E Diel, 1 Nëntor 2026

Klero-majtizmi dhe “nacionalizmi” shqiptar në Projektin e BE-së

Denacionalizimi i shqiptarëve nuk fillon me Kushtetutën e Kosovës 2008. Me Kushtetutë fillon legjitimimi i denacionalizimit. Ndërtimi i bazës “ligjore” për denacionalizimin e shqiptarëve, fillon me fushatën politike-policore të shtetit antiligjor (okupator), shtetit të ashtuquajtur “UNMIK 1244”, të cilin shtet e themeloi OKB-ja (maska e BE-së) nëntë vjet para miratimit të Kushtetutës në vitin 2008. Plot dhjetë vjet, paimponueshëm, pa protokoll ose dekret shtetëror, u ndalua “përdorimi i emrit” - shqiptar-. Emri “shqiptar” nuk gjendet në asnjë nga dokumentet e UNMIK-ut, as të institucioneve “të përkohshme” administrative “qeveritare”, “parlamentare”, “shtetërore” vendore. Fushatën për denacionalizim, sipas programit të OKB-së (lexo BE-së) e mori përsipër ta zbatonte media shqipfolëse e Kosovës, dhe kjo, këtë detyrë, po e kryen me shumë sukses deri në ditët e sotme. Në mediat e Kosovës “kosovare” u ndalua emri “shqiptar” dhe shqiptarët u zëvendësuan në mënyrë “automatike politike” me “kosovarë”. Nga Shqipëria vinin në Kosovë përforcime autorësh me mbitituj tekstesh “shqiptarët dhe kosovarët”. Ish-i dërguari special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Bosnjë, zoti Jacues Klein, i cili thotë se në BH pas luftës “gabimisht” nuk janë ndaluar partitë kombëtare (nacionale), duke menduar kështu në partitë nacionale serbe në Bosnjë dhe në Kosovë. Klein pohon se, përveç në Bosnjë, “në vendet e tjera” nuk është lejuar të ketë parti nacionale. Jacues Klein vazhdon (citoj) “Thënë sinqerisht, në vendet e tjera pas luftës ne kemi eliminuar gjithë establishmentin e luftës, të gjitha segmentet nacionaliste, pasi historia shumë herë ka vërtetuar se liderët e luftës nuk janë prijës të mirë në paqe”. Klein-i thotë se, përveç Bosnjës, “në vendet tjera” janë eliminuar “establishmentet” nacionale, në “vendet tjera” joserbe është arritur denacionalizimi, “nuk janë lejuar partitë nacionale”, edhepse ka ekzistuar projekti që edhe partitë serbe “ne (ato) vende tjera” të kishin pasur, si thotë ai, “platformë ekonomike” (!!!), si këto që i janë imponuar partive politike të Kosovës, të merren me “ekonomi”, e jo me çështje nacionale, që do të thotë - shtetformuese. Klein thotë se ky projekt për “platforma ekonomike” të organizimit politik, është zbatuar “menjëherë pas luftës”. “Menjëherë pas luftës” filluan të na quajnë dhe të vetëquhemi “kosovarë”, e jo më shqiptarë. “Menjëherë pas luftës”, sa shpejt, “menjëherë pas lufte” u arrit të konstruktohet “platforma” për denacionalizimin e disa “popujve jokualitativë”. Kjo është dëshmi se, gjatë luftës, është ndërtuar platforma për “parti ekonomike”, që posa të përfundojë lufta, “menjëherë pas lufte” pelegrinët misionarë të “diplomacisë sekrete policore” të BE-së (nën firmën e UNMIK-ut), të nisin zbatimin e projektit për kosovarizimin e shqiptarëve “ekonomikë”. Fjalimi i parë i Kushnerit, “menjëherë pas lufte” (në një çerdhe fëmijësh në Prishtinë) e poshtëroi popullin e Kosovës në mënyrën më drastike të mundshme, derisa “kosovarët” që ishin pjekur brenda nate, i bënin ovacione si një heroi kombëtar kosovar. Ishte trishtuese t’i shihje në TV shefat e zyrave të huaja si shoqëroheshin ekskluzivisht me “kuadrin” kosovar. Vallë ku i gjetën aq shpejt, “menjëherë pas lufte”?! Ishin fije e për pe po ata “kosovarët” brenda nate, që dikur ishin të afirmuar si projugosllavë. Do të thotë, para se të përfundonte lufta, BE (nën maskën e OKB-së) e ka pasur të qartë në “cilat vende” do ta eliminojë, siç e zbulon sot Klein-i, establishmentin e luftës dhe do ta vendoste establishmentin “e paqes” (jo çlirimit), do ta funksionalizonte politikisht atë establishment që gjatë luftës kishte bashkëpunuar me armikun (me strukturat majtiste komplotiste) nëpër hotelet e Tiranës, Beogradit dhe qendrave tjera të Evropës. U eliminua establishmenti jo vetëm i UÇK-së, por i të gjithë atyre që në kontinuitet ishin angazhuar për çlirimin e Kosovës që nga viti 1948 deri në vitin 1999. Pra të gjithë ata që kanë luftuar për çlirimin e Kosovës nga riokupim i saj në viti 1943 (AVNOJ) pra të gjithë -nacionalistët- janë ai establishmenti i eliminuar sipas Klein-it, u eleminuan në bazë të programit dhe strategjisë shumëvjeçare të BE-së, strategjisë që BE-ja e kishte të gatshme ta zbatonte “menjëherë pas luftës”, që në ditën e parë të “çlirimit” të Kosovës me ndihmën e forcave policore administrative dhe ushtarake të UNMIK-ut (lexo: BE-së). “Ne kemi eliminuar” (pra sipas programit politik, lexo: “ata”, OKB-ja dhe maska e saj BE-ja) i kanë eliminuar establishmentet nacionale “në vendet e tjera” përveç Bosnjës. Po cilat janë ato vende të tjera ku qenka eliminuar establishmenti nacional menjëherë “pas lufte”? Nuk ka vende të tjera “pas lufte” (1999) ku janë ndaluar partitë nacionale, përveç në Kosovë. Pra jo në “vendet e tjera” “pas luftës”, jo në Kroaci, Slloveni, Maqedoni, Serbi, Mal të Zi, por vetëm në Kosovë janë eliminuar partitë nacionale dhe individët që dosja serbe e UNMIK-ut i ka futur në skedën “nacionaliste” shqiptare. Ashtu si pohon Jacques Klein-i, është eliminuar UÇK-ja (më mirë të them - platforma e saj politike çlirimtare, është quajtur gjatë lufte - Ushtria Çlirimtare e Kosovës, e jo “Ushtria Paqësore e Kosovës”), pra është eliminuar platforma “çlirimtare”, është anatemuar, është përbuzur, është demobilizuar, është traumatizuar, është gjetur “kuadër” që nuk ka marrë pjesë në luftë dhe është shndërruar në “forcë sigurie” të komanduar nga të huajt, janë patentuar klanet renegate antirugoviste në LDK, të cilat kanë selektuar adapterët e Ahtisarit, janë riaktivizuar në ato “struktura civile” në shërbim të sistemit të Serbisë, struktura ish shqiptare tash kosovare, që i kanë shërbyer administratës (serbe) të UNMIK-ut brenda rezervatit të quajtur “pushtet i përkohshëm” nën kompetenca të rezervuara (që do të thotë - pushtet pa kompetenca). Partitë janë konstruktuar si “demokratike të Kosovës” (jo partia demokratike shqiptare e Kosovës), janë bërë aleanca për ardhmërinë e Kosovës, aleanca për Kosovën e Re, aleanca socialdemokrate e Kosovës, liberalë të Kosovës, socialistë të Kosovës, parti e drejtësisë së Kosovës etj. etj. - asnjëra shqiptare, sepse ne duhet ta “nënkuptojmë” se ato janë (“edhe”) shqiptare, zyrtarisht joshqiptare, por shqiptare sa të merret me mend, sa të mos zbulohet fare projekti i BE-së për “eliminimin e establishmenteve nacionale”, siç thotë Klein-i. Vendi “Kosovë” sipas kësaj formule për eliminimin e establishmenteve nacionale, zëvendëson dhe nënkupton “kombin” e këtij vendi, lidhjet, partitë, aleancat... partitë - organizohen për Kosovën multietnike, derisa etnitë tjera joshqiptare nacionalizojnë partitë e tyre, duke u distancuar haptas nga projekti “multietnik”. Pra - së bashku me kë përmbajnë multietnikumin këta shqiptarë të shkrirë, kur nga multietnia distancohen serbët? Pra spekulohet me subjektin, ajo dykuptimësia “ligjore” që e lansoi i pari Jaap de Hoop Scheffer-i (korrik 2008). Shqiptarët si komb “nënkuptohen” brenda “multietnicitetit”, pra shqiptarët merren me mend! Por kushtetutat, askund në botë dhe asnjëherë, nuk përfillin paragrafe që lënë të “nënkuptohen” nocionet ligjore, ligjet nuk mund të shkruhen me simbole, me metafora, por ligjet kodifikohen me saktësi precize diskursive, saktësi që nuk lejon dykuptimsi të Scheffer-it. Në ato gati 20 parti serbe në Kosovë, 90% e tyre kanë cilësorin “parti serbe” (demokrate serbe, radikale serbe, rimëkëmbje serbe, etj. etj). Pra: për cilin komb “në veçanti” është përgjegjegjëse Kushtetuta e Kosovës, pos për partitë që mbiemërohen serbe? etj. Ekziston vetëm një parti që quhet edhe “shqiptare”, Partia Shqiptare Demokristiane, por kjo parti është sabotuar pikërisht për shkak të “titullit” të saj, e kanë përçarë, sot është shumë minore, dhe ka mundur të ekzistonte vetëm sa ishte Rugova. Ky shtet absolutisht policor i BE-së nën protektoratin informal të OKB-ve, për vetëm dhjetë vjet (sponsoroi) ndërton 693 godina kulti fetar si standard i demokracisë që mbështetet ekskluzivisht në të drejtat dhe liritë e njeriut për përcaktim fetar, në një vend ku çdo e drejtë dhe liri e përcaktimit të lirë nacional të individit - satanizohet me metodat më të fëlliqta dhe të provuara të Gestaposë, KGB-së dhe UDB-së. Pse nuk zbulohen vrasjet që ndodhën “menjëherë pas lufte”? “Menjëherë pas luftës” UNMIK-u nis me rindërtimin e “bashkim vëllazërimit” të ish Jugosllavisë (Serbisë), jo në “vendet tjera” siç pohon Klein-i, por ekskluzivisht vetëm e vetëm në Kosovë.   

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›