E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria e re, Bregasi: Kërkesat e biznesit, pjesë e programit të 300 ditëve

TIRANE - Komuniteti i biznesit apelon mazhorancën e re që të bëjë pjesë të programit të saj të 300 ditëve propozimet e sipërmarrjes private dhe masat e parashikuara në programet elektorale. Presidenti i BiznesAlbania, Luan Bregasi deklaron se kjo do të ndihmonte në krijimin e një marrëdhënie të re mes qeverisë dhe biznesit.

“Ajo që do të kërkoja unë nga ky komision që po merret me përgatitjen e programin për 300 ditët e para të qeverisjes së ardhshme, do doja që së pari të mbajnë parasysh propozimet që kanë bërë vetë dhe që i kanë rehatuar sipërmarrjes private. Sy dyti vetë propozimet që ka bërë sipërmarrja private, nëpërmjet dokumentacioneve që deri tani ja kemi bërë prezent të gjithë forcave politike shqiptare dhe në mënyrë të veçantë koalicionit fitues. Sigurisht këto propozime nuk janë propozime që krijojnë hapësira privilegjuese për sipërmarrjen private, por janë propozime që rrisin konkurrencën e lirë, rrisin barazinë në treg, rrisin performancën e administratës shtetërore, ulin kostot e burokracisë së madhe që ka pasur administrata e dikurshme, zvarritjet e pafund që i janë krijuar biznesit. Prandaj ne kërkojmë një hapësirë të re, një model të ri të marrëdhënieve të biznesit me qeverinë e ardhshme.”- deklaroi Bregasi.

Sipas Bregasit, duhet nënshkruar një kontratë mes qeverisë dhe sipërmarrjes private, jo për t’i bërë favore kësaj të fundit, por për të ndihmuar në zhillimin e ekonomisë.

“Kërkojmë që kjo marrëdhënie të shndërrohet në një kontratë midis qeverisë së ardhshme dhe biznesit shqiptar, për të gjitha propozimet dhe vetëpropozimet që kanë bërë partitë politike, në kuadrin e një ringritjeje të ekonomisë shqiptare për t’i krijuar më shumë shanse dhe mundësi biznesit për të punuar në Shqipëri.”- u shpreh Bregasi.

Presidenti i BiznesAlbania, Bregasi propozon që qeveria e re edhe për portofolet ministrore që kanë lidhje me sipërmarrjen private të konsultohet me institucionet e biznesit, me qëllim përzgjedhjen e emrave më të përshtatshëm.

(er.nu/news24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›