Deputetët ministra të PS, brenda shtatorit zëvendësimi i mandateve
Gjashtëmbëdhjetë deputetë të PS e LSI që janë emëruar ministra në kabinetin Rama, do të zëvendësohen jo më vonë se 30 ditë nga data 2 shtator 2013, kur mblidhet kuvendi i ri i dalë nga zgjedhjet e fundit. Bazuar në nenin 71 të kushtetutës së Shqipërisë dhe nenin 164 të kodit zgjedhor, emrat që do të ulen në kuvend në vend të ministrave që lënë mandatin e ligjvënësit, do të përzgjidhen në bazë të listave shumë emërore të partive përkatëse, jo më vonë se 2 tetori. Në nenin 164 të kodit zgjedhor theksohet se: “Deputeti deklaron në mënyrë publike përpara komisionit përkatës të Kuvendit refuzimin për të bërë betimin ose heqjen dorë nga mandati. Në këtë rast Kuvendi, jo më vonë se 30 ditë, njofton KQZ-në për krijimin e vakancës. Mandati i ndërprerë i kalon kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike në zonën zgjedhore përkatëse. KQZ-ja merr vendim për dhënien e mandatit kandidatit të radhës në listë. Nëse ai nuk paraqitet në Kuvend brenda 30 ditëve nga njoftimi, pa shkaqe të përligjura, mandati i kalon kandidatit tjetër vijues të listës”. Në datën 31 korrik, kryeministri zgjedhur Edi Rama shpalli përbërjen e kabinetit qeveritar, ku u përfshinë 16 deputet që fituan mandatin në 23 qershor. Nga këta 12 të PS-së, ndërsa katër të tjerë LSI. Por Kodi Zgjedhor ka dhe një klauzolë për barazinë gjinore. Kur deputeti që lëshon mandatin, është femër ai zëvendësohet me një tjetër femër pavarësisht renditjes në listë. Sipas kushtetutës kuvendi mblidhet të hënën e parë të shtatorit dhe që prej asaj dite partitë kanë 1 muaj në dispozicion për të bërë zëvendësimet. Kjo lëvizje në lista ishte pjesë e marrëveshjes mes 2 partive kryesore të koalicionit të majtë sipas së cilës, deputetët që pranojnë postin e ministrit janë të detyruar të lënë mandatin e deputetit.
...