Qeveria e pranon se blerësi i PTK-së, AXOS, nuk është kompani

Qeveria e Kosovës pranon se “Axos Capital Partners”, i shpallur fitues në tenderin për privatizimin e PTK-së, nuk është kompani për është fond investiv. Prapa këtij fondi qëndron ‘Telekom Italia’, por mund të ketë edhe emra të tjerë që mund të paraqiten si pjesë e tij. Kështu tha ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli, gjatë një debati publik për privatizimin e 75 për qind të aksioneve të PTK-së, të organizuar nga Komisioni për Zhvillim Ekonomik i Kuvendit të Kosovës. Ministri i zhvillimit ekonomik Fadil Ismajli ka pranuar se “Axos” i shpallur si fitues i tenderit për privatizimin e 75 për qind të aksioneve të PTK-së, është fond investiv, por prapa tij pranoi se qëndron “Telekomi Italian”. Duke raportuar para anëtarëve të komisionit për zhvillim ekonomik, ministri Ismajli tha se paratë e këtij fondi janë shumë të sigurta dhe të pastra.
“Rasti që ne kemi është një fond investiv i cili mbështetje ka nga “British Telekomi”, një operatorë i mirënjohur botëror, së fundmi duhet përmendur që disa prej atyre që qëndrojnë mbrapa këtij fondi veç kanë filluar të lajmërohen ku një prej tyre është ‘Telekomi Italian’ e që kanë qenë edhe në vizitë, besojë do të lajmërohen edhe të tjerë”, tha Ismajli.
Ish ministri i zhvillimit ekonomik, tash ministër i Financave, Besim Beqaj, nëpër duart e të cilit ka kaluar i tërë ky proces, ka ripërsëritur se asetet fizike të PTK-së, përveç antenave, nuk i janë dhënë kompanisë privatizuese. Beqaj tha se kompania do të paguajë qira për shfrytëzimin e objekteve të PTK-së, madje edhe 10 milion tjera brenda vitit për shërbimet që kryen Posta për operatorin privat, transmeton RTK.
“Asnjë objekt fizik që nuk ka të bëjë me biznesin e telekomit, respektivisht asnjë ndërtesë e PTK-së nuk është privatizuar, të gjitha janë pronë e Postës së Kosovës dhe për të gjitha këto operatori nga momenti i nënshkrimit të kontratës ka obligim ti paguajë Postës qira sipas standardeve dhe ka për obligim ti paguajë Postës jo vetëm për qira por edhe për shërbime, pra për shpërndarjen e faturave dhe gjanave të tjera që mbërrin vlerën monetare diku 10 milion euro brenda vitit”, tha Beqaj.
Sa i përket punëtorëve, ministri Beqaj por edhe ministri i Punës, Nenad Rashiq, thanë se punëtorët do të kenë kontrata tri vjeçare.Ndërsa, Sandra Rath, këshilltare e transaksionit u shpreh se në këtë proces është arritur sukses, pasi është pranuar një çmim goxha i madh e që, sipas saj, kjo ka ndodhur në një mjedis jo të mirë ekonomik.
Në këtë debat që zgjati për disa orë, më së shumti pyetje kishte Visar Ymeri nga Vetëvendosje, i cili nuk ndahej i kënaqur me përgjigjet që merrte.
Krejt në fund kur pyeti se a ka dokumente që vërtetojnë se ky proces dhe privatizuesi janë transparent dhe bëhet fjalë për para të pastra, ai nuk mori përgjigje, ngase në ato çaste kryetari i Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Zenun Pajaziti e shpalli të përfunduar takimin./Indeksonline/