E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasada Egjiptiane në Tiranë: Ngjarjet në Egjipt, jo grusht shteti

TIRANË-Ambasada e Egjiptit në Tiranë, nëpërmjet një njoftimi për shtyp, deklaron se ndryshimet e fundit politike në Egjipt, si produkt i revoltës popullore gjithëpërfshirëse, nuk kanë asnjë lidhje me atë çka po interpretohet si grusht shteti.

"Çdo përpjekje për ta paraqitur si grusht shteti atë që ndodhi gjatë ditëve të fundit, është e pabazuar në fakte dhe pa sens objektiviteti apo një përqasje të saktë ndaj asaj që po ndodh këto ditë në Egjipt”, thuhet në njoftimin per shtyp të shpërndarë nga selia diplomatike e Egjiptit në vendin tonë.

Në vijim bëhet e ditur edhe axhenda e punës së Presidentit të Përkohshëm të Republikës për periudhën kalimtare. Një ndër pikat kryesore të kësaj axhende, është "thirrja e një Referendumi Popullor, brenda 30 ditëve, që të vendosë mbi amendamentet e propozuara kushtetuese".

"Nëse referendumi miraton amendamentet kushtetuese, Presidenti i Republikës do të vendosë brenda 15 ditëve mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare në një distancë kohore jo më pak se një muaj dhe jo më shumë se dy muaj. Përcaktimi i Zgjedhjeve Presidenciale do të bëhet një javë nga seanca e parë e Kuvendit të Ri të zgjedhur", njofton ambasada.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›