Mos, vallë, kërkon t’i imponohet botës mbarë ? Prandaj vrapon nëpër rrethe dhe ulërin se, po nuk u zgjodh kryetar, do të bëhet kataklizma. Demokracia do të deformohet. Liría do të varroset. Pluralizmi do të kthehet në monizëm. Dhe për këto fajin e kanë fitimtarët Ata që bile rrezikuan të humbisnin vetë zgjedhjet për të arritur standartet. Për të fituar Shqipëría ! Pra, sipas Rammës, e kanë fajin komisionerët e tij, që firmosën me përgjegjësí procesverbalet. Janë fajtore organet qëndrore, që vonuan numërimin për të turpëruar veten para botës.(!) E kany fajin dhe ndërkombëtarët, që nuk kuptojnë se demokracia pa Ramën në krye nuk mund të funksionojë me paramentrat europiane. Dhe Shqipëría ka mbetur gojëhapur. I duket sikur është kthyer “qoftëlargu”. Sikur një mallkim e ndjek këmba këmbës. Dhe pret që mëkatari t’i thërrasë mendjes. Të kthejë partinë në parlament. Të heqë dorë nga kërcënimet ndaj atyre që mendojnë ndryshe. Dhe çuditet me kurajën prej të çmenduri të këtij humbësi të paturpshëm, i cili duhet të qëndrojë gatitu para partisë së tij dhe të ulet në gjunjë para sovranit. Para këtij sovrani të vuajtur, që mezi pret liberalizimin e vizave dhe integrimin. Dhe të pendohet Rama sinqerisht duke mallkuar veten me zë të lartë, që po e lë vendin pa opozitë dhe po pengon reformat madhore. Dhe, nëse vazhdon përsërí bojkotin, ka për të mbetur vetëm, fillikat, madje dhe pa ata, që sot shohin tek ai avokatin e mëkateve të tyre. Ndërsa vetë, i çakërsisur, ka për t’i braktisur ithtarët si ai korbi, që lë rrugës zogjtë e vet. Nën peshën e përgjegjësisë së rëndë për realizimin e reformave kaq madhore, askush nuk mund të guxojë të bëhet deri në fund “kamikaze” i një ambiciozi shpirtzi e mendjeshkurtër!
...