Qeveria e re, Edi Rama takon aleatët e PS
Rama mbledh aleatët, Frroku: Takim i frytshëm, rikonfirmuam marrëveshjen
Një ditë pasi kryeministri i ardhshëm Edi Rama bëri publike strukturën e qeverisë së re, ai ka takuar dhe aleatët e vegjël të Partisë Socialiste. Takimi ka zgjatur pak më shumë se një orë.
Takimi
Në qendër të diskutimeve të takimit që u zhvillua me dyer të mbyllura në selinë e Partisë Socialiste, ishte ndarja e përgjegjësive në qeverisjen e re të vendit. Në përfundim të takimi, Rama u largua nga selia e PS-së pa pranuar të ndalej përpara mediave. Në takim morën pjesë, Paskal Milo i PSD-së, Petro Koçi i PSV 91, Ervin Mete i G-99, Spartak Ngjela i PLD-së, Artur Dojaka i AP-së, Zef Bushati i ADK-së, ndërsa Vangjel Dule i PBDNJ-së ka dërguar një përfaqësues në këtë takim. Ndërsa mungonte kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi. Kreu i Partisë Kristian Demokrate, Mark Frroku e cilësoi takimin e si mjaft të frytshëm, ndërsa theksoi se në mbledhje nuk u diskutua për ndarjen e posteve ministrore. Ishte një takim shumë i frytshëm, ishte rikonfirmim i marrëveshjes dhe marrëdhënieve tona. Kryeministri i ardhshëm foli me ne për formën dhe mënyrën e qeverisjes, duke na porositur për njerëzit që do punojnë në administratë. Nuk diskutuam konkretisht për kabinete, tha ai.
Takimet për postet
Burime nga PS bëjnë të ditur se ky ishte vetëm një takim parimor për tu sqaruar aleatëve strukturën e re. Ndërsa për postet në qeveri, Rama do ti takojë aleatët e tij kokë më kokë.
Gjergj Ndoji, koordinatori mes aleatëve
Në takimin e djeshëm është vendosur që Gjergj Ndoji të jetë koordinatori mes aleatëve dhe PS-së. Kryetari i PSV 91, Petro Koçi deklaroi pas mbledhjes së aleatëve, se në takim u rikonfirmua angazhimi për bashkëpunim mes të gjitha partive të koalicionit fitues. U përcaktuan disa drejtime te qarta lidhur me kontributin në qeverisje të partive. Praktika e deritanishme e katandisjes së shtetit në parcela partiake të mos jetë më. Partitë do të kenë kontributin e tyre në pjesën politike të administratës, ndërsa pjesa tjetër do të jetë në përputhje me ligjin e nëpunësit civil, deklaroi Koçi.
PS fitoi 6 mandate prej aleatëve të vegjël
Aleatët e vegjël të PS do i bazojnë kërkesat e tyre në takimin vijuar me Ramës dhe në një çështje që lidhet me taktikën elektorale. Janë rreth 6 mandate të koalicionit të majtë, si në Lezhë, Tiranë, Durrës, Gjirokastër, Vlorë e Elbasan, të cilat janë marrë me një diferencë prej 500 votash nga koalicioni i majtë. Ky rezultat u jep një arsye më shumë aleatëve që të kërkojnë përfaqësim në pushtet.